Kërko

Primavera, amore Primavera, amore 

Himni i dashurisë shkruar nga Shën Pali

Himni i dashurisë shkruar nga Shën Pali, në Letrën e Korintianëve, na mëson se kjo ndjenjë fisnike, dashuria pra, është më e fuqishme nga të gjitha e se u jep vlerë të gjitha virtyteve. Njeriu mund t’i njohë të gjitha shkencat e të gjitha misteret, mund të ketë fe sa të luajë nga vendi malet, po ç’vlerë ka, në se i mungon dashuria? Kësaj pyetjeje i jep përgjigje ‘Himni i dashurisë” i shën Palit.

R.SH. - Vatikan

Më 14 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shën Valentinin, ipeshkëv i Ternit të Italisë, pajtori i të fejuarve dhe i njerëzve të dashuruar. Himni i dashurisë shkruar nga Shën Pali Apostull, në Letrën e Parë drejtuar Korintianëve (1 Kor 13, 1-13), na mëson se kjo ndjenjë fisnike, dashuria pra, është më e fuqishme nga të gjitha e se u jep vlerë të gjitha virtyteve.

“Himni i Dashurisë”,  i numëron virtytet e veçanta, që ka një zemër, e cila rreh me ritmin e dashurisë. Dashuria e krishterë është tepër kërkuese, sepse buron nga dashuria e plotë e Krishtit për ne: është dashuri që ngulmon, që na pret, na përqafon, na mbështet deri në tronditje, pse e detyron secilin nga ne të mos jetojë më për vetveten, i mbyllur në egoizmin e tij, por për ‘Atë që vdiq e u ngjall për ne”(cfr 2 Kor 5,15). Prej këtij Himni, sidomos, njeriu mëson si duhet të jetë, plot dashuri.

Udha e përkryer e krishterë është dashuria, sepse esenca e vet Zotit është dashuria. Këtë na kujton himni i dashurisë nga Letra e Parë e Shën Palit drejtuar Korintianëve. Ky himn, është një ndër faqet më të bukura të Besëlidhjes së Re e të tërë Biblës, në cilën na tregohet “udha” e përkryer e jetës së krishterë. Kjo udhë nuk qëndron në posedimin e cilësive të jashtëzakonshme si: të flasësh gjuhë të reja, të njohësh të gjitha misteret; të kesh fe që bën mrekulli apo të bësh gjeste heroike. Këtë udhë e gjejmë në dashuri - agape - që do të thotë në dashurinë autentike, atë që Zoti na ka dëftuar në Jezu Krishtin.

Dashuria është dhurata ‘më e madhe’, që i jep vlerë të gjitha dhuratave tjera, e megjithëkëtë ajo ‘nuk krenohet, nuk mbahet me të madh, por i ‘gëzohet të vërtetës’ e të mirës së tjerëve. Kush don më të vërtet ‘nuk e kërkon interesin e vet’, ‘nuk e mban mend të keqen’, ‘arsyeton gjithçka’, ‘beson gjithçka’, ‘shpreson gjithçka’, ‘duron gjithçka’ (krh. 1Kor 13,4-7). Në fund, kur do të takohemi sy më sy me Zotin, të gjitha dhuratat tjera nuk do të kenë vlerë; e vetmja që do të mbetet në amshim do të jetë dashuria, sepse Zoti është dashuri e ne do të jemi të ngjashëm me Të, në bashkim të përsosur me Të. Dashuria është shenja dalluese e të krishterit. Është sintezë e tërë jetës së tij: e asaj që beson dhe e asaj që bën.

Dashuria është thelbi i vet Zotit, është kuptimi i krijimit dhe i historisë, është dritë që i jep mirësi e bukuri ekzistencës së çdo njeriu. Në të njëjtën kohë, dashuri është, për tu shpreh kështu, ‘stil’ i Hyjit dhe i njeriut besimtar, është sjellje e atij që, duke iu përgjigjur dashurisë së Zotit, jetën personale e organizon dhe e jeton si dhuratë e vetes për Hyjin e për të afërmin. Në Jezu Krishtin këto dy elemente formojnë njësinë e përsosur: Ai është Dashuri e mishëruar.

Njeriu mund t’i njohë të gjitha shkencat e të gjitha misteret, mund të ketë fe sa të luajë nga vendi malet, po ç’vlerë ka, në se i mungon dashuria?  Kësaj pyetjeje i jep përgjigje ‘Himni i dashurisë” shkruar nga shën Palit në Letrën e Parë drejtuar Korintasëve (1Kor 13, 1-13):

1 Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve,

por po të mos kisha dashurinë,

do të isha porsi bronzi që kumbon

e porsi cimbali që tingëllon.

2 Po ta kisha dhuratën e profecisë

e t’i dija të gjitha misteret

e të gjitha dituritë;

po ta kisha edhe fenë e plotë,

me të cilën të mund t’u ndërroja vend maleve,

por po të më mungonte dashuria,

s’do të isha asgjë!

3 Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time

dhe po ta jepja trupin tim të digjej,

por, po të më mungonte dashuria,

nuk do të më vlente asgjë!

4 Dashuria është zemërgjerë,

është e dhimbshme, dashuria,

nuk ka smirë,

nuk mbahet me të madh,

nuk krenohet

5 nuk është e panjerëzishme,

nuk kërkon interesin e vet,

nuk hidhërohet,

nuk e mban mend të keqen,

6 nuk i kënaqet padrejtësisë,

por i gëzohet të vërtetës.

7 Arsyeton gjithçka,

beson gjithçka

shpreson gjithçka,

duron gjithçka.

8 Dashuria nuk mbaron kurrë.

Profecitë mbarojnë,

gjuhët shuhen,

njohuritë marrin fund.

9 Sepse njohuria jonë është e kufizuar

dhe e kufizuar është profecia jonë.

10 Por, kur të arrijë përsosmëria,

çka është e kufizuar do të marrë fund.

11 Kur isha fëmijë

flisja si fëmijë,

mendoja si fëmijë,

arsyetoja si fëmijë.

Kur u bëra njeri i pjekur,

flaka çka i përket fëmijërisë.

12 Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë

e në mënyrë të errët,

por atëherë do të shohim faqe-faqas!

Tani njohuria ime është e kufizuar,

atëherë do të njoh plotësisht,

siç jam i njohur.

13 Tani, veç, mbetet

feja,

shpresa

e dashuria

-këto të trija-

Porse më e madhja ndër to është dashuria.

14 shkurt 2020, 15:41