Kërko

"Lëvduar qofsh" "Lëvduar qofsh" 

Ekonomia e qëndrueshme ballafaqohet me “Lëvduar qofsh”

Sonte ekonomisti Leonardo Becchetti është i ftuar në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në debatin e organizuar nën kujdesin e Dioqezës së Romës, në kuadrin e ciklit “Bashkërisht, për shtëpinë tonë të përbashkët”, për t’u thelluar e për të reflektuar për Enciklikën “Lëvduar qofsh”, të Papës Françesku, nisur që në nëntorin e kaluar.

R. SH. - Vatikan

“Një ekologji e gjithanshme” - kjo është tema e takimit të katërt, të “Bashkërisht, për shtëpinë tonë të përbashkët”, që thellon aspeket të ndryshme të Enciklikës “Lëvduar qofsh” të Papës Françesku, me specialistë, ardhur nga bota e arkitekturës, e shkencës dhe e biodiversitetit, nga sfera politike e ajo e dokumentarëve dhe e popullarizimit të shkencës. Sonte i ftuar është një ekonomist, që do të flasë për këndvështrimin e tij mbi konceptin e ekologjisë së gjithanshme, ashtu si e jeton ai në përmasën e tij profesionale, familjare e civile. Profesor Leonardo Becchetti është pedagog i Ekonomisë politike në Universitetin e Romës Tor Vergata e, ndërmjet tjerash, edhe anëtar i Komitetit përgatitor  të Javëve shoqërore të Katolikëve Italianë si dhe drejtor i kanalit www.benecomune.net.

Më 5 qershor të vitit të kaluar, së bashku me Enrico Giovannini-n, nisi organizimin e “Saturdays for future”: qëllimi i nismës është ta shndërrojë të shtunën në ditë për prodhimin dhe konsumin, në favor të zhvillimit të qëndrueshëm. Do të jetë një mbrëmje, gjatë së cilës do të lexohen fragmente nga dokumenti i Papës, ndjekur nga  intervale muzikore e çaste debati. E ftuam profesor Becchetti-n për të na  shpjeguar mënyrën si e lexon ekologjinë e gjithanshme, paradigmë konceptuale e udhë shpirtërore, që përbën zemrën e “Lëvduar qofsh”:

“Ne shikojmë ekonominë dhe njeriun në 360 gradë e vërejmë se në këtë rast, në Itali e në botë, pikërisht në optikën e vizionit integral të ekologjisë e të njeriut, mungesa e ekuilibrit ambiental është bijë e mungesës së ekulibrave të tjerë, që lidhen ndërmjet tyre. Jemi para problemit të dinjitetit të punës, domethënë, paqëndrueshmërisë së punës, të paqëndrueshmërisë demografike! E pastaj është problemi i paqëndrueshmërisë  njerëzore,  kriza e kuptimit të jetës që, në SHBA  po shkakton shtimin e vdekshmërisë.

Me pak fjalë, problemi është të ndërtohen shoqëri të lumtura e të pasura e, për ta realizuar këtë, kemi zgjedhur një udhë absolutisht prioritare, udhën e ripërcaktimit të konceptit të vlerës, të sipërmarrjes dhe të politikës ekonomike. E pastaj përpiqemi t’i japim përgjigje edhe pyetjes sesi mund të realizohet ky shndërrim. Mendojmë se për këtë duhen katër duar: qytetarë aktivë, sipërmarrje të përgjegjshme, institucione dashamire dhe  treg i përshtatshëm!”.

Ç’ju ka dhënë ju personalisht si njeri, si studiues, si profesor enciklika “Lëvduar qofsh”?

“Shumë! Sipas  meje, Papa, në pjesët më origjinale të enciklikës, thekson  idenë e ‘thjeshtësisë së pasur’. E pastaj prek shumë konkretisht disa ndryshime, që duhet t’i realizojmë. E pikërisht për to do diskutojmë në debatin e organizuar nën kujdesin e Dioqezës së Romës, në kuadrin e ciklit “Bashkërisht, për shtëpinë tonë të përbashkët”.

11 shkurt 2020, 15:37