Kërko

 Jezusi i Nazaretit Jezusi i Nazaretit 

E keqja në botë, krimet, ndëshkimet dhe shpëtimi, që vjen nga Zoti

Ungjilli na kujton se Jezusi e refuzon konceptin, sipas të cilit Zoti i dënon fajet, duke i ndëshkuar njerëzit me fatkeqësi e duke krijuar situata vërtet tragjike, që pasojnë njëra-tjetrën në botë. Po Krishti nuk erdhi në botë për ta zhytur botën në zezonë. Erdhi për ta shpëtuar. Ndërsa ngjarjet tronditëse duhet të na kujtojnë gjithnjë sa e ngutshme është për njeriun të ndërrojë rrugë! Sa s’është vonë!

R. SH. - Vatikan

Përballë ngjarjeve mortore, katastrofave, sëmundjeve e mënxyrave të kësaj natyre, besimtarët kanë prirjen ta shkarkojnë përgjegjësinë mbi viktimat. Madje nganjëherë arrijnë të fajësojnë deri vetë Zotin. E këtë temë, që meriton trajtim të thellë, e prek edhe vetë Papa, duke vërejtur se Jezusi e refuzon plotësisht vizionin njerëzor e duke theksuar se “Zoti nuk i lejon tragjeditë, për të dënuar mëkatet e botës”.

Kulla e Siloes

 Papa kujton dy fakte tragjike, që rrëfehen në Ungjill e që asokohe patën shkaktuar shumë shqetësim: masakra e ushtarëve romakë brenda Tempullit dhe shembja e Kullës së Siloes, në Jeruzalem, që pati shkaktuar 12 viktima. Jezusi e njeh mirë mendësinë supersticioze të dëgjuesve të tij, ashtu si e di se i shpjegojnë këto lloj ngjarjesh në mënyrë thellësisht të gabuar. E ashtu edhe është. Izraelitët e besojnë se mbytja mizore e viktimave në Tempull nuk është gjë tjetër, veçse  shenjë, që vjen nga dora e Zotit, i cili duhet t’i ketë ndëshkuar ata njerëz për ndonjë faj të rëndë, që sigurisht duhet ta kenë bërë. E kjo është si të thuash: “Mirë ua bëri. E merituan!”. Duke shtuar për vete: “Ne shpëtuam, sepse ishim pa faj pa mëkat”. E duke harruar se pa faj pa mëkat është vetëm Zoti.

Ftesë për pendim

 “Hajde, hajde, ç’ide kemi krijuar për Zotin!” - pohon Françesku - Kemi krijuar bindjen se Zoti është pikërisht ashtu, si mendojmë ne. Thua është  Zot, që na ngjet ne, është shëmbëllimi ynë? Sigurisht që jo! Jezusi  na bën thirrje ta ndryshojmë zemrën, të bëjmë kthesë rrënjësore në udhën e jetës, t’u rrimë larg kompromiseve me të keqen. Jezusi  pohon  se “këto qyqarë nuk ishin aspak më të këqinj se të tjerët!”. Ai fton që nga këto fakte të dhimbshme të nxiret një mësim i mirë, me vlerë për të gjithë, sepse të gjithë jemi mëkatarë, domethënë, të ftuar për të bërë ngutshëm kthesë!

I verbëri i lindur e Jobi

Jezusi jep një përgjigje të tillë edhe përballë të verbërit të lindur, që besonte se ishte sakatosur ashtu për shkak të ndonjë faji të bërë nga ai vetë, ose nga prindërit, që e sollën në jetë pa dritën e syve. Po Zoti pohon: “As ai nuk mëkatoi e as prindërit, por është kështu, që të dukeshin nëpërmjet tij, veprat e Zotit” (Gjn 9,3). E keqja mbetet mister, siç na e tregon edhe historia e Jobit të cilin, si u shemb nën peshën e një mori tmerresh, Zoti e shfajsoi, ndërsa miqtë përpiqeshin t’ia mbushnin mendjen se trazirat i vinin pikërisht nga sjellja e tij e papeshuar. Katekizmi i Kishës Katolike na kujton, përmes një citimi të Shën Agostinit: “Zoti, duke qenë pambarimisht i mirë, nuk do ta lejonte kurrë asnjë të keqe në veprat e tija, po të mos ishte edhe aq i pushtetshëm, sa ta nxirte të mirën nga vetë e keqja, nëpër rrugë, që ne do t’i njohim plotësisht vetëm në jetën e pasosur”.

Jezusi erdhi për të shpëtuar  

Gjithnjë Katekizmi, duke kujtuar se Jezusi nuk erdhi për të gjykuar, por për të shpëtuar, pohon: “Për shkak të refuzimit të hirit në jetën e sotme, secili e gjykon vetveten, merr sipas veprave të veta e mund edhe të dënohet për amshim”(679).

Të kastiguar për vetë rebelimet tona

Lidhur me këtë, Benedikti XVI kujton qortimin që Jeremia Profet i drejton popullit rebel: “Vetë ligësia jote të kastigon e rebelimet tua të dënojnë. Mendo e do të kuptosh sa e trishtë dhe e hidhur është ta braktisësh Zotin, Hyjin tënd” (Ier 2,19). Zoti dëshiron ta shpëtojë njeriun, duke e çliruar nga mëkati, por e lë të lirë: është refuzimi i Zotit dhe i dashurisë së tij, që e çon vetvetiu njeriun tek ndëshkimi” (Audienca e përgjithshme, 18 maj 2011).

Zoti fal, natyra, kurrë!

E keqja është mister, po shpesh ne vetë ndëshkohemi, duke u larguar nga Zoti, që është Mira e pambaruar. E kjo ndodh edhe kur njeriu e dhunon natyrën, e shfrytëzon në mënyrë egoiste, thjesht për interesat e veta, pa pyetur fare se po e shkatërron.  Françesku kujton, për këtë rast, një fjalë të urtë stërgjyshore: “Zoti fal gjithnjë; ne, njerëzit edhe falim nganjëherë, natyra nuk të fal kurrë!” (Fjalim i mbajtur para IFAD, 14 shkurt 2019)

Durimi i pamposhtur i Zotit

Por, në rrugën tonë plot me rrëzime, Papa kujton se shoqërohemi nga durimi i pamposhtur i Jezusit: “A keni menduar ndonjë herë për durimin e Zotit? E keni kujtuar shqetësimin e Tij për mëkatarët? Nuk është kurrë vonë për të bërë kthesë! Deri në çastin e fundit. Me bindjen se Zoti na pret deri në fund të fundit me durim të pashoq!”.

Mos e humbisni kurrë nga sytë Lajmin e Mirë

Kështu, në Mesazhin e Kreshmëve, Françesku, përballë pranisë, nganjëherë edhe dramatike, të së keqes në jetën tonë e edhe në atë  të Kishës në botë, na fton të mos e humbasim kurrë nga sytë “lajmin e mirë të vdekjes dhe ngjalljes së Jezusit” për shpëtimin tonë. Feja na jep një perspektivë krejt tjetër! Na bën t’i shikojmë gjërat e tokës me sytë e qiellit. Të shkundemi, prandaj, nga topitja jonë - na nxit Papa - “kjo është koha e favorshme për kthesën tonë”.

 

27 shkurt 2020, 11:18