Në lutje, para kryqit të Krishtit Në lutje, para kryqit të Krishtit 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra e shën Palit apostull drejtuar Galatasve – shkandulli i Kryqit

Vijojmë edhe sot shfletimin e Letrës së shën Palit Apostull drejtuar Galatasve, duke ndjekur librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia. Javën e kaluar, nënvizuam se sikur secili prej nesh ta kishte parë Zotin, ashtu siç e pa shën Pali në udhën e Damaskut, do ta kuptonte se vetëm një gjë ka vlerë e kuptim, gjithçka tjetër vdes.

R.SH. - Vatikan

Problemi është se ne nuk e kemi parë e kështu, na duhet gjithçka, edhe çfarë nuk vlen, gjithçka që mund të na ndihmojë të kuptojmë ç’është më themelorja. Ne kërkojmë e ndihemi të humbur. Ndërsa Pali e gjeti. Prandaj, lufton me të gjitha forcat që feja e Krishtit ta ketë bazën vetëm mbi kryq e mbi asgjë tjetër. Mund të thuhet se me shpatën e fjalës së tij, shën Pali dëshiron të presë çdo gjë, që ia zë frymën misterit të kryqit të Krishtit.

E kur të gjithë duket sikur thonë: duhet rrethprerja bashkë me Ungjillin, Pali nuk mashtrohet nga kujdesi i tepruar e nuk lodhet të ndjekë asnjë lloj arsyetimi, por mbërthehet me gjithë forcën pas shkandullit të kryqit. Vetëm kryqi mjafton. Nuk kemi nevojë për rite, praktika, shenja, tradita, identitete, ushqime, distinktiva… gjithçka s’vlen më!

E ligji atëherë, pyesin galatasit? Ligji u vu për shkeljet, ishte shoqërues, përgatitës për ata, që do të shihnin plotësimin e premtimit bërë Abrahamit, por fuqia e tij është e kufizuar e jo shëlbuese. Kjo është pika delikate e mendimit të shën Palit:

“Po të ishte dhënë një ligj, i cili do të mund të jepte jetë, atëherë me siguri drejtësia do të vinte nga Ligji. Por Shkrimi Shenjt gjithçka ndryn nën mëkat që, me anë të fesë në Jezu Krishtin, t’u jepej premtimi atyre që besojnë” (Gal 3,21-22).

Pra, me Abrahamin shpallet premtimi, me Moisiun përvijohet përgatitja, por vetëm me Krishtin dhurohet shëlbimi. Tek besimi në Të, shën Pali sheh plotësimin e premtimeve dhe çlirimin nga zgjedha e mëkatit, simbol i të cilit mbetet ligji.

“Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t’ju zënë në zgjedhën e skllavërisë!” (Gal 5,1).

Ligji nuk shërben më për asgjë, prandaj, të pranosh rrethprerjen, ashtu siç bënë galatasit, do të thotë ta bësh të pavlefshëm kryqin e Krishtit, do të thotë të përpiqesh ta forcosh shëlbimin e Krishtit, duke përdorur plehra. Ligji është skllavëri, feja është liri. Nuk ka vijë të mesme, sepse shën Pali e fut ligjin, shkrimin, popullin hebraik brenda mëkatit, për të lartuar Krishtin, Shpirtin Shenjt dhe shëlbimin.

Falë kryqit të Krishtit dhe ringjalljes, njeriu mund të marrë Shpirtin e Zotit, por, nëse shtohen praktika të tjera fetare, anulohet shkandulli i kryqit. E këtu, duhet të jesh mjaft i hollë për të kuptuar. Procesi i thjeshtimit arrin kulmin.

Është sikur shën Pali të thoshte: shikoni këtu, e di mirë se po zgjodhët rrethprerjen, zgjidhni një rit të lashtë, praktikuar nga shumë popuj, një rit të parashikuar nga Ligji i Moisiut, një rit që ju shmang edhe persekutimin e romakëve, e di mirë sa me leverdi e kuptim është, por e gjithë kjo, sado e arsyeshme të duket, e bën të pavlefshëm shkandullin e kryqit. E, nëse nuk ka shkandull, nuk ka fe. Në Krishtin, ka rëndësi feja, që vihet në veprim përmes bamirësisë.

Ky është mendimi i shën Palit, brilant si diamanti, i brishtë si kristali.

27 shkurt 2020, 09:34