Kërko

Lutja Lutja 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra e shën Palit apostull drejtuar Galatasve – feja apo Ligji?

Javën e kaluar filluam shfletimin e Letrës së shën Palit Apostull drejtuar Galatasve, duke ndjekur librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia. Vumë në dukje se pikërisht shën Pali na ka lënë një nga bazat e teologjisë së krishterë, që thotë se ne nuk shëlbohemi përmes veprave të Ligjit, por përmes fesë në Jezu Krishtin Zot. Sot, do të përpiqemi të kuptojmë pse shën Pali është kaq radikal.

R.SH. - Vatikan

Kundërvënia ndërmjet fesë dhe Ligjit është intuita themelore e shën Palit, sepse pikërisht këtë e ka përjetuar vetë: ka kaluar nga një pol në tjetrin. Nuk ndodhi e njëjta gjë me apostujt, që e njohën Jezu Krishtin, që ndoqën Ligjin së bashku me Të, që panë kryqin, që mezi i besuan ringjalljes dhe që u përpoqën të kuptonin ç’do të thoshte e gjitha kjo.

         Apostujt e panë dritën çdo ditë, në mesin e errësirës së tyre dhe të botës. Udha e tyre ishte graduale, gjithëpërfshirëse e, në një farë kuptimi, edhe e harmonishme. Ndërsa, udha e Palit ishte verbimi, një rrufe e papritur, që ia theu më dysh jetën. Nga ai çast, shën Pali fillon të hedhë poshtë gjithçka ishte para se të takonte Krishtin e fillon të arsyetojë, duke hequr e duke përjashtuar, duke bërë një hap pas tjetrit përmes dualizmave të rrezikshme: trupi e shpirti, fjala e shpirti, rrethprerja dhe ungjilli, veprat e feja, ungjilli e ligji.

         Verbimi në Damask e çon shën Palin drejt një polarizimi të skajshëm, sepse ai e di mirë se ka parë një dritë, që, në asnjë mënyrë, s’mund të krahasohet me të tjerat. Kjo dritë është ringjallja e Krishtit e shën Pali, në këtë Letër drejtuar Galatasve, na lë shprehjen më të bukur, që mund të thuhet për përvojën e tij:

         “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti” (Gal 2,20).

         Mundimet, vdekja dhe ngjallja e Krishtit janë shpëtimi i vetëm. Feja, vetëm feja, na lejon ta fitojmë këtë. E kur e fitojmë, gjithçka tjetër është pa vlerë, siç do t’u thotë filipianëve, me fjalë tejet të fuqishme:

         “Për të kam bjerrë çdo gjë dhe të gjitha i çmoj si llom, me qëllim që të fitoj Krishtin dhe të gjendem në Të - jo me drejtësinë time - me atë që vjen nga Ligji, por me atë që vjen nga feja në Krishtin, me drejtësinë që vjen nga Hyji, e themeluar në fe” (Fil 3,8-9).

         Shën Pali përdor një fjalë greke, e cila përveçse “llom”, mund të përkthehet edhe si “jashtëqitje”. Është tepër i skajshëm, por me galatasit tregohet më i butë e u thotë:

         “Ligji ishte pedagogu ynë deri që të vinte Krishti që ne të shfajësoheshim me anë të fesë” (Gal 3,24).

         A e dini cila ishte detyra e pedagogut në kohën e shën Palit? “Funksioni i tij konsistonte kryesisht në shoqërimin e zotërisë së vogël në shkollë, duke i mbajtur librat dhe vizatimet, në palestër, në shëtitje e, edhe në teatër” (Enciklopedia Treccani).

         Shën Pali apostull e pa të Ringjallurin e nuk ka më sytë e atij, që dyshon, ose të atij, që mohon apo shton më kot. Ai jeton në siguri, sepse ajo që pa me sytë e vet shkatërroi krejtësisht gjithçka që besonte, duke e kthyer thjesht, në një lloj kohe përgatitore. Për të, jeta është Krishti, gjithçka tjetër s’ka asnjë vlerë.

         Mendoni për një çast të shihni Jezusin e ringjallur e të jeni të sigurt, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se nuk është fjala për ndonjë vizion, për ndonjë iluzion, ose për ndonjë fantazmë. Se Krishti është ngjallur, se Zoti ekziston, se Parajsa, engjëjt, Ferri e gjithçka tjetër janë më të vërteta se kjo jetë e mjerë. Ç’do të bënit? Sigurisht, që do ta kuptonit se vetëm një gjë ka vlerë e kuptim, gjithçka tjetër vdes. Shën Pali është pikërisht ky njeri, që e ka parë Zotin dhe e ka kuptuar se Hyji ka fytyrën e Krishtit. Kështu duhet lexuar Apostulli i Popujve e kështu duhet kuptuar ai.

20 shkurt 2020, 17:13