Kërko

Vatican News
 Takimi "Mesdheu, kufi i paqes" në Bari Takimi "Mesdheu, kufi i paqes" në Bari 

Bari, të mjekohen plagët e Mesdheut

Dita e tretë e takimit të dialogut dhe lutjes së ipeshkvijve dhe patriarkëve të Mare Nostrum. Luftëra, migrime, kriza ekonomike, shpresa e ëndrra - në qendër të punimeve. Patriarku i Aleksandrisë së Koptëve, Sedrak: pas dhunës, Egjipti po e rimerr veten!

R. SH. - Vatikan

“Kisha, në dialog me shoqërinë civile”. Kjo ishte tema e ditës së tretë të punimeve të Takimit të ipeshkvijve e patriarkëve nga vendet e lagura prej  Mesdheut. Temë, që u shtjellua me hollësira shumë  të ndërlikuara. Edhe të dhimbshme. Duke u nisur nga migrimet e ngarkuara me vdekje, nga luftërat e pafundme, si ajo siriane, nga varfëria në rritje, që vijon t’i mbërthejë në kthetrat e saj popujt e Mare Nostrum e deri tek krizat shkatrrimtare ekonomike e politike.

Mesdheu,  vendimtar për botën globale

Diskutimi dhe ballafaqimi i sotëm sinodal nisi me referatin e hyrjes, besuar profesor Adriano Roccucit, pedagog i historisë bashkëkohore në Universitetin Roma Tre. Analiza e referuesit të ditës së sotme u nis nga  një fakt i pakundërshtueshëm: “Mesdheu është shndërruar në një kuadrant vendimtar për zhvillimet e botës globale. Të flasësh për Mesdheun, do të thotë të ballafaqohesh me një univers shumëformësh”. Profesor Roccucci  vuri theksin jo vetëm mbi përgjegjësitë e politikës dhe të shoqërisë, por edhe të njeriut, që beson. “Të krishterët kanë një përgjegjësi të veçantë në këtë kohë të vështirë - kujtoi referuesi. - Duhet të bëjnë të mundshmen e të pamundshmen për të lehtësuar fundin e luftërave e për të favorizuar proceset e pajtimit”. Po si ta bëjnë? Referuesi u tregoi prelatëve edhe rrugën, ndoshta kryesoren: “Për ta luftuar urrejtjen dhe paragjykimin,  duhen përshkuar rrugët konkrete e guximtare të dialogut dhe të miqësisë”.

Fortlumturia e Tij, Sedrak: në Egjipt situata po përmirësohet

Një dëshmi e drejtpërdrejtë nga viset, ku ka edhe shenja shprese, e solli Fortlumturia e Tij, Ibrahim Isaac Sedrak, patriark i Aleksandrisë së koptëve. “Pas dhunës së vëllezërve myslimanë, situata në Egjipt  po përmirësohet. Tani vendi po ecën, po përparon - tregoi - Elementi  themelor është  ndjenja e përkatësisë, e qytetarisë. “Unë mund të jem i krishterë e tjetri mysliman: por të dyja palët jetojmë të njëjtat sfida, të njëjtat gëzime, të njëjtat vështirësi. Kjo na ndihmon shumë  të flasim me një gjuhë të re”.

E për ta kuptuar se Kisha egjiptiane jeton në harmoni,  nënvizoi  një fakt  tejet të rëndësishëm për një pakicë, si ajo e krishterë: “Edhe sot mund t’i kemi kishat tona, duke i legalizuar ekzistueset”. Një hap themelor për bashkëjetesën  paqësore.

Ipeshkvijtë “në mision” ndër famulli

Pas tryezave të ballafaqimit dhe diskutimit plenar, disa nga ipeshkvijtë e patriarkët sonte do të shkojnë ‘në mision’  në një mori famullish të dioqezës bareze, për të shkëmbyer me popullin dhe besimtarët  biseda mbi temat e takimit. Por edhe për të kremtuar me ta Meshën Shenjte. Një mënyrë takimi e njohjeje reciproke, sipas ndjeteve të ipeshkvit të Bari-Bitontos, imzot Francesco Cacucci.

21 shkurt 2020, 17:11