Kërko

Françeskani At Justin Rrota Françeskani At Justin Rrota 

Françeskani At Justin Rrota në përvjetorin e lindjes

Kontributi i At Justinit ishte i shumanshëm, posaçërisht për studimin e gramatikës shqipe, të sintaksës, morfologjisë, të historiografisë sonë letrare, e në veçanti për njohjen dhe studimin e autorëve tanë të vjetër, si për Buzukun, Matrangen etj. Ai qe i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të 'Mesharit' të dom Buzukut nga Biblioteka e Vatikanit. At Justini qe rregulltar françeskan tejet i durueshëm, i dashur dhe i përshpirtshëm, i dhënë mbas punës e uratës, gjithnjë për Fe e Atdhe

R.SH. - Vatikan

Më 17 shkurt, kujtojmë përvjetorin e lindjes së françeskanit shqiptar At Justin Rrotës, personalitet e dijetar i shquar i kulturës shqiptare dhe i letrave shqipe, i cili lindi më 17 shkurt 1889 në Shkodër. Mësimet e para i mori në Shkodër, kurse ato teologjike në Klagenfurt të Austrisë.

At Justin Rrota iështë një ndër françeskanët më të shquar shqiptarë. Kontributi i tij ishte i madh për studimin e gramatikës shqipe e të historiografisë tonë letrare. At Justin Rrota ishte i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të don Gjon Buzukut të vitit 1555 nga e vetmja kopje që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.  At Justin Rrota qe profesor në Troshan dhe pas vitit 1921 në gjimnazin “Illyricum” në Shkodër. Por meshtari françeskan-profesor u shqua edhe si mësimdhënës i aftë, studiues i paepur duke botuar artikuj dhe studime shkencore me pseudonimet Iris, Patër Ndou dhe Viator.

Fillimisht shkrimet e para At Justin Rrota i botoi në revistat “Zani i Shna Ndout” dhe “Hylli i Dritës”, të cilat u përkasin disiplinave të gjuhësisë dhe të letërsisë. Është ndër botuesit e parë të teksteve për shkollat e mesme. Në vitin 1940, Instituti i Studimeve Shqiptare në Tiranë e zgjedh anëtar të tij në cilësinë e lëvruesit të gjuhës.  Kontributi i At Justinit ishte i shumanshëm, posaçërisht për studimin e gramatikës shqipe, të sintaksës, morfologjisë, të historiografisë sonë letrare, e në veçanti për njohjen dhe studimin e autorëve tanë të vjetër, si për Buzukun, Matrangen etj.

Siç thamë At Justin Rrota qe i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të 'Mesharit' të don Gjon Buzukut nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit. At Justin Rrota qe rregulltar françeskan tejet i durueshëm, i dashur dhe i përshpirtshëm, i dhënë mbas punës e uratës, gjithnjë për Fe e Atdhe.

Ja diçka nga veprat e At Justin Rrotës ofm
1.Don Gjon Buzuku (1555), pjesë të zgjedhura e të komentuara për shkolla të mesme, botuar në Hylli i Dritës VI, pastaj në Shkodër 1930 dhe 1938, në Shkrimtarët Shqipëtarë Tiranë 1941. 
2.Ma të para kopje të fotografueme të Buzukut, Nëndori II, Tiranë 1941, n.3, faqe 76.
3.Hulumtime dhe shënime mbi Gjon Buzukun, Buletin 3, Tiranë, 1956:173188. 
4. Rreth gramatikologjisë shqipe, Shkodër 1923, 1933.
5.Letratyra shqipe, Shkodër 1925, 1934, 1936, 1944.
6.Analizimi i rasave t'emnit, Shkodër 1931.
7.Sintaksi i shqypës, Shkodër 1932, 1942, 1944.
8.Për historinë e alfabetit shqyp, Shkodër 1936, Prishtinë 1968.
9.Don Lukë Matranga, shkrimtari ma i vjetri i italoshqiptarvet, Shkodër 1931, 1939.
10.Rreth votrës I, novela shkodrane, Shkodër 1945. 

At Justi Rrota ka botuar edhe libra të tjerë me përmbajtje fetare e shpirtërore, si dhe studime të shumta filologjike e gramatikore në revistat e fletoret e kohës si Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndout, Bijat e Zojës etj me emër të plotë. Në dorëshkrim janë Gjuha e shkrueme shqipe (850 faqe), Monografia e plotë e gramatikës, leksikologjisë, fonetikës, e morfologjis në gjuhën shqipe (dorëzuar Institutit të Gjuhësisë në Tiranë). At Justi Rrota vdiq dhe u varros në Shkodër më 21 dhjetor 1964.

17 shkurt 2020, 16:00