Kërko

Shenjtoret Shenjtoret 

Shenjtorët e javës që vjen 9 -16 shkurt

Në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi i krahason dishepujt e vet me kripën dhe dritën. Ai është drita e botës, e kështu edhe i krishteri është dritë e botës nëse vihet gjurmëve të Mësuesit e Shpëtimtarit Hyjnor dhe nëse vepron, me e si Ai, për lavdinë e Atit Qiellor.

R.SH. - Vatikan

E diel 9 shkurt, Kisha katolike kremton të Dielën e 5-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 9 shkurt, kalendari përkujton shën Apoloninë. Në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi i krahason dishepujt e vet me kripën dhe dritën. Ai është drita e botës, e kështu edhe i krishteri është dritë e botës nëse vihet gjurmëve të Mësuesit e Shpëtimtarit Hyjnor dhe nëse vepron, me e si Ai, për lavdinë e Atit Qiellor.

Të hënën më 10 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Skolastikën, virgjër, motër e Shën Benediktit dhe shenjtorët Zotikun, Gjaçintin e Amancin martirë. Liturgjia e ditës na kujtojnë se Krishti është gjithnjë i mëshirshëm e kujdeset që njeriut të mos i mungojë buka e përditshme, por mbi të gjitha kujdeset të shuajë urinë e tij shpirtërore, urinë për jetën e vërtetë.

Të martën më 11 shkurt, sipas kalendarit liturgjik, Kisha katolike kremton festën e Zojës Lurdë. Më 11 shkurt kremtohet Dita botërore e të sëmuritLiturgjia e ditës na kujton se Dhjetë Urdhërimet e Tënzot përmbushen plotësisht në ligjin e dashurisë, që e solli Jezusi e se pikërisht mbi bazën e dashurisë do të gjykohemi!

Të mërkurën më 12 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Saturninin me shokë, martirë të Abitenes, shën Benediktin e Aniane. Liturgjia e ditës na çon në ditën kur Kaini ngriti dorën kundër të vëllait, Abelit. Është vëllavrasja e parë në historinë e njerëzimit. Na kujton se flijimi që i pëlqen më shumë Zotit, është dashuria e vëllait për vëllain, e njeriut për njeriun, larg çdo lakmie e përpjekjeje për ta ngritur lumturinë vetjake mbi fatkeqësinë e tjetrit.

Të enjten më 13 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Martinjanin, e të Lumin Jordani i Saksonisë, meshtar dominikan. Liturgjia e ditës na kujton porosinë e Krishtit: “Ruhuni nga tharmi i farizejve dhe i Herodit!”. E kjo do të thotë se njeriu i drejtë, larg çdo hipokrizie e servilizmi, nuk lakmon pasuri: i mjafton ‘Buka e Zotit’, që është vetë Jezu Krishti. Në historinë e Kishës të gjitha veprat e mëdha nisin nga përvujtëria e vogëlsia e njerëzve fare të papërfillur nga bota, por tepër të pëlqyer nga Zoti.

Të premten më 14 shkurt, kalendari kujton shën Çirilin, murg e shën Metodin, ipeshkëv, Pajtorë qiellor të Evropës si dhe shën Valentinin.  Liturgjia e ditës na fton të besojmë në Jezusin në të cilin kemi burimin e jetës së re, e me Të dhe në Të mund të fitojmë mbi të keqen e ta asgjësojmë vdekjen, të udhëhequr nga forca e Shpirtit Shenjt.

Të shtunën më 15 shkurt, kalendari kujton shën Shën Onezimin, nxënësin e Shën Palit, dhe Shën Faustinin e Shën Gjovitën, martirë. Liturgjia e ditës na flet për forcën e njeriut e për dobësinë e Hyjit. Fuqia e njeriut konsiston në besimin e tij në Hyjin, ndërsa dobësia e Hyjit qëndron në mëshirën e tij të pafundme për njeriun. Jezusi shëron një të gërbulur.

Të dielën e ardhshme më 16 shkurt, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 6-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 16 shkurt, kalendari kujton shën Gjyliana, virgjër e martire. Liturgjia e ditës na kujton se kush e humbet jetën për kauzën e Krishtit e të Ungjillit të Tij, ka për ta shpëtuar.

09 shkurt 2020, 13:41