Sainte Josephine Bakhita Sainte Josephine Bakhita 

Më 8 shkurt, kalendari përkujton shën Gjyzepina Bakhita, virgjër

Shën Jozefina Bakhita, të cilën Kisha katolike e feston më 8 shkurt, qe skllave sudaneze e liruar e, më pas, murgeshë kanosiane, shpallur shenjte, në shtegtimin e saj mbi këtë tokë, luftoi në vijën e parë, pikërisht, të frontit kundër tregtimit të grave, kaloi nga skllavëria, në liri.

R.SH. - Vatikan

Shën Jozefina Bakhita, të cilën Kisha katolike e feston më 8 shkurt, skllave sudaneze e liruar e, më pas, murgeshë kanosiane, shpallur shenjte, në shtegtimin e saj mbi këtë tokë,  luftoi në vijën e parë, pikërisht, të frontit kundër tregtimit të grave, kaloi nga skllavëria, në liri.

Gjyzepina Bakhita lindi në Sudan në vitin 1869. Që në moshën shtatë vjeçare iu desh të provonte ankthin e rrëmbimit e të skllavërisë. U shit disa herë në tregjet e skllevërve në El Obeid e në Kartum më m1882 u blé, më në fund, nga konsulli italian Kalisto Lenjani. Me të shkoi në Venedik, ku më 1885 u njoh me motrat kanoziane.

Këtu pat mundësinë të njihet me fenë e krishterë, e më 9 janar 1890 kërkon të pagëzohet duke marrë emrin Gjyzepina. Ajo iu lut atyre ta ndihmonin për të njohur atë Zot, të cilin e kishte ndjerë në zemër pa e ditur akoma se kush ishte. E u tregonte rregulltareve: “Duke parë diellin, hënën e yjet, thosha me vete: “Kush do të jetë zotëria i këtyre sendeve? E ndjeja një dëshirë të zjarrtë për ta parë, për ta njohur e për ta nderuar”.

Jetoi pesëdhjetë vjet me radhë duke shërbyer në shtëpinë e simotrave, të cilat e nderonin për ëmbëlsinë e saj të përhershme, për mirësinë e saj e për dëshirën që të njihte Zotin. U la trashëgim fjalët: “Të jeni të mira, duajeni Zotin, lutuni për ata që nuk e njohin! Sikur ta dinin ç’hir i madh është ta njohësh Zotin!”.

Në pleqëri kaloi një sëmundje të rëndë e të dhimbshme. Dha shpirt më 8 shkurt të vitit 1947 rrethuar nga simotrat dhe nga një turmë e madhe njerëzish, që u mblodh për t’i dhënë lamtumirën e fundit “Nënës së shenjtë zeshkane” e për t’i kërkuar ndërmjetësim nga qielli.

Figurë prekëse ajo e Shën Jozefina Bakhitës, e cila na të bën të reflektojmë për plagën e tmerrshme të Trafikimit të Njerëzve, e cila edhe sot e kësaj dite i shndërron në skllevër miliona njerëz nëpër botë: gra, fëmijë e burra. Tregtia e njerëzve, pohojnë motrat rregulltare kanosiane që janë në ballë të luftës kundër këtij fenomeni, e plagos dinjitetin e njeriut, i shpërfytyron viktimat, bren jetë dhe histori individuale e familjare.

08 shkurt 2020, 11:56