Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 7-të të gjatë vitit kishtar ‘A’ Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 7-të të gjatë vitit kishtar ‘A’ 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 7-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Leximet biblike të kësaj së diele, na orientojnë drejt dashurisë ndaj të afërmit, sepse Hyji është ati i të gjithëve. Prandaj kërkon prej nesh marrëdhënie dhe një dashuri vëllazërore të anasjelltë.

R.SH: - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, të dielës së 7-të gjatë vitit liturgjik, sipas kalendarit kishtar, ciklit të parë. Leximet biblike të kësaj së diele, na orientojnë drejt dashurisë ndaj të afërmit, sepse Hyji është ati i të gjithëve. Prandaj kërkon prej nesh marrëdhënie dhe një dashuri vëllazërore të anasjelltë...

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 7-të të gjatë vitit kishtar ‘A’

Pra, tema, që na propozon liturgjia e Fjalës së kësaj së diele, është urdhri i dashurisë ndaj të afërmit, e madje urdhri paradoksal për t’i dashur edhe armiqtë tanë, që përfaqëson atë veçori që e karakterizon ‘drejtësinë’ e të krishterit dhe shprehet thelbësisht në aftësinë për të falur. Cila është, me pak fjalë, “drejtësia më e madhe a më e lartë” (khr Mt 5,20) që Jezusi u kërkon dishepujve të tij? Është dashuria për të afërmin (khr Mt 19,19; 22,37), e dashuria deri edhe për armikun.

Pra, Ungjilli nga Mateu, nga i cili Jezusi vijon të na flasë, të na porosisë, të na bëjë thirrjen, që përshkon shekujt, deri në mbarim të jetës: “Duajini armiqtë tuaj! Lutuni për ata, që ju mundojnë!”. Duhet ta bëjmë tonën lutjen e njeriut, që vuan, për të pohuar qartë: T’i lëmë në dorë të Zotit të gjithë armiqtë e armiqësitë, sepse vetëm kështu mund të fitojmë lirinë dhe paqen e vërtetë shpirtërore. E kur e kujtojmë dhe pranojmë këtë porosi, kemi parasysh drejtësinë e themeluar nga vetë Zoti. Me ligjet e Tij Zoti themeloi ligjshmërinë shoqërore, duke e bazuar mbi kryeurdhërin: “Duaje të afërmin tënd si vetveten!”.

T’i duam ata që na urrejnë, t’i falim ata që na fyejnë, t’i përqafojmë ata që na bëjnë padrejtësi, t’u buzëqeshim atyre që na sulmojnë! Kështu, Ungjilli (Mt 5,38-48) i kësaj së diele të 7-të, na mëson se sekreti i shenjtërisë qëndron në aftësinë tonë për ta njohur e pranuar Zotin si Atë. Kjo vetëdije na bën ta konsiderojmë çdo njeri si vëlla, sepse është bir i të njëjtit Hyj Atë Qiellor.

Prej këndej lind kërkesa për t’i dashur të tjerët si të ishin anëtarë të së njëjtës familje. Ç’duhet bërë? Nëse i shohim të tjerët jo me sytë e botës, por me ato të Zotit, mund t’ia hapim zemrën urdhërimit të dashurisë. Vetëm kjo na bën të arrijmë t’i duam deri armiqtë, sepse edhe në ta gjejmë të pasqyruar Krishtin, i cili u mishërua për të na shpëtuar të gjithëve.

Vetëm atëherë mund të bëjmë një hap cilësor e nga falja, të arrijmë deri t’i duam ata, që na urrejnë. Sepse në çdo familje, Kaini e Abeli jetojnë bashkë. Por askush nuk mund të mos ketë parasysh faktin se janë vëllezër. Dashuria për armikun, kaq e vështirë për njerëzit, rrjedh nga atësia universale e Zotit e duhet të konkretizohet në gjestet e jetës së përditshme dhe në sjelljen tonë.

Në Librin e Levitikut (Leximi I), Zoti e fton popullin e vet të jetë shenjt. Çdo njeri mund të bëhet shenjt në masën me të cilën do të arrijë ta dojë të afërmin porsi vetveten. Shën Pali Apostull (Leximi II), ngul këmbë mbi shenjtërinë e të pagëzuarit, i cili, me anë të Sakramentit, bëhet tempull i Hyjit.

                                                          Liturgjia e Fjales

Leximi i parë Lev 19, 1-2. 17-18

Lexim prej Librit të Levetikut

Zoti foli me Moisiun e tha:

 “Fol me mbarë bashkësinë izraelase e thuaju:

Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj!

Mos e urre në zemrën tënde vëllanë tënd. E ke detyrë ta qortosh bashkëvendasin, të mos kesh pjesë në mëkatin e tij. Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti. Fjala e Zotit

 

Psalmi 103

Ref:  Zoti është i mirë dhe i madhe në dashuri

—————————————————-

Bekoje, shpirti im Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

————————————————-

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit,

ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.

————————————————

Zoti është i mirë e i mëshirshëm,

i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

Nuk zemërohet gjithherë

as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

————————————————

Sa është lindja larg perëndimit

aq larg i hedh prej nesh fajet tona.

Sikurse baba ka dhimbje për fëmijët e vet,

ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.

————————————————

Leximi i dytë 1 Kor 3, 16-23

Lexim prej Letrës së parë së Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju?

Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë ‑ e ky Tempull jeni ju!

Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë. Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi shenjtë thotë:

‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre.’

dhe përsëri:

‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve,  e di se janë të kota.’

Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja: Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhmja! Gjithçka është juaja, ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit! Fjala e Zotit

 

Aleluja!Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë, Ti ke fjalët e jetës së pasosur. Aleluja!

 

Ungjilli Mt 5, 38 – 48

Lexim prej Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb’.  Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. Atij që do të të qesë në gjyq për të të marrë këmishën, jepja edhe pallton.  E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy;  atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.”

Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd.  E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë,  për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët.   Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit?  E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët? Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!” Fjala e Zotit!

 

Lutja me Ungjillin

Duaje ate qe te urren

Fale ke te fyen

Perqafoje ate qe me ty eshte i padrejte

Buzeqeshi atij qe te mundon.

 

O Zot, tepër po me kërkon!

E pamundur, s’e bej dot

Pastaj, eshte e drejte kjo, apo mundohem kot?

 

Ende s’e ke kuptuar, me thotë Zoti

Se nata nuk mposhtet me nate

Por me dritën e ditës,

Se nuk ndalet lufta me lufte,

Por me nje firme per paqen.

 

A mos qe e lehte valle per mua

T’i fal ata që me kryqëzuan?

E pra, unë i fala!

Tani e ke radhën ti

Bej edhe te kështu

Nese me gjithë shpirt do,

Me mua Alelujen e Pashkeve ti këndo.

 

Mendova se ishte e lehte, o Zot

Te vij pas Teje

Por tani e di se eshte veshtire tmerrësisht

Per mua qe jam i dobët e i thyeshëm.

 

Por jam i sigurt se nëse Ti je pranë mehe

E une jam pranë Teje,

E pamundura, e paarritshmja nuk ekziston me

Sepse Ti je Ai

Qe boten ke krijuar nga asgjëja,

Lulja lind ne shkretetire prek teje

Uje rrjedh edhe nga shkëmbi,

Jeta lulëzon edhe nga vdekja.

Amen!

21 shkurt 2020, 16:23