San Biagio, Scuola di Novgorod San Biagio, Scuola di Novgorod 

Më 3 shkurt kalendari kishtar përkujton Shën Vlashin, ipeshkëv e martir

Kujtojmë se besimtarët i luten Shëna Vlashit, posaçërisht për shërimin nga sëmundjet e grykës, sepse, sipas traditës, ndërmjet shumë mrekullive që bëri, shëroi edhe një fëmijë të vogël, të cilit i kishte ngecur një halë në fyt, që po i merrte frymën. Prandaj gjatë Meshës, të pranishmit bëjnë edhe bekimin me Kryqin nën fyt, me dy qirinj të lidhur në formë iksi e të bekuar për këtë rast, shoqëruar me lutjen: "Me ndërmjetësinë e Shëna Vlashit, Ipeshkëv e Martir, Zoti të ruajtët nga sëmundjet e grykës e nga çdo ligështi trupore e shpirtërore".

R.SH. - Vatikan

Vlashi martir konsiderohet nga tradita si ipeshkëv i komunitetit të Sebastes në Armeni në kohën e "pax costantiana”. Pasi shëroi mrekullisht një fëmijë, të cilit hala e peshkut i kishte ngecur në fyt, atij besimtarët i drejtohen me lutje si mbrojtës nga të këqijat e asaj pjese të trupit. Lidhur me këtë ka lindur riti i "bekimit të fytit", me dy qirinj të kryqëzuar. Në shekullin e VIII, disa armenë i sollën reliktet e Shёn Vlashit në Maratea (Potenza) tё Italisё, ku nderohet si pajtor e mbrojtës qiellor dhe ku pёr nder tё tij ёshtё ngritur bazilikёn në Malin Shёn Vlashit (Monte San Biagio). 

Kisha katolike, pra, sot më 3 shkurt përkujton Shëna Vlashin, mrekullibërës, ipeshkëv i Sebastes, Pajtor qiellor i Raguzës, që kremtohet edhe në Sicili me Festën e bukëve, e jo më pak në krahinën e Kurbinit, sidomos në Laç ku, pikërisht nën Shenjtëroren e Shëna Ndout, ruhet edhe sot e kësaj dite shpella në të cilën thuhet se qe fshehur Shenjti gjatë persekutimeve fetare kundër të krishterëve nën Dioklecianin perandor. Aty edhe u kap e iu dorëzua gjyqit, si bari i të krishterëve dhe kundërshtar i Perandorit. Pas shumë mundimesh që iu bënë, me qëllim që ta shtrëngonin të mohonte fenë, iu pre koka, me urdhër të Agrikolaut, sundimtar i Capadocies, më 3 shkurt të vitit 316 pas Krishtit.

Është shkruar shumë për Shëna Vlashin e për vendlindjen e tij. Atë Shtjefën Gjeçovi e, pas tij, edhe studiues të tjerë, si Atë Vinçenc Malaj, kanë sjellë argumente për të vërtetuar se Shenjti nuk ka lindur në Armeni - siç besohet, por në Arbëni e se emri i vendlindjes është i shkruar gabim. Shumë të dhëna vërtetojnë se Shëna Vlashi, në mos ka lindur, sigurisht ka jetuar në trevat e Shqipërisë së sotme. 

Për nder të Shëna Vlashit janë ngritur një sërë Kishash kudo në botë, e edhe në Romë, ku në Kishën e Shenjtit në Campo di Marzo sot u kremtua festa liturgjike e tij. Kisha e toponime me emrin e Shëna Vlashit gjejmë edhe sot e kësaj dite në vise të ndryshme shqiptare, duke filluar nga shpella e Shëna Vlashit në Laç, tek Kisha e Sh’na Vlashit në Durrës, e emërtime të tjera. Shenjti është shumë i nderuar edhe në Kosovë e në Mal të Zi.

Kujtojmë se besimtarët i luten Shëna Vlashit, posaçërisht për shërimin nga sëmundjet e grykës, sepse, sipas traditës, ndërmjet shumë mrekullive që bëri, shëroi edhe një fëmijë të vogël, të cilit i kishte ngecur një halë në fyt, që po i merrte frymën.

Prandaj gjatë Meshëve të sotme, të gjithë të pranishmit ndër kremtime, bënë edhe bekimin me Kryqin nën fyt, me dy qirinj të lidhur në formë iksi e të bekuar për këtë rast, shoqëruar me lutjen: "Me ndërmjetësinë e Shëna Vlashit, Ipeshkëv e Martir, Zoti të ruajtët nga sëmundjet e grykës e nga çdo ligështi trupore e shpirtërore".

03 shkurt 2020, 12:00