Kërko

Vatican News
Colomba, Spirito Santo, interno Basilica di San Pietro in Vaticano Colomba, Spirito Santo, interno Basilica di San Pietro in Vaticano  (Vatican Media)

Më 13 shkurt, kalendari përkujton shenjtoret Foska e Maura, martire

Në historinë e martirizimit të tyre nuk ka të dhëna kronologjike, por hagjiografët e mëvonshëm, mendimi i të cilëve pasqyrohet edhe nga Martiriologu Romak, shkruajnë se shenjtoret u martirizuan gjatë persekutimit decian, duke hamendësuar se prefekti Kuinciani është konsulli i provincës së Sicilisë, nga i cili u martirizua edhe Shën Agia.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin, sot më 13 shkurt, Kisha përkujtoi shenjtoret Foska e Maura, martire. Nga historia e martirizimit të këtyre dy shenjtoreve, mësojmë se Foska, e lindur në një familje pagane në Ravenë të italisë, kur mbushi 15 vjeç ndjeu thirrjen  e Zotit për t’u kthyer në fenë e krishterë. Bisedoi për këtë me mëndeshën e saj, Maurën dhe shkuan së bashku tek prifti Ermolao, që e përgatiti vajzën dhe e pagëzoi.

I jati, Siroi, u mundua më kot ta rikthente në fenë e të parëve. Foska u padit menjëherë tek prefekti Kuinziani, por ushtarët që shkuan ta kapnin, nuk ia dolën manesh, sepse mbrohej nga një engjëll. Atëherë Foska dhe Maura u paraqiten vullnetarisht para Kuincianit, që urdhëroi t’i nxirrnin para gjyqit, t’i torturonin mizorisht e pastaj, më 13 shkurt, t’ua prisnin kokat.

Kokat e prera, të flakura në det, u rrëmbyen nga detarët dhe u mbartën në Tripolitani, ku u varrosën në shpellat pranë Sabrathës (Sakratha e sotme). Shumë vjet më vonë, pasi zona u pushtua nga arabët, një i krishterë me emrin Vitale, i shtyrë nga frymëzimi hyjnor, i solli përsëri reliket e shenjtoreve Foska e Maura në Itali, në ishullin Torçelo të lagunës venete, ku për nder të dy martireve u ndërtua një kishë.

Në historinë e martirizimit të tyre nuk ka të dhëna kronologjike, por hagjiografët e mëvonshëm, mendimi i të cilëve pasqyrohet edhe nga Martiriologu Romak, shkruajnë se shenjtoret u martirizuan gjatë persekutimit decian, duke hamendësuar se prefekti Kuinciani është konsulli i provincës së Sicilisë, nga i cili u martirizua edhe Shën Agia. Fakti se reliket erdhën në Torçelo nga Afrika konfirmohet edhe nga dy emrat, Foska e Maura, emra vajzash afrikane.

13 shkurt 2020, 16:43