Të meditojmë me Ungjillin e së dielës III të vitit liturgjik 'A'
R. SH. - Vatikan
Në Ungjillin e Mateut, të dielës së III të kohës së zakonshme a gjatë vitit kishtar, tregohet se Jezusi shkoi në Kafarnaum, që të përmbushej ç’kishte thënë profeti Isaia. Ja pjesa ungjillore, marrë nga kapitulli 4,12-17:
“13 [Jezusi] e la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar…, 14 që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet:…16 ‘populli që gjendej në errësirë, pa një dritë të madhe…’ 18 Ndërsa Jezusi po ecte përngjat Detit të Galilesë, pa dy vëllezër - Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. 19 E u tha: ‘Ejani mbas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!’ 20 Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij. 21 Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, …dhe i thirri. 22 Ata, aty për aty, lanë lundrën dhe babën e shkuan pas tij. 23 Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo pamundësi”.
Të lutemi së bashku:
O Zot, Jezu Krisht, erdhi çasti
për të përmbushur misionin,
që ta besoi Ati Qiellor.
Ti pra, kërkon bashkëpunëtorë
që ndajnë me ty lodhjen
e një detyre të jashtëzakonshme e vendimtare.
Por, nuk shkon t’i kërkosh
ndër njerëzit e mësuar të Ligjit,
as ndër pinjojtë e familjeve fisnike
e as ndër njerëzit e veprimit
të mësuar të komandojnë e të tregojnë muskujt.
Peshkatarëve u drejtohesh:
njerëz, që e njohin mirë
liqenin dhe rrymat e tij,
njerëz që marrin vesh
nga barkat e nga erërat,
nga peshqit e nga rrjetat.
Asgjë s’i bën të aftë
për përgjegjësinë, që do t’u japësh,
ka rëndësi vetëm besimi
që do të kenë në Ty e në Fjalën Tënde,
gatishmëria që Ti t’i ndryshosh,
t’i shndërrosh nga thellësitë e zemrës
deri sa të bëhen peshkatarë njerëzish.
Po, po! Do t’i nxjerrin njerëzit
nga ujrat e pabesa, ku
ka rrezik të mbyten,
do t’i shkëpusin nga vorbulla e vdekjes,
nga forcat e errta, që zhysin në llum
e fshijnë çdo liri.
Me forcën e Ungjillit
do t’i bëjnë ata, që besojnë në Ty,
të provojnë gëzimin e shëlbimit.