battesimo-di-gesu-1.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e festës sё Pagëzimit tё Krishtit

Zoti, që u bë njeri, shkon të pagëzohet të shën Gjoni, pavarësisht se i lindur pa mëkat. Në pjesën ungjillore të sotme, marrë nga shën Mateu, në të dielën pas Epifanisë apo Dëftimit të Hyjit, Jezu Krishti na jep një mësim përvujtërie, por edhe na tregon se pas Pagëzimit, ashtu si i ndodhi Atij, edhe ne do të marrim Shpirtin Shenjt. Por ja pjesa ungjillore:

R.SH. - Vatikan

13 Atëherë erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. 14 Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: ‘Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?’ 15 Por Jezusi i përgjigji: ‘Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit’. Atëherë e lejoi. 16 Fill pas pagëzimit Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të. 17 Dhe, ja, një zë që vinte nga qielli, tha: ‘Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!’”.

Të lutemi së bashku:

Pikërisht atje, në valët e Jordanit,

ku ujët rrjedh e veshi i shkëmbit ushton,

filloi misioni yt, Jezus.

Me pendesë nisi, të njeriut pamëkat!

Të atij, që e njeh mirëfilli,

udhën si dredhat e gjarprit.

Pse ti, o Zot ishe, e je, njeriu i ri,

i ardhur për zemrat e reja.

Për tokë të re e qiell të ri!

Dhe pse kjo s’ishte aspak e letë!

E pra,  Ti u nise,

Ti që e dije ç’të priste:

një mal me vuajtje e me mundime,

për Ty e kë të ecte përkrah...

Po në Ty ish Shpirti Shenjt!

Në fjalët e tua,

erëmira e tokës së re,

ku  bëhet krejt e mundur,

çka duket e pamundur.

Me fjalët Tua të thjeshta

fjalë të përditshme,

shndërruar nga mirësia,

e mëshira jote në mrekulli,

Ti  plagët  na i shëron.

dëshpërimin e bën shpresë!

Shëron, Ti, që në zemër,

ke sigurinë e cila  nuk t’ mungoi

as në orën më të errët:

Ti, që kurrë dashuria e Atit

nuk të braktisi,

e pate përherë pranë...

Dhe kur t’u duk se

mbete peng

ndër kthetra të zeza të vdekjes.

 Edhe kur nuk të shpëtoi,

fishkëllimave të kamxhikut!

Po Ai ishte aty

Gjithnjë pranë teje...

Jordani më vëren

me synin e plakut mijëvjeçar,

e brigjeve të tij

gjej gjurmët e Tua në Pagëzim

 e pres të dëgjoj nga lart

 zërin që më thotë:

 “Je Biri im i dashur”.

Besimi në Ty, o Zot,

e vetmja shtyllë guri

që u bën ballë

shigjetave të akullta të vdekjes!

11 janar 2020, 15:59