Mbretërit Dijetarë për udhë drejt Betlehemit Mbretërit Dijetarë për udhë drejt Betlehemit 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës II pas Krishtlindjes

“Fjala u bë njeri e erdhi të banojë ndër ne”. Kështu thotë Ungjilli i shën Gjonit në këtë të dielë II pas Krishtlindjes, prag i festës së Dëftimit të Zotit, gjatë së cilës kujtojmë ardhjen e Mbretërve Dijetarë për të adhuruar Foshnjën Hyjnore, lindur në Betlehem. Por, ja pjesa ungjillore:

R.SH. - Vatikan

1 Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. 2 Kjo ishte në fillim në Hyjin. 3 Prej Saj u bë çdo gjë… E çdo gjë që u bë, 4 e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; 5 e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi… 9 Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. 10 Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohu. 11 Erdhi ndër të vetët e të tijtë nuk e pranuan. 12 Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. 13 Këta s’i bëri bij të Hyjit as gjaku, as prirja e mishit, as prirja e njeriut, por – Hyji”.

Të lutemi së bashku:

E pamundura, e paimagjinueshmja,

befasuesja, e papritura, ndodhi.

Në pak fjalë, shprehet

ngjarja më e madhe e historisë:

Fjala u bë njeri.

 

Edhe një herë, o Zoti im,

na kape shah-mat,

hodhe në erë

përpjekjet tona mjerane

për t’i parashikuar planet e Tua.

Biri yt, Fjala e amshuar

me të cilën e thirre në jetë gjithësinë,

Fjala, që mban në vetvete

dashurinë dhe urtinë Tënde,

Fjala, që përshkoi historinë

e zgjoi profetët,

kjo Fjalë u bë njeri

dhe e ngriti tendën në mesin tonë.

 

Ky është gjithë misteri i Krishtlindjes:

çka dukej e papajtueshme,

përsosuria e Zotit

dhe kufizimet e gjendjes sonë njerëzore,

madhështia e Hyjit

dhe brishtësia jonë,

Fjala dhe mishi

u bashkuan në një vetje të vetme.

Në Të, në Birin tënd bërë njeri,

tani, kushdo mund të shohë fytyrën Tënde,

mund të kundrojë bukurinë Tënde,

mund të provojë dashurinë Tënde.

Në Të, në Birin tënd të mishëruar,

Ti, o Hyj, bëhesh përgjithmonë

“Zoti me ne”.

04 janar 2020, 08:28