Të meditojmë me Ungjillin e së dielës II pas Krishtlindjes
R.SH. - Vatikan
“1 Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. 2 Kjo ishte në fillim në Hyjin. 3 Prej Saj u bë çdo gjë… E çdo gjë që u bë, 4 e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; 5 e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi… 9 Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. 10 Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohu. 11 Erdhi ndër të vetët e të tijtë nuk e pranuan. 12 Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. 13 Këta s’i bëri bij të Hyjit as gjaku, as prirja e mishit, as prirja e njeriut, por – Hyji”.
Të lutemi së bashku:
E pamundura, e paimagjinueshmja,
befasuesja, e papritura, ndodhi.
Në pak fjalë, shprehet
ngjarja më e madhe e historisë:
Fjala u bë njeri.
Edhe një herë, o Zoti im,
na kape shah-mat,
hodhe në erë
përpjekjet tona mjerane
për t’i parashikuar planet e Tua.
Biri yt, Fjala e amshuar
me të cilën e thirre në jetë gjithësinë,
Fjala, që mban në vetvete
dashurinë dhe urtinë Tënde,
Fjala, që përshkoi historinë
e zgjoi profetët,
kjo Fjalë u bë njeri
dhe e ngriti tendën në mesin tonë.
Ky është gjithë misteri i Krishtlindjes:
çka dukej e papajtueshme,
përsosuria e Zotit
dhe kufizimet e gjendjes sonë njerëzore,
madhështia e Hyjit
dhe brishtësia jonë,
Fjala dhe mishi
u bashkuan në një vetje të vetme.
Në Të, në Birin tënd bërë njeri,
tani, kushdo mund të shohë fytyrën Tënde,
mund të kundrojë bukurinë Tënde,
mund të provojë dashurinë Tënde.
Në Të, në Birin tënd të mishëruar,
Ti, o Hyj, bëhesh përgjithmonë
“Zoti me ne”.