Patriku i Moskës Kirill Patriku i Moskës Kirill 

Ta lëmë Zotin të hyjë në jetën tonë. Mesazhi i Krishtlindjes i Patrikut të Moskës

Në një artikull të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano” botohet mesazhi i Patrikut të Moskës dhe gjithë Rusive, Kirill, me rastin e Krishtlindjes ortodokse, që edhe Kishat katolike lindore e kremtuan dje. Gjithë të krishterëve u drejtohet ftesa për ta fuqizuar bashkimin rreth Kryqit!

R. SH. - Vatikan

“Zoti nuk lindi në ndonjë pallat mbretëror, por në një shpellë të përvuajtur, në varfëri të plotë. Ç’strehë mund të jetë më e mjerë se një stallë? Më varfanjake, se një grazhd kafshësh? Gjithsesi, është një vend edhe më i keq: shkretëtira e zemrës njerëzore, e zhuritur nga mëkati, e huaj për Zotin,  e vakët në dashuri, e ndotur nga pasionet”. Në mesazhin e Krishtlindjes, Patriku i Moskës, Kirill, i fton besimtarët t’i lënë mënjanë egoizmin, tekat,  ambicjet vetjake e të kujtojnë se “ jemi në gjendje ta bëjmë shpirtin tonë tempull të Zotit e  se “Zoti është pranë, tashmë te porta, e pret me durim  ta shikojmë me sytë e fesë, ta lëmë të hyjë në jetën tonë, t’ia vëmë veshin fjalës  së Tij, t’i përgjigjemi me dashuri, duke e lejuar të veprojë lirisht në shpirtin tonë”.

“Nuk mund ta ndjejmë vetveten gurrë të së vërtetës - ngulmon Patriku Kirill - nëse bëhemi shkak shkandulli për të tjerët duke mos i vënë në jetë Urdhërimet e Zotit, nëse e bëjmë copë e grimë mantelin e Krishtit me veprat tona ambicioze, duke mbjellë grindje e sherre ndërmjet motrave e vëllezëve tanë në fe”.

Me këtë rast, Patriku bën thirrje për bashkim

“Përmes Korpit jetëdhënës të Krishtit - nënvizon - e gjakut të derdhur për ne, marrim pjesë në sakramentin e Eukaristisë, bashkohemi me korpin e Tij, ndajmë të njëjtin gjak me Shëlbuesin e me njëri-tjetrin. Prej këndej, jemi të thirrur ta kapërcejmë çdo mosmarrëveshje, çdo konflikt e të rivendosim paqen ndërmjet Kishave”.

 

08 janar 2020, 14:43