Kërko

Vatican News
2019.01.12 Battesimo di Gesù Cristo 2019.01.12 Battesimo di Gesù Cristo 

Shenjtorët e javës 12 – 19 janar

Festa e Pagëzimit të Zotit Jezu Krisht na ndihmon ta kërkojmë fytyrën e Hyjit jo në vështrimin e kupës së qiellit, as në studimet e filozofëve, mirëpo në vetë personin e Zotit që ka fyutyrën e Jezusit. Kisha na fton ta përkujtojmë edhe ditën e Pagëzimit tonë e ta jetojmë në jetën e përditshme. Në Ungjillin e së dielës, Gjon Pagëzuesi e njeh dhe dëfton Jezu Krishtin si “Qengjin e Hyjit, si atë që heq mëkatin e botës”.

R.SH. - Vatikan

E diel, 12 janar, Kisha katolike romake kremton Pagëzimin e Jezu Krishtit në lumin Jordan. Gjithnjë më 12 janar, kalendari përkujton edhe shën shën Arkadin, shën Cezaren, shën Ernestin dhe shën Andon M. Puçin

Pagëzimi i Krishtit është dëftimi i misionit të tij në botë. Ati Qiellor shpall dashurinë e Tij për Të. Shpirti i Shenjtë e shndrit me dritën e vet. Jezusi “i zhytur” në ujë nga shën Gjon Pagëzuesi, me vdekjen dhe ngjalljen e tij, do të na “zhysë” edhe ne në jetën e amshuar. Festa e Pagëzimit të Zotit Jezu Krisht na ndihmon ta kërkojmë fytyrën e Hyjit jo në vështrimin e kupës së qiellit, as në studimet e filozofëve, mirëpo në vetë personin e Zotit që ka fytyrën e Jezusit. Kisha na fton ta përkujtojmë edhe ditën e Pagëzimit tonë e ta jetojmë në jetën e përditshme. Në Ungjillin e së dielës, Gjon Pagëzuesi e njeh dhe dëfton Jezu Krishtin si “Qengjin e Hyjit, si atë që heq mëkatin e botës”. Misioni i Jezu Krishtit nuk është vetëm ai i të qenurit shërbëtor i Hyjit, i të qenurit zëdhënës i Fjalës dhe i vullnetit të Hyjit për njerëzimin, por sidomos “bartës i shpëtimit në të gjitha skajet e tokës”.

Tё hёnёn më 13 janar përkujtohet shën Hilari nga Puatje. U lind në Puatje (Poitiers, Francë), rreth vitit 315, nga një familje pagane. Jetoi duke kërkuar kuptimin e jetës, në fillim në doktrinat neoplatonike, pastaj – pas leximit të Biblës – në krishterim. Fisnik e i pasur me toka, i martuar e me një vajzë, pak pas pagëzimit u shpall ipeshkëv i Puatjesë. Me veprat e veta, sidomos me traktatin “De Trinitate” (Mbi Trininë), luftoi kundër herezisë ariane. Qe dëbuar nga selia ipeshkvore dhe, gjatë asaj periudhe, iu kushtua studimit. Kur u kthye në dioqezë, bashkëpunoi me ipeshkvin e ardhshëm të Turit (Tours), Shën Martinin. Vdiq në vitin 367. Piu IX e shpalli Doktor të Kishës.

Tё martёn më 14 janar përkujtohen shenjtërit martirë të Malit Sinai e të Egjiptit. Shumë murgj të shenjtë u vranë për shkak të fesë në Malin Sinai dhe në Egjipt. Disa nga emrat e tyre i dimë nga tradita gojore, por nuk gjenden në librin e martirëve, prandaj sot përkujtohen në grup.

Tё mёrkurёn më 15 janar përkujtohet Arnold Janssen, prift dhe mësues gjerman. Në vitin 1873 nisi veprimtarinë e apostullimit misionar, fillimisht duke hapur një të përmuajshme, “Lajmëtari i vogël i zemrës së shenjtë të Jezusit”, pastaj, në vitin 1875, themeloi Shoqërinë e Fjalës së Mishëruar (Verbitët). Shtëpia amë e Urdhrit u vendos në Steyl të Holandës, për shkak të përndjekjeve antikatolike bismarkiane në Gjermani. Misioni i parë u hap në Kinën jugore, por shumë shpejt verbitët u përhapën në të gjitha kontinentet. Arnold Janssen u shpall shenjt më 5 tetor 2003.

Tё enjten më 16 janar përkujtohen Berardi, Oktoni, Pjetri, Akursi e Adiuti, misionarët e parë të dërguar nga Shën Françesku i Asizit në trojet saracene. Me të mbërritur në Spanjë, përçmuan çdo rrezik dhe filluan të predikonin fenë e Krishtit nëpër xhamitë e atjeshme. Pasi i kapën, i paraqitën para Sulltanit, i çuan në Marok me urdhrin për të mos e kumtuar më emrin e Krishtit, por ata vijuan ta shpallin Ungjillin me guxim të madh. Për këtë arsye, i torturuan pa mëshirë dhe, më 16 janar 1220, u prenë kokën me urdhër të princit të Murëve. Pasi mori vesh lajmin e martirizimit të lavdishëm, Shën Françesku thërriti: “Tani mund të them me siguri se kam pesë Fretër të Vegjël”. U shpallën shenjtorë nga papa françeskan Siksti IV në 1481-shin.

Të premten mё 17 janar përkujtohet Shën Antoni abat. Është njëri ndër heremitët më të ndritur të historisë së Kishës. U lind në Koma të Egjiptit rreth vitit 250 dhe në moshën njëzetvjeçare braktisi gjithçka, për të jetuar fillimisht në një rrah të shkretë e pastaj pranë brigjeve të Detit të Kuq, ku çoi një jetë anakorete (vetmitare, larg botës) për më shumë se 80 vjet. Vdiq, pasi i kishte mbushur të njëqindtat, në vitin 356. Që kur qe gjallë, rendnin tek ai shtegtarë e nevojtarë nga gjithë Lindja, të tërhequr nga fama e shenjtërisë së tij. Edhe Kostantini dhe bijtë e tij i kërkuan këshilla. Shën Atanasi, nxënës i Shën Antonit, ka lënë një jetëshkrim të këtij shenjtori, me të cilin ka ndikuar që të njihej e të bëhej shembull për të gjithë Kishën. U largua nga vendbanimi i tij i vetmuar vetëm dy herë: njërën herë për të ngushëlluar të krishterët e Aleksandrisë, të përndjekur nga Maksimin Daia dhe herën tjetër për t’u bërë thirrje t’i qëndronin besnikë Koncilit të Nikesë.

Të  shtunёn mё 18 janar përkujtohet Shën Margarita e Hungarisë. U lind në vitin 1242, ndoshta në kështjellën e Turoçit, nga Bela IV, mbret i Hungarisë, dhe nga mbretëresha Maria, me prejardhje bizantine. Në vitin 1242 e çuan në manastirin e Domenikaneve të Shën Marisë, në Ishullin e Lepujve, në Danub, afër Budës, të cilin e kishte themeluar i ati. Këtu merr kushtet në vitin 1254 dhe velin rregulltar në vitin 1261. Margarita dëgjonte vazhdimisht Shkrimin e Shenjtë dhe ndiqte udhëzimet shpirtërore të rrëfyesit të saj, rregulltar domenikan me emrin Marçel, që kishte qenë provincial i Hungarisë. Qe njëra ndër mistiket më të mëdha të mesjetës në Hungari. Vdiq më 18 janar 1270 në kuvendin e Ishullit të Lepujve. Varri i saj u kthye shpejt në vend shtegtimi. Procesi i shenjtërimit filloi në 1271-shin dhe përfundoi në 1943-shin.

Tё dielёn e ardhshme më 19 janar është e diel, Kisha katolike do tё kremtojё tё Dielёn e Dytё gjatё vitit kishtar, sipas kalendarit liturgjik. Gjithnjё mё 19 janar, kalendari pёrkujton shёn Gjermanikun, martir i Filadelfies, Shën Gjonin, ipeshkëv i Ravenës, Shenjtorët Mario, Marta, Audifaci e Abaku martirë.

12 janar 2020, 09:24