Kërko

Sëmundja e shpikur shpëtoi dhjetra hebrenj

Rreth 40 hebrenj romakë shpëtuan nga përndjekja e nazistëve, falë “sëmundjes K”. Një shpikje e mjekëve të Spitalit Fatebenefratelli, që i mbajti larg SS-ët, nga frika se mund t’u ngjitej.

R. SH. - Vatikan

Ishte fryt i fantazisë “krijuese”, që u dha mundësi mjekëve të shpëtonin shumë jetë njerëzore nga tërbimi i nazi-fashistëve. Në Spitalin e Kongregatës katolike  Fatebenefratelli” (Bënimirëvëllezër), në ishullin Tiberin, pak hapa larg getos së Romës, në kulmin e terrorit, u përhap papritmas një sëmundje ngjitëse, vdekjeprurëse, që i tmerroi edhe kriminelët më të egër të Gestapos. Në të vërtetë ishte sajesë e fantazisë krijuese të mjekëve, që e quajtën “morbo K”. Kjo shpikje i dha fund tmerrit të inspektimeve të shpesha, e i hapi pa frikë dyert e spitalit, për të strehuar të përndjekurit. Ndërmjet 16 tetorit 1943 e 4 qershorit 1944, në spitalin e atyre, që dinin të bënin vetëm mirë, u shtruan rreth 40 hebrenj - saktëson Claudio Procaccia, Drejtor i departamentit “Kultura dhe Bashkësia Hebraike  e Romës”.

Shpëtimi  

Spitali i Fatebenefratelli qe shpëtimi i shumëkujt”- shton Gabriele Sonnino, ardhur aty me familjen, që ishte strehuar në një barakë periferike të zonës së Maglianës. Ndonëse askohe ishte vetëm 4 vjeç, Sonnino e kujton këtë përvojë, si ta kishte jetuar dje. Ndenja aty 30 ditë – rrëfen - duke fjetur disa herë ndërmjet të sëmurëve me sëmundje të vërteta, jo të sajuara.

Bashkëpunim i rrezikshëm

Ishte nismë shumë e shqetë, e realizuar pa pyetur për rrezikun e tmerrshëm që varej mbi kokën e mjekëve e të sëmurëve “të shëndoshë”. E sidomos,  të të parit të rregulltarëve Fatebenefratelli, polakut Fra Maurizio Bialek. Duhet kujtuar, prandaj, ky humanizëm i bashkëpunëtorëve të spitalit e të njerëzve përreth…

Zemra romake

Përballë mjerimit të fëmijëve e pleqve, romakët i hapën jo vetëm dyert, por edhe e kryesisht zemrat. I strehuan ku e si mundën hebrenjtë, duke e ditur mirëfilli se mund t’i priste kampi i përqendrimit dhe vdekja e llahtarshme, që nuk kursente askënd edhe në Qytetin e Amshuar. Kështu populli i Romës shpëtoi 80% të hebrenjve, me rrezikun e kokës. Duke u tmerruar nga nisma e këtij shpëtimi, por edhe duke i tmerruar nazistët, që silleshin rreth spitalit e synonin të mbillnin vdekjen e të tjerëve. Donin të  vrisnin, po jo të vriteshin.  Edhe ata kishin frikë nga vdekja….

25 janar 2020, 18:07