Kërko

Vatican News
 Imzot Pierbattista Pizzaballa u uron besimtarëve Vitin e Ri 2020 Imzot Pierbattista Pizzaballa u uron besimtarëve Vitin e Ri 2020  (AFP or licensors)

Pizzaballa: Kisha në Tokën Shenjte mund të bëhet burim i paqes

Në homelinë e Vitit të Ri, kryeipeshkvi i Jeruzalemit, Pierbattista Pizzaballa, fton për ta kumtuar “me jetë, por edhe me fjalë” Ungjillin e drejtësisë e të paqes, që iu dorëzua Kishës.

R. SH. - Vatikan

Jo reflektim mbi Fjalën e shpallur të Zotit, por mbi domethënien e Ditës Botërore të paqes e mbi mesazhin e Papës Françesku, përhapur me këtë rast në mbarë botën. Pra, një përjashtim nga rregulla - siç shpjegoi në fillim të homelisë për Meshën e Vitit të Ri,  imzot Pierbattista Pizzaballa- gjë që i krijoi administratorit apostolik të Patriarkatit latin të Jeruzalemit rastin për t’i përsëritur disa herë fjalët paqe e dialog, në një nga kontekstet  ndërkombëtare më të tronditura.”Mesazhi që Ati i Shenjtë na dorëzoi këtë vit, për ne është tejet domethënës - kujtoi - Flet për paqen, parë si gurrë shprese: për dialogun, pajtimin e kthesën ekologjike. Ndershmërisht, duhet të pranojmë se janë fjalë, që nuk dëgjohen aq shpesh në jetën tonë, në Tokën tonë Shenjte. Duket se këtu prej shumë kohe nuk bëhet fjalë për dialog të mirëfilltë, përveçse në institucionet e vogla e të parëndësishme, por jo ndërmjet autoriteteve, politike a fetare qofshin, e aq më pak, në nivel të përgjithshëm. Fjala “pajtim”, këtu tek ne është shndërruar gati-gati në fjalë tabu!

Udha e shpresës

Pavarësisht nga fakti që fjalët dialog, pajtim e kthesë ekologjike janë teper të largëta në të përditshmen e Tokës Shenjte, imzot Pizzaballa  e shikon pikërisht tek udha e shpresës, thirrjen e Kishës:

“Atëhere, jemi pa pikë shprese? Sigurisht jo! Pjesa e parë e titullit të mesazhit flet pikërisht për udhën e shpresës’. Mund të themi, atëhere, se duam  të shkelim pikërisht në udhën e shpresës, që është thirrje tipike për Kishën e që duhet të na sjellë paqen”.

Dita botërore e paqes 2020: udhë shprese

Duke mos mundur të flasë për gjithë dokumentin, administatori apostolik përqendrohet mbi një nga temat e mesazhit të Papës Françesku: mbi dialogun. Fjalë që, për shumëkënd është bërë “e bezdisshme”, ndoshta sepse shikojmë vazhdimisht në realitet, pikërisht "të kundërtën e asaj, që vijojmë ta përsërism pa fund”. Gjithsesi, “dialogu është kusht i domosdoshëm për çdo perspektivë paqeje”:

“Paqja është njëkohësisht, fryt i dialogut, por edhe parakusht i tij: dialogu i vëretë dhe i sinqertë sjell paqen në marrëdhëniet: njëkohësisht, për të dialoguar seriozisht, duhet të kesh dëshirë për paqen dhe takimin”.

Nga Pali VI, deri më sot

50 vjet pas Koncilit II të Vatikanit dhe enciklikës “Ecclesiam suam”, që e shikuan dialogun si bosht kryesor të kumtimit të Kishës, duhet t’i bëjmë llogaritë - vijon imzot Pizzaballa - me të gjitha dështimet, që na nxisin  ta shikojmë këtë temë me zhgënjime shumë më të mëdha, në krahasim me Papën Shenjt Pali VI. Jo vetëm në këndvështrimin e përgjithshëm, që na kujton se janë shtuar konfliktet, përçarjet shoqërore e, në gjirin e familjeve, nostalgjitë identitare dhe përceptimet e feve “si faktorë që i kundërvihen bashkëjetesës e nxisin dhunën”, por edhe në këndvështrimin lokal. Shpjegon administratori apostolik:

“Në rrethanat tona lokale duhet t’i bëjmë llogaritë me dështimet e shumë bisedimeve mbi marrëveshjet e mundshme ndërmjet izraelitëve e palestinezëve e edhe me dhunën e vazhdueshme. Duhet të kujtojmë  mosbesimin e përgjithshëm për perspektivat e mundshme, për dëshirën e paqes e për dialogun, që këtu është tejt larg nga jeta jonë e përditshme”.

Jo, dorëzimit

Por jo gjithçka është e humbur; e, të dorëzohesh, do të ishte mungesë e pafalshme feje:

“Feja është dialog me Zotin, takim me Të. Mos ta gënjejmë veten: nëse nuk dimë të dialogojmë ndërmjet nesh, nuk dimë ta bëjmë këtë as me Zotin. E si mund ta jetojmë dialogun me Zotin, kur nuk jemi në gjendje të dialogojmë me njeriun? Besimtari duhet të jetë i aftë për sintezë në shpirtin e tij, duhet ta bëjë një gjë të vetme atë, që beson e atë, që jeton. Nuk është e lehtë, por pa të nuk mund të ketë jetë feje!”.

E, në përfundim, imzot Pizzaballa  theksoi  se  mbarë bashkësia  kishtare e Tokës Shenjte duhet të jetë “dëshmitare e dëshirës për dialog” e ta bëjë botën ta dëgjojë, në dhimbjen e saj, t’i shmangë kompromiset e lehta, të rrijë larg tundimit të ikjes e të dorëzimit e sidomos, të lutet, “sepse kjo është e vetmja mënyrë për të qenë, si Kishë, ndërmjet njerëzve e Zotit”:

“Atij që e pyeste për arsyen e dhunës së verbër e arbitare të kohës së Tij, Zoti i gjegji duke e ftuar të bëjë kthesë, sepse në çdo situatë në të cilën jetojmë,  tingëllon fuqishëm thirrja e Zotit për jetën tonë!”.

03 janar 2020, 15:19