Një takim ndëmjet primatëve të Kishës Ortodokse, Bartolomeu I, Kirill Një takim ndëmjet primatëve të Kishës Ortodokse, Bartolomeu I, Kirill 

Patriarku ekumenik Bartolomeu takon kryeministrin maqedonas

Patriarkati Ekumenik i Kostandinopojës impenjohet për të zgjidhur problemet ndërmjet Kishës ortodokse maqedonase dhe Patriarkatit serb. Patriarku Bartolomeu takohet me kryeministrin e Shkupit.

R.SH. - Vatikan

“Gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme për Kishën Ortodokse Serbe dhe për përfaqësuesit e Maqedonisë”: ky është synimi i impenjimit të Patriarkut Ekumenik Bartolomeu, i cili dëshiron të jetë ndërmjetësues për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë të Kishës Ortodokse Serbe me Kishën Maqedonase. Kjo e fundit kërkon autonominë kishtare nga Beogradi.

 “Më 13 janar, kryeministri i përkohshëm i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, i shoqëruar nga paraardhësi i tij, Zoran Zaev, shkoi në selinë e Patriarkatit Ekumenik në Fanar të Stambollit, për të diskutuar mbi problemin kishtar në Maqedoninë e Veriut” – lexohet në një komunikatë të Patriarkatit Ekumenik të Kostandinopojës, që përmendet nga agjencia kishtare italiane Sir. Që nga viti 1967, vit në të cilin mitropolitët maqedonas vendosën njëanshëm të shkëputeshin nga Kisha e Beogradit, Kisha Ortodokse Maqedonase ka jetuar në izolim dhe skizëm. Për këtë arsye, Patriarku ekumenik Bartolomeu propozoi që “të ftojë në Fanar përfaqësuesit e Kishës Serbe dhe ata të Shkupit për bisedime të përbashkëta”. Gjatë takimit me kryeministrin maqedonas, kujtohet në komunikatën e Kostandinopojës, “u rishikuan fazat e mëparshme të problemit, si edhe dëshira e Kishës maqedonase për t’u kthyer në kuadrin e ligjeve kanonike, me emrin e Kryepeshkopatës së Ohrit” (emër me të cilën quhej një strukturë kishtare në ato treva deri më 1767).

Në komunikatë përmendet edhe Letra e vitit 2018, “me të cilën Kisha Maqedonase dhe autoritetet e Shkupit i kërkuan Patriarkatit të Kostandinopojës të njihte Kishën e tyre”. Sipas ekspertëve të ndryshëm, pas gjendjes së krijuar në Kishën Ortodokse të Ukrainës, brenda ortodoksisë do të ndeshen dy këndvështrime mbi shpalljen e autoqefalisë. A do të shpallet ajo nga Patriarkati i Kostandinopojës, si Kisha nënë e gjithë botës ortodokse, siç është qëndrimi i Bartolomeut, apo do të shpallet me një vendim, marrë nga të gjitha Kishat Ortodokse të mbledhura në një Sinod panortodoks, siç mendon Moska? Koha do ta tregojë.

15 janar 2020, 15:09