Kërko

Vatican News
 Udha francigjene Udha francigjene  (©Feel good studio - stock.adobe.com)

Më mirë gomarët, apo mjetet shoqërore…

Përvoja e shtegtimit të gjatë të një familjeje franceze, mbi dy gomarë, drejt Romës…

R. Sh. - Vatikan

Ndoshta ishin vetëm fëmijët që, para se të fillonte audienca, në pritje të takimit me Papën Françesku, nuk u morën me social apo me videolojëra në celular. E jo vetëm që nuk ua hodhën fare sytë, por nisën të  flasin me vendasit, për t’u njohur më nga afër. E nisën t’u tregojnë: “Jemi francezë,  erdhëm deri këtu në këmbë, me dy gomarë, nga Bordeaux. E na u desh të ecim për gjashtë muaj me radhë”. E këtë histori ia treguan edhe Papës Françesku Martini (6 vjeç) e Loup (4 vjeçe) -  me motrën e tyre Augustinë (2 vjeçe)!

Tregim i shoqëruar me të qeshura fëminore, duke harruar se ndokush mund t’i pyeste: “Pse erdhët në Romë në këmbë, shoqëruar me dy gomarë, duke u nisur në verë, për të mbërritur në dimër, kur mund të shtegtonit shumë më shpejt me makinë, me tren a me avion?”.

Përgjigjen e kësaj pyetjeje, natyrisht, e japin prindërit e fëmijëve, tepër të vegjël për këtë detyrë: Elise Marie Naturel e Nils Payelle. Janë të dy mjekë katolikë që, gjatë punës së tyre në spital e lidhin ngushtë profesionin me fenë e që deshën të nisin një “vit sabatik”, për ta kaluar gjithë kohën me fëmijët e tyre, duke provuar një përvojë të pashoqe, një shtegtim, që mund t’i hapë përpara rrugët e jetës. “Këtu nuk ka asgjë heroike - shpjegojnë - duhet bërë vetëm pak ekonomi, duke vënë ca para mënjanë për pushimet në hostele, famulli e strehë fare të lira për pushimet e rrugës.

Kështu familja përshkoi, pa ngut, Udhën e famshme Francigene “duke ecur mbi gjurmët e shtegtarëve, që shkelën mbi këtë udhë brezni pas breznie. E duke lënë pas histori mahnitëse. Të çliruar nga stresi i teknologjive dhe i zakoneve të detyrueshme e të kënaqur pa masë nga pushimet, një herë në mes të vapës së gushtit e më pas, të së ftohës së dhjetorit, nëpër diell e mjegull, breshër e shi “por, së bashku,  i kaluam të gjitha pengesat qetë-qetë”- tregojnë. Duke jetuar çaste të jashtëzakonshme, si Krishtlindja në Asizi, mysafirë të klariseve françeskane.

“Fëmijëve tanë u mësuam shkollën e rrugës”, bukurinë e jetës në shtegtim, aftësinë për të dëgjuar zërin e Zotit e të njeriut” – pohojnë Elise Marie e Nils. Në Sheshin e Shën Pjetrit - vijojnë gjithë entuziazëm - arritëm të premten, ditën e Shëna Ndout Abat, më 17 janar, në orën 11. 45, në kohën e duhur për të bekuar kafshët: një mënyrë, kjo, për t’i falënderuar gomarët, shokë të vërtetë udhe, që me përvujtërinë e tyre e aftësinë për të duruar lodhjen, u bënë për ne mësues jete”.

Po ju? Ç’mendoni për këtë vlerësim, jo pak të çuditshëm për ata, që nuk e lëshojnë as në gjumë celularin nga dora? Mëson më shumë nga gomari, në shtegtim nëpër udhët e botës, apo nga mjetet shoqërore?... Cila është përvojë më e pasur?  

Ishte një përvojë shtegtimi familjar “në dalje”, që Papës Françesku, pastaj, iu paraqit thjeshtë, pa fjalë të mëdha, duke e ditur se ka fort për zemër. E që i  begatoi pa masë lidhjet e familjes së thjeshtë franceze me njerëzit e me natyrën, soditur drejtpërdrejt, jo vetëm përmes ekranit të vogël, të akullt të celularit… Ju, si mendoni: më mirë gomari, apo mjetet shoqërore? Apo të dyja bashkë, kur të japin mësime jete, gjithnjë në “dalje”…

24 janar 2020, 15:28