Kërko

Krishtlindja Krishtlindja 

Liturgjia e Fjalës së Zotit, e diela 2-të pas Krishtlindjes

Ungjillit të kësaj së diele të Dytë pas Krishtlindjes, nga Gjoni, na flet, kështu, për Misterin e madh të fesë së krishterë, në një shprehje tejet të shkurtër “Fjala u bë njeri”. E kjo, për të thënë se shëlbimi, që solli Zoti i mishëruar në Jezusin e Nazaretit, e prek njeriun në realitetin e tij konkret e në çfarëdo lloj situate. Hyji pranoi të jetojë si njeri, për ta shëruar njeriun nga gjithçka e ndan prej Tij.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së II pas Krishtlindjes, të ciklit të dytë sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të pas Krishtlindjes

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele të Dytë pas Krishtlindjes ka në qendër të vëmendjes Hyrjen e Ungjillit të Shën Gjonit, që shpreh, në formë himni, Misterin e Mishërimit të Birit të Hyjit predikuar nga Apostujt, të cilët e panë me sytë e tyre zbritjen e Zotit ndër ne. E me fjalët e Shën Gjonit, na rikujton se: “ .. .Fjala u bë njeri, e banoi ndër ne. ..e... Prej plotësisë së Tij të gjithë morëm hire e mbi hire”.

Krishtlindja është dhuratë dashurie, që na mëson ç’do të thotë të japësh falas, pa kurrfarë interesi: ky është kuptimi i Mishërimit të Jezusit. Për këtë na flet Ungjilli i kësaj së diele nga Gjoni (1,1-18) duke na folur për ngjarjen fillestare të shëlbimit. Kisha na fton që si të krishterët ta rifitojmë mahnitjen përballë këtij misteri të pashembullt. Fragmenti i njohur i Ungjillit të Gjonit, pra, ndalet posaçërisht tek misteri i Hyjit, që zbriti nga qielli, për të hyrë në korpin tonë. Zoti u bë njeri si ne, me mish e gjak njerëzor. Mendoi si njeri. Deshi si njeri. Pati nënë, baba, miq.

E megjithatë, në festën e madhe të Krishtlindjes e të fundvitit, shpesh na tërheqin më shumë ngjyrat, ana e jashtme e së vërtetës, sesa zemra e madhe e risisë së krishterë, kumti, që na rikujton çdo vit se Zoti hyri në histori, domethënë, në kohën, hapësirën e, sidomos, në ligështinë njerëzore. Pikërisht këtë na kujton pjesa e Ungjillit të kësaj së diele të Dytë pas Krishtlindjes, nga Gjoni, duke përmbledhur, kështu, Misterin e madh të fesë së krishterë, në një shprehje tejet të shkurtër “Fjala u bë njeri”. E kjo, për të thënë se shëlbimi, që solli Zoti i mishëruar në Jezusin e Nazaretit, e prek njeriun në realitetin e tij konkret e në çfarëdo lloj situate. Hyji pranoi të jetojë si njeri, për ta shëruar njeriun nga gjithçka e ndan prej Tij, për t’i krijuar mundësinë ta quajë, në Birin e Tij të Parëlindur, me emrin ‘Abbà, Atë’, e për të qenë vërtet bir i Hyjit.

Duke medituar këtë fragment të jashtëzakonshëm ungjillor, nuk mund të mos flasim për mahnitjen, që e pushton njeriun para këtij misteri Hyjnor, duke ditur se në kohët tona ka nisur të zbehet e, prandaj, edhe duhet rifituar. Është vërtetë e rëndësishme ta rifitojmë mrekullimin përballë këtij misteri, të thithemi nga madhështia e kësaj ngjarjeje: Hyji, Hyji i vërtetë, krijuesi i të gjitha sendeve, përshkoi si njeri udhët tona, duke hyrë në kohën e njeriut, për t’i komunikuar vetë jetën e Tij. E këtë nuk e bëri me shkëlqimin e sovranit, që e nënshtron botën me pushtetin e vet, por me përvuajtërinë e një foshnjeje.

Ungjilli i Gjonit na flet për përmasat e jashtëzakonshme të mishërimit të Birit të Zotit, duke vënë në dukje disa aspekte të kësaj ngjarjeje të pashoqe. Mbi të gjitha, vlerën që ka dhurata. Duke përjashtuar dhuratat, që bëhen për forcë zakoni, dhurata shpreh dashuri, është shenjë dashamirësie e nderimi. Po Zoti shkoi shumë më përtej, u bë njeri si ne, për të na dhuruar natyrën e tij hyjnore. E duke bërë kështu, i dha një masë të re aktit të dhurimit.

Kush nuk arrin të dhurojë paksa nga vetvetja, dhuron gjithnjë tepër pak, madje, nganjëherë, përpiqet ta zëvendësojë zemrën dhe impenjimin e dhurimit, me para, me sende materiale. Misteri i Mishërimit të Emanuelit na tregon se Zoti nuk bëri kështu: nuk na dhuroi ndonjë gjë, por na bëri dhanti vetveten në Birin e Tij të vetëm – Jezu Krishtin. Ta gjejmë këtu modelin, kur duam të dhurojmë, që marrëdhëniet tona, posaçërisht ato më të rëndësishmet, të udhëhiqen nga dashuria pa kurrfarë interesi.

Ungjilli i kësaj së diele, pasi flet për dhurimin e plotë të vetvetes, na ofron edhe dy mendime tjera për ardhjen e Jezu Krishtit në botë. I pari i kushtohet faktit se, duke u bërë njeri si ne, Hyji e shpreh dashurinë hyjnore me një realizëm të paparë e të padëgjuar, sepse nuk kënaqet vetëm me fjalë, por hyn në historinë tonë. Kjo mënyrë e veprimit të Hyjit është nxitje e fuqishme. Na shtyn t’i bëjmë vetes pyetjen për fenë tonë, që nuk duhet kufizuar në sferën e ndjenjave, të emocioneve, por duhet të hyjë në konkretësinë e jetës sonë, duhet ta prekë jetën tonë të përditshme e ta orientojë edhe në mënyrë praktike.

Mendimi i dytë i kushtohet lidhjes së pazgjidhshme, të thellë, shpirtërore, ndërmjet faqeve të Biblës para dhe pas Mishërimit të Jezusit.  Besëlidhja e Vjetër dhe e Re duhen lexuar gjithnjë së bashku e, duke u nisur nga e Reja, kuptohet thellësisht edhe e Vjetra. Me Mishërimin e Birit të Hyjit, nis një krijim i ri, që i jep përgjigjen e plotë pyetjes ‘Kush është njeriu?’. Vetëm në Jezusin dëftohet plotësisht plani i Hyjit për qenien njerëzore: Ai është njeriu përfundimtar sipas Hyjit.

                                                      Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Sir 24, 1-4.12-16

Urtia e Zotit erdhi për të banuar në popullin e zgjedhur
Lexim prej Librit të Siracidit
Urtia lëvdon vetveten, në Hyjin e gjen nderin dhe do të mburret në mes të popullit të vet, në bashkim të Tejetlartit do ta çelë gojën dhe lëvdohet në praninë e tij: lartësohet në mes të popullit të vet, do të çmohet me nderim në mbledhjen e shenjtë, lavdi do të ketë në turmën e të zgjedhurve dhe në mes të bekuarve do të bekohet. Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë, Ai që më krijoi mua, paqe i dha banesës sime duke më thënë: “Ngule banesën në Jakobin e merre për pronë Izraelin dhe lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi”.
Qysh në fillim, para çdo kohe, kam qenë krijuar dhe s’do të mbaroj askurrë! Para tij kam shërbyer në Tendën e shenjtë e kështu kam ngulur banesën në Sion. Kështu më dha pushim në qytetin e dashur dhe pushtetin e kam në Jerusalem. Kështu u rrënjosa në një popull të ndershëm, në pjesën e Zotit, në trashëgimin e tij, dhe banimi im është në mesin e shenjtërve. Fjala e Zotit

Psalmi (147)
Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne
Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,
madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,
i bekoi bijtë e tu në ty!

Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne
Ai ua siguron kufijve të tu paqen,
ai të ushqen me palcën e grurit.
Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,
lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne
Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,
drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:
asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.
Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne

Leximi i dytë (Ef 1, 3-6.15-18)
Zoti na parashënoi që të jemi bij të tij në shpirt

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të Birit të vet të dashur.
Prandaj edhe unë, qysh se dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë kundrejt të gjithë shenjtërve, nuk pushoj të falënderohem për ju e t’ju kujtoj në urata të mia, që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër. Fjala e Zotit!

Aleluja!
Lavdi ty, o Krisht, i predikuar ndër paganë; lavdi ty, o Krisht, i besuar në botë.
Aleluja!

Ungjilli (Gjn 1, 1-18)
Fjala u bë njeri e banoi ndër ne

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi.
Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bijtë të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut, por Hyji. E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hire të vërtetë.
Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje’!” Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyrë me Atin, Ai bëri të njihet. Fjala e Zotit!

03 janar 2020, 16:04