Kërko

La chiamata dei primi discepoli di Gesu La chiamata dei primi discepoli di Gesu 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Predikimi i Jezusit fillon në Karfanaum, në Galile, në tokën e banuar, në pjesën më të madhe nga paganët, gjeografikisht periferike nga Jerusalemi e fetarisht e ‘papastër’ për përzierjen e atyre njerëzve që nuk i përkisnin Izraelit. Nga Galileja sigurisht që nuk priteshin gjëra të mëdha për historinë e shpëtimit. E pikërisht nga ky vend, nga periferia, përhapet drita e Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 3-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Me kёtё tё diele, tё kohës liturgjike gjatё vitit kishtar, fillon kumtimi dhe dёgjimi i Ungjillit sipas Mateut. E pjesa e Ungjillit të kёsaj së diele (Mt 4,12-23), na flet pёr fillimet e predikimit te Jezusit, duke vënë së bashku motivet e ndryshme: zgjedhjen e Galilesë si vendin fillestar të predikimit të Jezusit; shfaqjen e dritёs atyre që gjendesehin në errësirë e në krahinën e hijes së vdekjes; thirrjen për t’u konvertuar, sepse Mbretëria e qiejve është afër, si temë kjo dominante të predikimit të Jezusit; thirrjen e katër dishepujve të parë nga Jezusi, që përbëjnë qelizën origjinale të grupit të Dymbëdhjetëve, mbi të cilët është e themeluar dhe nga të cilët ka lindur Kisha.

Ungjilli nga Mateu (Mt 4,12-23) na tregon për fillimin e predikimit të Jezusit në Galile. E reja që solli mesazhi i Jezusit është se Hyji u bë i afërmi ynë e se mbretëron tashmë mes nesh. Këtë na kujton liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, në mënyrë të veçantë pjesa e Ungjillit nga Mateut ( 4, 12-23), e cila na flet për fillimin e misionit publik të Jezus Krishtit, e kumtin e Tij se Mbretëria e Hyjit u bë e afërt, madje tashmë erdhi mes nesh.

Pra, liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së tretë të kohës së zakonshme, gjatë vitit kishtar, përqendrohet tek fillimi i predikimit të Jezusit në Galile. Një vend periferik, por të cilit Izaia profet i pati parafolur një ardhmëri të lavdishme. Ky vend do të shihte një dritë të madhe, atë të Krishtit e të Ungjillit të Tij. Pikërisht termi ‘ungjill’ përdorej nga perandorët romakë për shpalljet e tyre. Por tani Lajmi i Mirë merr një kuptim rrënjësisht të ndryshëm.

Përdorimi i kësaj fjale në predikimin e Jezusit mori një kuptim fuqimisht kritik. Ishte një lloj si të thoshe: “Hyji, jo perandori, është Zoti i botës, e ungjilli i vërtetë, është ai i Jezu Krishtit”.
Pra, mund të themi se Lajmi i Mirë, i shpallur nga Jezusi, mund të përmblidhet kështu: Ai që mbretëron, është Hyji; Hyji është Zoti e mbretëria e tij është mes nesh, po bëhet realitet.
Kështu, e reja e lajmit të ri të Krishtit është se Hyji në Të u bë i afërt me njerëzimin, mbretëron tashmë mes nesh, siç e dëshmojnë mrekullitë dhe shërimet që kryen. Hyji mbretëron në botë përmes Birit të tij – Jezu Krishtit që u bë njeri e, me forcën e Shpirtit Shenjt, quhet ‘gishti i Hyjit.

Atje ku shkon Krishti, Shpirti krijues çon jetën e të gjithë njerëzit shërohen nga sëmundjet e korpit e të shpirtit. Sundimi i Hyjit shfaqet në shërimin e plotë të njeriut.
Me këtë Jezusi dëshiron të na tregojë fytyrën e vërtetë të Hyjit, të Hyjit që është afër, plot me mëshirë për çdo njeri; Hyjit që na dhuron jetë nga vetë jeta e tij. Mbretëria e Hyjit është jeta që ngadhënjen mbi vdekjen, drita e së vërtetës, që davarit errësirën e padijes e të gënjeshtrës.

                                                      Liturgjia e Fjalёs sё Zotit

Leximi i parë ( Is 8, 23: 9, 1-3)
Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Në kohën e kaluar e përbuzi tokën e Zabulonit e tokën e Neftaliut, por në kohën e fundit do ta bëjë të lavdishme udhën përgjatë detit, përtej Jordanit, Galilenë pagane. Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita. Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë. Sepse ti e thyeve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë, guzhmën  e krahut të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara. Fjala e Zotit!

Psalmi 27 (26)
Ref. Zoti është frita ime she shëlbimi im.

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
kë do të kem frikë?
Zoti më fsheh në tendën e vet
në ditë të vështirë,
________________

Për një gjë të vetme i lutem Zotit,
vetëm atë ia kërkoj
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit
të gjitha ditët e jetës sime,
që ta shijoj kënaqësinë e Zoti
e ta vërej shtëpinë e Zotit
________________

Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.
Shpreso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!

Leximi i dytë ( 1Kor 1,10-13.17)
Jini të gjithë një mendimi e mos të ketë përçarje ndër ju.

Lexim prej Letrës së parë të shën palit apostull drejtuar korintasve
Ju përbej, o vëllezër, pashë Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: jini të gjithë një mendimi e të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me ndjenja e në mendime. Sepse, o vëllezër, njerëzit e Klojes më lajmëruan se mes jush ka grindje.Ja, ku e kam fjalën: secili prej jush thotë: “Unë jam i Palit!” “Unë i Apolit!” “Unë i Kefës!” “Unë jam i Krishtit!”  Vallë, a qenka Krishti i ndarë? A mos u kryqëzua Pali për ju? Apo u pagëzuat në emër të Palit? Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit. Fjala e Zotit!

Aleluja!
Jezusi predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë.
Aleluja!

Ungjilli ( Mt 4, 12-23)
Erdhi në Kafarnaum që të shkonte në vend fjala e Isaisë profet.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit,  që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet: “Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit, në drejtim të detit, përtej Jordanit,  Galileja pagane,  populli që gjendej në errësirë, pa një dritë të madhe; atyre që banonin në krahinën e hijes së vdekjes u lindi drita.” Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!  Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër ‑ Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish! Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij. Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllëzër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri. Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij. Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë. Fjala e Zotit!

24 janar 2020, 16:33