Kërko

Presentazione al Tempio di Gesù Cristo, presentazione del Signore Presentazione al Tempio di Gesù Cristo, presentazione del Signore 

Liturgjia e Fjalёs sё Zotit nё festёn e Kushtimit tё Jezusit nё Tempull

Festa e paraqitjes së Zotit, kremtohet 40 ditë pas lindjes së Krishtit, kur Maria e Jozefi e çuan Jezusin në tempull, si për t’iu nënshtruar ligjit të Moisiut, ashtu edhe për të takuar popullin e tij besimtar e të ngazëllyer, si dritë që ndriçon njerëzit e lavdi e popullit të Izraelit”. Dëshmia e parë për kremtimin e festës vjen nga Jerusalemi i shekullit IV.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri nё takimin tonё javor me Fjalën e Zotit, kёsaj radhe do tё meditojmë leximet biblike tё festës sё Kushtimit tё Krishtit nё Tempull. Te te diel Kisha kremton, pra, festën e Paraqitjes të Zotit Jezu Krisht në Tempull nga Maria e Jozefi. E nё pёrkim me kёtё solemnitet Kisha katolike kremton edhe Ditën kushtuar Jetës Rregulltare.

Në festën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull kremtojmë një mister të jetës së Krishtit, që lidhet me urdhrin e ligjit të Moisiut që parashikonte që prindërit, 40 ditë pas lindjes të parëlindurit, të ngjiteshin në Tempull të Jerusalemit për të ofruar djalin e tyre Zotit dhe për pastrimin ritual të nënës (krh Es 13,1-2.11-16; Lv 12,1-8).

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Kushtimit të Zotit në Tempull

Liturgjia e kësaj feste, na çon në skenën biblike ku, të mbyllur brenda mureve të Tempullit, ku, dyzet ditë mbasi u lind, Jezusi u paraqit nga Maria e Jozefi para Hyjit në Tempullin e Jerusalemit, sikurse e kërkonte Ligji i Moisiut. Në atë kohë, edhe nëna e tij Maria bëri ritualin e pastrimit dhe ofroi flijimet, sikurse i kërkonte Ligji. Prandaj, dyzet ditë mbas Krishtlindjes Kisha kremton, më 2 Shkurt, Paraqitjen e Kushtimin e Zotit në Tempull (Ipapandinë). Pra, jemi përballë një misteri, të thjeshtë e solemn njëherësh, në të cilin Kisha shenjte kremton Krishtin, të Shuguruarin e Atit, të Parëlindurin e njerëzimit të ri.

Ungjilli Lukёs pikturon me fjalë tablonë e hyrjes së Krishtit Fëmijë në Tempullin solemn të Jeruzalemit, në mesin e një ecejakeje njerëzish, të gjithë të impenjuar: meshtarët e levitët me turnet e shërbimit, shtegtarët e besimtarët me dëshirën për të takuar Hyjin e Izraelit. Askush nuk vëren se ka pranë Mesinë, përveç Simeonit e Anës. Dy pleq, të shndritur nga Shpirti Shenjt, kundrojnë dritën e Zotit, që erdhi të ndriçojë botën. Simeoni dhe Ana e kuptojnë se është pikërisht ai Shëlbuesi i shumëpritur.

Festa e Paraqitjes së Zotit në Tempull na propozon tri reflektime. Së pari, vërejmë se ikona ungjillore e festës përmban simbolin themelor të dritës, e cila rrezatohet nga Jezusi te Maria e Jozefi dhe te Simeoni e Ana e, përmes tyre, te të gjithë. Së dyti, ikona ungjillore e Paraqitjes së Krishtit në Tempull, na vë përpara profecisë, dhuratë e Shpirtit Shenjt. Simeoni e Ana e parashohin fatin e Jezusit dhe e shpallin misterin e vdekjes e të Ngjalljes së Tij si shëlbim për të mbarё njerëzimin.  Sё treti Ungjilli na tërheq vëmendjen ndaj urtisë së Simeonit e të Anës, gjithnjë në kërkim të fytyrës së Zotit, të shenjave e të vullnetit të Tij.

Për festën e  Paraqitjes së Jezusit në Tempull, Meshari Romak pohon: “Kështu Jezusi, në mënyrë të dukshme, iu nënshtrua Ligjit, por në të vërtetë, ai erdhi në takim me popullin e vet besimtar. Të nxitur nga Shprtit Shenjt erdhën në tempull të lumët Simeoni e Ana, të cilët, të shndritur prej të njëjtit Shpirt, e kanë njohur Zotin dhe e kanë shpallur me gëzim. Kështu edhe ne, të bashkuar e të nxitur nga Shpirtit Shenjt, jemi të ftuar të shkojmë drejt shtëpisë së Hyjit në takim me Krishtin. Do ta gjejmë dhe do ta njohim në ndarjen e bukës duke pritur ardhjen e tij të lavidshme”. Kështu shkruan Meshari Romak për festën e sotme.

Pra, Pritja e Krishtit nga plaku Simeon dhe profetesha Ana (Luka 2:22-36) është ngjarja kryesore e festës së Paraqitjes së Krishtit në Tempull. I qe “zbuluar Simonit me anë të Shpirtit të Shenjtë, se nuk do ta shikonte vdekjen përpara se të shikonte Zotin Krisht” (Luka 2:26) dhe, i frymëzuar prej të njëjtit Shpirt, ai erdhi në Tempull, ku paraqiti Mesinë e porsalindur, e mori në krahët e tij dhe tha fjalët, që tani thuhen çdo ditë në shërbesën e Lutjeve të Mbrëmjes. “Tani, o Zot, lëshoje shërbëtorin tënd të vdes në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd, që Ti e përgatite në sy të të gjithë popujve. Dritën që bën të të njohin Ty paganët e që i jep nder popullit tënd, Izraelit”. (Luka 2:29-32).

Në këtë kohë, Simeoni parashikoi gjithashtu, që Jezusi do të jetë një “shenjë kundërshtimesh” dhe që Ai do të shkaktojë “rënien dhe ngritjen e shumë vetëve në Izrael”. Ai, gjithashtu parashikoi vuajtjet e Marisë për shkak të birit të saj (Luka 22: 34-35). Ana, gjithashtu ishte e pranishme dhe duke falënderuar Hyjin “ajo u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre, që prisnin shpërblimin në Jerusalem” (Luka 2:38).

Në  festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull, theksohet fakti që Krishti, Biri dhe Fjala e Hyjit, me anë të të cilit u krijua bota, tani po mbahet si fëmijë në duart e Simeonit; i njëjti Bir i Hyjit, Dhënësi i Ligjit, tani Ai vetë po përmbush Ligjin, i mbajtur në krahë si një foshnje. Kremtimi i Paraqitjes së Zotit, nga Kisha, nuk është thjesht një përkujtim historik. Të frymëzuar nga i njëjti Shpirt i Shenjtë Zot, si Simeoni dhe të udhëhequr po nga i njëjti Shpirt në Kishën e Mesisë, anëtarët e Kishës mund të kërkojnë “paraqitjen” e tyre te Zoti dhe, gjithashtu mund të dëshmojnë, se edhe ata mund “të lëshohen e të shkojnë në paqe”, meqenëse sytë e tyre panë shpëtimin e Zotit në personin e Krishtit. Paraqitja e Jezus Krishtit Zot në tempull, që mbyll kremtimet e kohës së Krishtlindjes me dhuratën e Virgjërës Mari e të Jozefit dhe me profecinë e Simeonit, i hap rrugën Pashkëve.

Festa e dritës (krh Lk 2,30-32), siç quhet me fjalë tjera, e ka zanafillën në Lindje, ku njihet me emrin ‘Ipapánte’, që domethënë ‘takim’. Në shekullin VI u shtri edhe në Perëndim, ku mori ngjyrime origjinale: në Romë, me karakter pendestar e në Gali, me bekimin solemn e procesionin me qirinj. Prej këndej populli i këtyre vendeve nisi ta quante festën ‘Kandelora’ - tek shqiptarët, ‘Zoja e Qirave’.

                                                      Liturgjia e Fjalёs sё Zotit                

Leximi i parë (Mal 3, 1-4): Papritmas do të vijë në Shenjtëroren e vet Zotëruesi, që ju e kërkoni!

Lexim prej Librit të Malakisё profet

Kështu thotë Zoti Hyj: “Ja, unë dua ta dërgoj të dërguarin tim. Ai do ta bëjë gati udhën para meje. Dhe papritmas do të vijë në Shenjtëroren e vet Zotëruesi, që ju e kërkoni, dhe Engjëlli i Besëlidhjes, që ju e dëshironi. Ja, ai po vjen!, - thotë Zoti i Ushtrive. Kush do t’i qëndrojë Ditës së ardhjes së tij? Kush do të mund t’i bëjë ballë kur Ai të dëftohet?! Ai është zjarr që shkrin, fi që lan! Do të ulet për të shkrirë e për të pastruar argjendin. Do t’i pastrojë bijtë e Levit dhe do t’i kullojë porsi arin e argjendin që të mund t’ia kushtojnë Zotit në drejtësi flitë. Atëherë do t’i pëlqejë Zotit flia e Judës dhe e Jerusalemit si në ditët e dikurshme, si në vitet e para. Fjala e Zotit

Psalmi 24 (23)

Ref. I MADH ËSHTË NË MESIN TONË, MBRETI LAVDISË

"Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj!

 Lartësohuni, o dyer të amshueshme,

që të hyjë Mbreti i lavdisë!"

 Kush është ky Mbreti i lavdisë?

Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi!

Zoti, Ngadhënjyes në luftë!

 Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj,

 lartësohuni, o dyer të amshueshme,

që të hyjë Mbreti i lavdisë!

 E kush është ky Mbreti i lavdisë?

Ai, Zoti i Ushtrive, ai vetë është Mbreti i lavdisë!"

 

Leximi i dytë (Heb 2, 14-18):U desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezër!

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, pasi fëmijët kanë të përbashkët gjakun e mishin, kështu edhe Ai u bë pjesëtarë në këtë gjë, në mënyrë që me anë të vdekjes ta shfuqizonte atë, që kishte në dorë pushtetin e vdekjes - d. m. th. djallin, për t’i çliruar ata që ishin të nënshtruar skllavërisë për tërë jetën prej frikës së vdekjes. Sepse Ai nuk u vjen në ndihmë engjëve, por u vjen në ndihmë pasardhësve të Abrahamit. Këndej u desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezër për të qenë Kryeprift i mëshirshëm dhe njëkohësisht besnik në ato gjëra që i përkasin Hyjit në mënyrë që t’i shpërblente mëkatet e popullit. Dhe, vërtet, pikërisht pse ai e sprovoi personalisht vuajtjen, është në gjendje t’i ndihmojë ata që janë në sprovë. Fjala e Zotit!

Aleluja!

Sytë e mi e pashë shëlbimin tënd: Dritën që bën të të njohin Ty paganët e që i jep nder popullit tënd, Izraelit. (Lk 2, 31-32)

Aleluja!

Ungjilli (Lk 2, 22-40): Sytë e mi e panë shëlbimin tënd.

Nga Ungjillit i shenjtë sipas Lukës

Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, e çuan në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, -  siç shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ – dhe për të dhënë flinë siç thuhet në Ligjin e Zotit; ‘një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’ Në Jerusalem asohere jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste Ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Temull.

Kur prindërit e sollën Jezusin Foshnjë për të kryer rregulloren e Ligjit mbi të, Simeoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha: “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe siç the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin  që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: Dritën që bën të të njohin Ty paganët e që i jep  nder popullit tënd, Izraelit”. Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të. Atëherë Simeoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. – (edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin) - që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt”.

Ishte asohere edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet  kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetekatër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me lutje. Pikërisht në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit.

Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret. Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti - dhe hiri i Hyjit ishte në të. Fjala e Zotit 

31 janar 2020, 21:11