Kërko

Materiali, dhënë sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit, për Kongresin me temë “Pasuria e viteve” Materiali, dhënë sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit, për Kongresin me temë “Pasuria e viteve” 

Kujdesi i Kishës për të moshuarit: në Augustinianum, Kongresi i parë ndërkombëtar

Nesër, në Qendrën Augustinianum të Romës, do të fillojë Kongresi i parë, që Selia e Shenjtë ua kushton të moshuarve. Tema e Takimit, i cili do të përfundojë më 31 janar, është “Pasuria e viteve” e synon të nxjerrë në pah kontributin që të moshuarit mund të japin akoma në jetën e Kishës dhe të shoqërisë.

R.SH. - Vatikan

“Vëmendja ndaj të moshuarve nuk është diçka sporadike e nuk u besohet vetëm njerëzve vullnetmirë, por është kulturë e përhapur në çdo nivel të jetës së Kishës”. Me këto fjalë e shpjegoi sot Vittorio Scelzo, i Këshillit Papnor për Laikët, Familjen dhe Jetën, synimin e Kongresit të parë, që Selia e Shenjtë ua kushton të moshuarve. Gjatë takimit me gazetarët, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u nënvizua se në kongresin, që do të fillojë nesër në Qendrën Augustinianum të Romës, për të vijuar deri më 31 janar, do të marrin pjesë 550 vetë nga 60 vende të ndryshme të botës. Tema: “Pasuria e viteve”.

Kundër “kulturës së hedhurinave”

Kongresi do të ndahet në tre sesione: në të parin, do të hidhet poshtë e ashtuquajtura “kulturë e hedhurinave”, njëra nga devijimet e shoqërisë së sotme, kritikuar ashpër nga Papa Françesku që në fillim të papnisë së tij. Nga ana tjetër, do të flitet edhe për mënyrën se si u qëndron Kisha pranë të moshuarve, duke treguar fytyrën e saj të mëshirshme e duke pasur parasysh edhe kuadrin shoqëroro-kulturor nga vjen secili prej tyre.

Përgjegjësia e familjes për të moshuarit

Pjesa e dytë e Kongresit do të përqendrohet mbi familjet dhe mbi përgjegjësitë e tyre ndaj gjyshërve e të moshuarve. “Kisha nuk mund të pranojë që të moshuarit të mbeten pa kontekstin e tyre familjar – shpjegoi Scelzo – e, aty ku ai mungon, e ndien për detyrë të bëhet ajo vetë familje për të gjithë ata, që jetojnë në vetmi”. Të moshuarit kanë nevojë për familje dhe familjet kanë nevojë për të moshuarit: ky është qëndrimi i Kishës Katolike.

Thirrja e të moshuarve në Kishë

Sesioni i fundit i Takimit të Romës do t’i kushtohet thirrjes së të moshuarve në Kishë, në një kohë kur përmirësimi i përgjithshëm i kushteve shëndetësore e ka zgjatur jetën e shumë njerëzve, të cilët janë të gatshëm t’i shërbejnë shoqërisë, edhe pasi dalin në pension. Shpesh, kjo gatishmëri nuk vlerësohet sa duhet jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga Kisha.

Pjesëmarrësit në Kongres

Punimet e Kongresit Ndërkombëtar të Baritorisë për të moshuarit do të hapen nesër, në orën 15.30, me një përshëndetje nga kardinali Kevin Farrell, prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën. Më pas, kryetari i Censis (Qendra italiane e Studimeve për Investime Shoqërore), Giuseppe De Rita, do të mbajë një relacion mbi “Moshën e jetëgjatësisë”. Kryetari i Bashkësisë së Shën Egjidit, Marco Impagliazzo, do të flasë, menjëherë pas, mbi “Të moshuarit, pasuri për Kishën”. Në orën 17.00, është në program një tryezë e rrumbullakët me temë “Kisha pranë të moshuarve”, në të cilën do të marrin pjesë kryeipeshkvi i Curitiba-s së Brazilit, imzot Antonio Peruzzo dhe, atë Moises Lucando nga Angola.

Photogallery

Paraqitja e Kongresit kushtuar të moshuarve
28 janar 2020, 14:53