Kërko

 Monastero Sant'Onofrio al Morrone - Celestino V Monastero Sant'Onofrio al Morrone - Celestino V 

Koha e zakonshme gjatë vitit në Kishë, si palestër shenjtërie

Shenjtëria, na mësojnë vetë shenjtorët, nuk është të bësh gjëra të jashtëzakonshme, por t’i bësh jashtëzakonisht mirë gjërat e zakonshme. Me përfundimin e festave të Krishtlindjes e Vitit të Ri, Kisha kthehet në kohën e zakonshme të vitit liturgjik, sipas kalendarit kishtar. Shpesh, Kisha vë në dukje, posaçërisht përmes kohëve liturgjike, se pikërisht në jetën e përditshme, atë pa shumë zhurmë e bujë, vendoset fati i shpirtit të njeriut.

R.SH. - Vatikan

Sot, me këtë të Diele të Dytës gjatë vitit kishtar, sipas kalendari liturgjik të Kishë, pas kohës së Ardhjes dhe të Krishtlindje, vazhdojmë me periudhën e kohës liturgjike të quajtur ‘gjatë viti’. Kisha, kështu, na fton ta jetojmë çdo ditë, javë, muaj e vit sikur të ishte një etapë e rrugës, që çon drejt shenjtërisë. Me përfundimin e festave të Krishtlindjes e Vitit të Ri, Kisha kthehet në kohën e zakonshme të vitit liturgjik, sipas kalendarit kishtar. Shpesh, Kisha vë në dukje, posaçërisht përmes kohëve liturgjike, se pikërisht në jetën e përditshme, atë pa shumë zhurmë e bujë, vendoset fati i shpirtit të njeriut.

Kisha jeton me çaste të mëdha shpirtërore e liturgjike. Përkujtuam lindjen e Jezu Krishtit, Dëftimin e tij para Mbretërve Dijetarë, Pagëzimin, Rrethprerjen e Tij, pastaj festuam edhe Vitin e Ri e Ditën Botërore të Paqes, me një mesazh të rëndësishëm të Papës Françesku, por me këtë të diel, tani, të krishterët e Kishës katolike të ritit latin, sipas kalendarit liturgjik, kthehen në jetën e përditshme, secili shkon sërish në punë pas pushimeve e vazhdon gjërat e zakonshme.

Por, vetëm në dukje, çdo gjë është “ e zakonshme”, pasi për të krishterin, normaliteti nuk do të thotë kurrë banalitet. Bukuria e kësaj kohe, të quajtur koha e zakonshme gjatë vitit kishtar siç shkruhet edhe në ‘Mesharin e sotëm Romak’ në gjuhën shqipe, na fton ta përjetojmë jetën tonë të përditshme si rrugë shenjtërimi, pra, si rrugë feje e miqësie me Jezusin, i cili zbulohet e rizbulohet vazhdimisht si Mësues e Zoti, Rruga, e Vërteta dhe Jeta e njeriut.

Kjo ‘kohë e zakonshme’, pra, nuk është bosh, pa kuptim dhe pa variacion. Nëse e kujtojmë çastin pas Pagëzimit të Jezusit në lumin Jordan, me dishepujt, që shkojnë pas Tij, duke e pyetur: “Mësues, ku banon?”, Jezusi u përgjigjet: “Ejani e do të shihni”, duke vënë në dukje se edhe në këtë ‘kohë të zakonshme’, fshihet diçka shumë e rëndësishme.

Fjala e Zotit na fton të rimarrim, në fillim të çdo viti të  ri të liturgjisë kishtare, udhën e fesë, që s’përfundon kurrë. “Mësues, ku banon?”, e pyesim edhe ne Jezusin e Ai na përgjigjet: “Ejani e do ta shihni”. Besimtari është në kërkim pa fund e zbulon gjithnjë gjëra të reja, sepse vërtet Krishti është po Ai dje, sot e përgjithmonë, por ne, bota, historia, nuk jemi kurrë po ata. Jezusi vjen të na takojë për të na dhuruar bashkimin me Të dhe plotësinë e jetës së vërtetë.

Ja pra, si shndërrohet jeta e përditshme në zemrën e atij që beson në Zotin. Shenjtëria, na mësojnë vetë shenjtorët, nuk është të bësh gjëra të jashtëzakonshme, por t’i bësh jashtëzakonisht mirë gjërat e zakonshme. Sigurisht, nuk është gjithmonë e lehtë ta takosh Krishtin çdo ditë. Problemet nuk mungojnë në Kishë, shoqëri e botë, ashtu si në jetën e përditshme të familjeve. Por, falë Zotit, shpresa jonë nuk bazohet mbi parashikimet ekonomike apo të llojeve të tjera, pavarësisht se edhe këto janë të rëndësishme e të dobishme.

Shpresa jonë bazohen në Zotin, jo në një fe të përgjithshme, apo në fatalizmin e zbukuruar me fe. Ne besojmë në Zotin, i cili në Jezu Krishtin na ka zbuluar një herë e përgjithmonë vullnetin e Tij për të qëndruar me njeriun, për ta bashkëndarë historinë e tij, për të na udhëhequr të gjithëve drejt Mbretërisë  së tij të dashurisë e të jetës. E kjo shpresë e madhe u jep shpirt e nganjëherë i ndreq shpresat tona njerëzore.

Kush kërkon gjen, thotë populli. E ashtu si dishepujt e Ungjillit, kush vihet në rrugë për të kërkuar Jezusin e gjen. Të kërkojmë, të gjejmë. Mund t’i marrim nga Ungjilli këto fjalë e t’i kemi si udhërrëfyese për vitin e ri të liturgjisë kishtar që kemi filluar me ‘kohën e Ardhjes’ e tani vazhdojmë me kohën e zakonshme gjatë vitit’. Të jetë dishepull i Jezu Krishtit: këtë na ndihmon – viti kishtar - të bëhemi, e  kjo i mjafton të krishterit. Miqësia me Jezusin – Mësuesin Hyjnor i siguron shpirtit, paqen e thellë e të qetës edhe në çastet më të trazuara, të errëta e në sprovat më të rënda. Kur feja përplaset me netë të errëta, ku nuk “ndihet” dhe nuk “shihet” prania e Zotit, miqësia me Jezusin na garanton se në të vërtetë, asgjë nuk mund të na ndajë kurrë nga dashuria e Tij.

19 janar 2020, 17:56