Kërko

  Ikja e Familjes së Nazaretit në Egjipt Ikja e Familjes së Nazaretit në Egjipt 

Kishat lindore përgatiten për kremtimin e Krishtlindjes

Janë të shumtë të krishterët, pjesa më e madhe ortodoksë, që përgatiten për ta kremtuar lindjen e Krishtit më 7 janar. Ndërmjet tyre, edhe ata të Egjiptit të Epërm, me të cilët bashkohen edhe koptët katolikë. Në intervistën tonë, atë Boules Garas flet për vendin e vet, plot me tensione politike e shoqërore, duke i uruar popullit të tij sidomos paqe!

R. SH. - Vatikan

Të martën, më 7 janar, për Kishat lindore katolike dhe Kishat ortodokse, që ndjekin Kalendarin julian, do të jetë dita e Krishtlindjes. Kështu do të jenë në festë të gjitha Kishat e Lindjes së Mesme, por edhe Kisha katolike greko-ukrainase si dhe të krishterët ortodoksë, që jetojnë në Rusi, Bjellorusi, Serbi, Kroaci, Maqedoni, e edhe disa të tjerë. Ne po kujtojmë sot një situatë të veçantë, atë të Egjiptit, ku katolikët e Kairos dhe të Aleksandrisë, me provincat përkatëse, e kremtuan  lindjen e Krishtit më 25 dhjetor, ndërsa ata, që jetojnë në Egjiptin e Epërm, do ta festojnë më 7 janar, së bashku me ortodoksët.

Përurimi i kishës ortodokse në Minyia

Në provincën egjiptiane të Minyas, koptët ortodoksë do të kenë  një gëzim më shumë: për ta, sot u rihap kisha e Anba Moussa al Asswad, e saporestauruar. Është njëra nga 84 kishat, që u rrënuan nga Vëllezërit Myslimanë në vitin 2013, pas grushtit të shtetit me të cilin, më 3 korrik, shkarkohej presidenti i Vëllazërisë, Mohamed Morsi. Për të krishterët rikthimi i kishës së rindërtuar për kultin është shenjë e re, e bukur shprese.

Urimi për paqe në Egjipt

Atë Boules Garas, sekretar i përgjithshëm  i Këshillit të Kishave të Egjiptit, është meshtar katolik, që jeton në Kairo. Në mikrofonet tona, përshkruan atmoferën në të cilën e kremtoi Krishtlindjen, duke kujtuar edhe shpresat që ka për 7 janarin:

“Natën e Krishtlindjes pyeta veten pse kishte aq shumë forca sigurimi rreth kishës e famullisë sonë. Dola jashtë e pashë një mori policësh, që më kërkuan t’i çoja bojskautët me ta - sepse i njohin njerëzit - shtuan - për t’u kontrolluar çantat grave. I pyeta: “Pse gjithë kjo, frikë xhanëm! Jetojmë në një vend të qetë!”. M’u përgjigjen se kishte shumë tension përreth, se mund të ndodhte gjithçka. Ndërkaq ne e kremtuam qetësisht  Meshën, në një kishë përplot me besimtarë, që vijuan të luten deri vonë. Ishte një festë e mrekullueshme. Shpresojmë se edhe tani  gjithçka do të shkojë për mrekulli gjatë kremtimit të Krishtlindjes, në Egjiptin e Epërm.

Në gusht 2013 Vëllezërit Myslimanë shkatërruan 84 kisha të krishtera në provincën egjiptiane të Minya-s. Pikërisht këto ditë u kremtua rihapja e kishës ortodokse Anba Moussa al-Asswad, më e rëndësishmja nga këto kisha. Por duhet kujtuar edhe se tashmë të gjitha janë rikthyer për kultin”.

Çfarë do të thotë kjo për Kishën në Egjipt?

“Do të thotë se në Egjipt shteti, qeveria, presidenti e ushtria po përpiqen t’u thonë koptëve, të krishterëve: “Ju jeni anëtarë aktivë të shoqërisë egjiptiane. Ne e respektojmë praninë tuaj në këtë vend, i respektojmë kultin e kishat tuaja”.

Pse koptët katolikë e kremtojnë Krishtlindjen në dy data të ndryshme, sipas rajonit ku jetojnë?

“Thjesht sepse në Egjiptin e Epërm të krishterët janë pakicë. Brenda kësaj pakice, është një pakicë tjetër, edhe më e vogël, katolike: në të njëjtën familje mund të gjesh anëtarë katolikë e ortodoksë. Atëhere kremtojnë së bashku, sepse po qe se katolikët e Egjiptit të Epërm do të festonin më vete,  atmosfera e festës do zbehej shumë. Ndërsa kur festojnë së bashku - katolikë, ortodoksë e protestantë - Krishtlindja ndjehet fort, si festë për të gjithë!".

Egjipti kujtohet shpesh si vend mikpritës, vendi që strehoi Marinë, Jozefin e Krishtin Fëmijë, kur iu desh të iknin nga persekutimi i Herodit. Sa është e pranishme në  vetëdijen e Kishës kopte kjo histori?

“Në kremtimin e festës të vizitës së Familjes Shenjte, një javë më parë,  shkrova e thashë se mikpritja është shumë e rëndësishme në kulturën tonë lindore. Ne strehuam më se tre milionë sudanezë, që janë ende këtu, në Egjipt. Strehuam sirianë, palestinezë… Sepse për ne janë vëllezër. Prej këndej, ajo që thotë Bibla për ne, është shenjë, e cila na fton të vijojmë ecjen në këtë rrugë. Të mikpresim! Ashtu si patëm mikpritur Jozefin, Jakobin e 12 fiset e Izraelit. Për ne mikpritja është virtyt i krishterë e thellësisht ungjillor!”.

 

05 janar 2020, 17:27