Kërko

Vatican News
 La Madonna della Providenza La Madonna della Providenza 

Kisha kremton solemnitetin e Nënës së Zotit!

Shën Maria, Nënë e Zotit. Është ky, një titull shumë i lartë, shpallur zyrtarisht në shekullin e pestë pas Krishtit, gjatë Koncilit të Efesit.

R.SH. - Vatikan

Më 1 janar, Kisha katolike kremton solemnitetin e Shenjtnueshmes Virgjërës Mari, Nënës së Zotit! Kështu, më 1 janar fillojmë një vit të ri e na merr për dore shpresa e krishterë, e fillojmë duke iu lutur Hyjit të na japë bekimin hyjnor e duke kërkuar, me ndërmjetësi të Marisë, Nënës së Zotit, dhuratën e paqes për familjet tona, për fshatrat e qytetet tona, për botën mbarë.

Kështu, Kisha katolike kremton më 1 janar Solemnitetin e Shën Marisë, Nënës së Zotit. Titulli ‘Nëna e Zotit’ së bashku me titullin ‘Virgjëra Shenjte’, është më i lashti dhe themeli i gjithë titujve të tjerë, me të cilët besimtarët e nderojnë në Lindje e në Perëndim Virgjërën Mari. Është ky, një titull shumë i lartë, shpallur zyrtarisht në shekullin e pestë pas Krishtit, gjatë Koncilit të Efesit. Titulli “theotokos”, që do të thotë “ajo që ka lindur Zotin”, është i njohur shumë më parë se Koncili i Efesit i vitit 431, kur u përdor nga Etërit e pranishëm për të kundërshtuar teoritë e Nestorit, i cili pretendonte se Maria nuk ishte Nënë e Hyjnores. Në fakt, Maria nuk është Nëna e Hyjnores, por Nëna e Vetjes, e të vetmes Vetje të Birit të Zotit, që mishërohet pikërisht në kraharorin e Virgjërës Mari. Prandaj, Maria ka marrëdhënie amësie me Vetjen hyjnore, që është Biri i Zotit, meqenëse e ka lindur atë sipas natyrës njerëzore. Me fjalë të tjera, është Nënë e Fjalës së mishëruar.

Çka do të thotë për ne që Maria është Nëna e Zotit?

Do të thotë se ne duhet të kemi një borxh të pashlyeshëm me Të, pasi ajo vuri në zbatim karizmën më themelore, më të nevojshme për Kishën, na dha Krishtin. Kjo detyrë është kaq e madhe, saqë për shën Agustinin, nëse amësia e Marisë nuk është e vërtetë, të rreme janë edhe plagët e Mundimeve të Krishtit. Ne nuk do të shpëtoheshim: pikërisht Maria qëndron në bazën e historisë së shpëtimit, duke i pasë dhënë Krishtit një Korp, që Ai do të flijojë më pas në Kryq, për shpëtimin tonë. Prandaj, ky mister është vërtet themelor. Nëse ne do të largoheshim nga ky mister, atëherë Jezusi bëhet gati një meteorit, që vjen nga qielli në tokë pa nënë, pa atë që e bën vëllain tonë dhe e fut në racën njerëzore, në fisin hebraik e në atë të krejt njerëzimit.

Solemniteti i Marisë, Nënës së Zotit bie në Ditën Botërore të Paqes. Çfarë lidhje ka shën Maria me paqen?

Ekzistojnë lidhje të brendshme të Marisë me paqen. Para së gjithash, Maria duke qenë Nëna e Jezusit është edhe nënë e paqes, pasi siç na thotë Letra drejtuar Efesianëve: “Ai është paqja jonë”. Prandaj, Jezusi identifikohet me paqen e atëherë, Maria, duke nxjerrë në dritë Jezusin, nxjerr në dritë Princin e Paqes. Përveç kësaj, Maria është Nëna e Aleancës: dimë se Besëlidhja e Zotit është Aleancë e paqes, prandaj, Maria, duke qenë grua e Besëlidhjes është ajo që na ndihmon ta jetojmë këtë përmasë të paqes, e cila sot është kaq e nevojshme. Maria na e çliron zemrën nga urrejtja, nga smira, nga mentaliteti i “sy për sy e dhëmb për dhëmb”, pasi Ajo na tregon Jezusin që thotë: “Të jeni veprimtarë të paqes”, pra duhet të ndërtoni paqen, nëse doni të quheni me të vërtetë “Bij të Zotit”.

O Mari, nënë e Hyjit,

nën mburojen tënde qofshin të gjitha nënat,

që me padurim presin

t’i shohin foshnjat e veta

dhe t’i rrisin me kujdes të madh amënor!

Ti e shenjtërove dhe e hyjnizove

të qenët grua,

bëj që hiret

të cilat i marrin të gjitha gratë

nëpërmjet ndërmjetësisë sate,

t’u jenë atyre mall i veçantë

për të qenë nënë.

Ruaje dinjitetin e gruas të cilin e shenjtërove

me lindjen e Shëlbuesit

dhe bëhu për të gjitha gratë

shkollë e dashurisë ndaj fëmijëve

dhe familjes.

Ti, që hyjlindëse je,

rilinde gjithmonë rishtas

në zemrat tona:

Jezusin Zot e Njeri!

Amen!.

31 dhjetor 2019, 19:54