Kërko

Vatican News
 Cardinale albanese Mikel Koliqi con San Giovanni Paolo II  Kkardinal Mikel Koliqi me Shen Gjon Pali II ne Vatikan Cardinale albanese Mikel Koliqi con San Giovanni Paolo II Kkardinal Mikel Koliqi me Shen Gjon Pali II ne Vatikan 

Kardinali Mikel Koliqi në përvjetorin e vdekjes

Më 28 janar, kujtojmë përvjetorin e vdekjes së kardinalit Mikel Koliqi ( 28 janar 1997), një nga figurat më të ndritura të Kishës katolike shqiptare, njeriun që u bë simbol i gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste në Shqipëri.

R.SH. - Vatikan

Më 28 janar, kujtojmë përvjetorin e vdekjes së kardinalit shqiptar, Mikel Koliqi, i cili ndërroi jetë nё vitin 1997, një nga figurat më të ndritura të Kishës katolike shqiptare, njeriu që u bë simbol i gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste ateiste në Shqipëri.

Këtë figurë shembullore kishtare e kombëtare po e kujtojmë me fjalët e imzot Klaudio Maria Çelit, Kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, i cili në vitin 1991 e pati njohur e takuar në Shkodër dom Mikel Koliqin. Rasti qe një ndër takimet e para që përfaqësuesit e Vatikanit takonin popullin e klerin e persekutuar, që posa kishin dal nga dimri egër i diktaturës ateiste të komunizmit.

I zgjodhëm pikërisht këto fjalë të imzot Claudio Maria Celit , për të nënvizuar se figura si ajo e Kardinalit Mikel Koliqi, mbeten përgjithnjë në kujtesën e njerëzve, si simbol i gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste në Shqipëri. Ja si e kujtoi Imzot Çeli, vetëm dy ditë më parë, në sa përshkruante Meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 mars 1991:

Ja si e kujtoi Imzot Çeli, vetëm dy ditë më parë, në sa përshkruante Meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 mars 1991

“Sapo e kishim filluar Meshën, kur hyri në Kishë monsinjor Koliqi. Ishte vikari i përgjithshëm, që kishte shpëtuar gjallë nga persekutimi: fizikisht i shkatërruar, por tmerrësisht i gjallë e i fuqishëm në shpirt.
Hyri në Kishë i mbajtur për krahësh nga dy të rinj. Figurë interesante, emocionuese. Madje fjala interesante nuk mjafton për të shprehur atë që ndjemë të gjithë atë çast, sepse ishte një pamje e papërshkrueshme. Më tha: “Unë nuk dal ma prej shtëpie, por kur më thanë se ju jeni këtu, e ndjeva për detyrë të isha i pranishëm, në një çast kaq të pritur, kur përfaqësuesi i Papës asht mes nesh!
Fillova homelinë. E kujtoj akoma, sepse më delte nga zemra, pa pasur nevojë fare për përgatitje. E, me që ishte data 21 mars, shqiptova fjalët: “Dimri po shkon! Sot fillon pranvera
!”.

E, Kardinali Koliqi vijon të jetë për popullin shqiptar edhe pas vdekjes një jetë kushtuar Zotit e popullit, në një kohë kur ky përkushtim paguhej me jetë. Një jetë e jetuar për Zot e popull, për fe e atdhe, për Ungjill e kulturë.

E vërtetë nuk është e thjeshtë të përmbledhësh me pak fjalë jetën e kardinalit Koliqi, një nga figurat më poliedrike në historinë e ShqipërisëMikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për t'i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua në degën e inxhinierisë mekanike, në Politeknikumin e Milanos. Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës. U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Dom Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës "Kumbona e së Dieles". Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie.

Papa Shën Gjon Pali II e emëroi prelat nderi (monsinjor) në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shkodër, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994 në Vatikan.

Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike të Shqipërisë, kardinali Mikel Koliqi u nderua së pari me titullin "Pishtar i demokracisë", më pas me titullin "Nënë Tereza" dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë "Nderi i Kombit". Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997. U përpoqëm të përmbledhim në pak rreshta një jetë të veçantë siç qe ajo e dom Mikel Koliqit, që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë e jashtëzakonshme për Fé e Atdhé që mbeti hallkë e pashkëputur nga tmerri i persekutimit ateist të komunizmit.

E jeta dhe veprimtaria e kardinalit Mikel Koliqi qe e është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, pra mbetët një udhërrëfyes për të gjithë ne, se si duhet punuar të bashkuar e në mirëkuptim për një të ardhme më të mirë për popullin e vendin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore e, kulturore e kombëtare.

Nga arkivi i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit ju propozojmë intervistën që realizuam në vitin 1993 me dom Mikel Koliqin..

Nga arkivi i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit ju propozojmë intervistën që realizuam në vitin 1993 me dom Mikel Koliqin..
28 janar 2020, 12:09