Kërko

1578623400032.jpg

Iran-SHBA, thirrje e ipeshkvijve evropianë për paqen

Imzot Youssef Soueif, kryeipeshkëv i maronitëve të Qipros dhe delegat i Comece-s, në një intervistë për Vatican News, thekson se forca e dialogut është mjet për shpëtimin e njerëzimit, në këtë çast delikat ndërkombëtar, në të cilin “jemi në prag të Luftës së tretë Botërore”.

R.SH. - Vatikan

Ipeshkvijtë evropianë vërejnë me shqetësim në rritje zhvillimet e krizës ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ringjalljen e dhunës në Irak dhe vazhdimin e luftës në Libi. Të nxitur nga gjendja aspak e lehtë, ata bëjnë thirrje për dialog e paqe. Imzot Youssef Soueif, kryeipeshkëv i maronitëve të Qipros dhe delegat i Comece-s (Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkësisë Evropiane), në një intervistë për Vatican News, kërkon “të arrihet një marrëveshje” sa më shpejt të jetë e mundur, për të shmangur një luftë globale, për të cilën “do të paguajnë koston më të lartë qytetarët e thjeshtë, të pafajshëm, të paarmatosur”. Për këtë arsye, nënvizon ai, “Kisha e Evropës bashkohet me thirrjen e Papës Françesku për paqen, gjatë fjalimit të djeshëm para ambasadorëve të akredituar në Selinë e Shenjtë”. Por, a është dialogu i vetmi mjet për të dalë nga kjo gjendje dramatike? Të dëgjojmë përgjigjen e imzot Soueif:

         Sigurisht. Në plan të parë, duhet të jenë interesat e njeriut si i tillë. Kjo është thelbësore, përndryshe bota do të hyjë në Luftën e tretë Botërore, të cilën e kemi në prag. Gjendja është shumë serioze dhe kërkon ushtrimin e mençurisë, të logjikës, të qetësisë, si edhe një reflektim të thellë për të mos vënë në rrezik gati gjithë botën. Kisha Evropiane ngul këmbë në këtë linjë dhe përkushtohet në favor të procesit të paqes, me veprimtari të përditshme në kontinent dhe në realitetet tona kishtare.

         Shkëlqesi, ju e njihni mirë gjendjen në Irak, terren i ndeshjes ndëmjet Iranit dhe SHBA-ve. Në vend, kushtet bëhen përditë e më dramatike, duke e ndërlikuar kuadrin diplomatik ndërkombëtar, apo jo?

         Jam i bindur për këtë. Për dekada me radhë, Iraku nuk ka njohur paqe, ka pasur një luftë pas tjetrës. Shkaqet e drejtpërdrejta të këtyre konflikteve duhen kërkuar në faktorë ekonomikë, si nafta. U ndryshohen emrat luftërave, por qëllimi është gjithmonë i njëjtë: të vihet dorë mbi burimet ekonomike. Njerëzit nuk duan luftra, ata nuk duan të ndahen: qytetarët irakianë janë gati të jetojnë së bashku në paqe.

         Edhe Libani është fuçi baroti, gati për të shpërthyer, gjendje që shqetëson njëlloj ipeshkvijtë evropianë...

Unë jam me origjinë libaneze dhe mund të them që në vendin tim përjetojmë të njëjtën situatë si në Irak. I njoh mirë tre muajt e trazirave, që e goditën vendin, vitin e kaluar. I njoh britmat e dhimbjes, thirrjet ndërfetare dhe ndërkulturore të njerëzve, që duan të jetojnë në paqe dhe qetësi.

10 janar 2020, 14:46