Kërko

 Irak: kremtimi i Krishtlindjes Irak: kremtimi i Krishtlindjes  

Irak: fantazma e frikës endet përsëri në vendbanimet e të krishterëve

Atë Benoka, meshtar siro-katolik, flet për situatën në Rrafshin e Ninives, pas sulmit ajror amerikan në Bagdad, gjatë të cilit u vra gjenerali Soleimani. “Jemi më të ligshtët ndërmjet të ligshtëve. Qyteti i krishterë i Bertellës kontrollohet nga milicët shiitë shabak”. Ndërkaq Papa, në audiencën e përgjithshme u dha zemër shtegtarëve të ardhur nga Iraku, Libani, Siria e Lindja e Mesme, duke i ftuar të mos kenë frikë, por të jenë guximtarë, si Shën Pali.

R. SH. - Vatikan

Në Irak, në Rrafshin e Ninives, të krishterët, që hynë kohët e fundit  me shumë mundime ndër qytetet e tyre, pas tërheqjes së terroristëve të Isis, e shikojnë me shqetësim të madh shkallëzimin e dhunës, që rifilloi menjëherë pas vrasjes së gjeneralit iranian Soleimani, viktimë e sulmit organizuar nga forcat amerikane. Si të mos u mjaftonte situata e vështirë për shkak të pranisë së milicive myslimane shiite, që kontrollojnë territorin e tyre, druhen tani nga mundësia e raprezaljeve të reja, me pasojë një gjakderdhje të re.

Atë Benham Benoka, siro-katolik në dioqezën e Mosulit, aktualisht në qytetin e Bertellës, në distriktin irakian të Al-Hamdaniya, flet për këtë situatë në mikrofonet e Radio Vaticana Italia:

“Është ngjarje, që shkaktoi menjëherë shqetësim të madh: e jo vetëm në gjirin e të krishterëve, por të gjithë irakianëve, që e duan me të vërtetë vendin e tyre. Druhemi se Iraku është katandisur në territor lufte, në shesh betejash, në dispozicion të më të mëdhenjve, si Irani e SHBA-të. Por kemi edhe më shumë frikë se në këtë shesh do të derdhet gjaku i bijve tanë: kjo na shqetëson më shumë. E siç ka thënë edhe Patriku Sako, lutemi të gjithë që këto forca të dialogojnë ndërmjet tyre e të arrijnë në zgjidhje më paqësore”.

Vrasja e gjeneralit iranian në Bagdad ndodhi në fillim të 2020-tës, pas muajve tejet të vështirë, gjatë të cilëve Iraku jetoi çastet e rënda të protestave në shesh, kundër qeverisë, që shkaktuan qindra të vdekur. Si e jetojnë bashkësitë e krishtera të Ninives këtë situatë?

“Vërtet, këtu, në Rrafshin e Ninivës e, më saktësisht, në distriktin e Al-Hamdaniya, që përfshin qytetet e krishtera Qaraqosh, Bartella e Karemlash, të krishterët janë më të ligshtë se të ligshtit, në Irak. Ne, të krishterët, po vuajmë shumë. Po persekutohemi me një persekutim të cilit nuk i shihet fundi. Që kur u rikthyem, edhe pse pjesërisht, në tokën tonë, pas disfatës së Isisit, në tetor 2016, u impenjuam në rindërtimin e shtëpive dhe të kishave. Por janë disa forca të tjera, të ashtuquajtura “Brigada e Tridhjetë” e myslimanëve shiitë shabak, që kanë marrë nën kontroll qytetin e krishterë të Bartellës. E ne çdo ditë duhet të pësojmë aktet e tyre agresive kundër kishave e kundër të krishterëve tanë, posaçërisht kundër grave. Prandaj kërkojmë prej kohe një rrugëzgjidhje të kësaj situate, por qeveria e Bagdadit rri e bën sehir”.

Pra tani, pas sulmit ajror amerikan në Bagdad, frika juaj bëhet gjithnjë më e madhe?

“Pikërisht: ndjehemi gjithnjë më të pasigurt, posaçërisht tani, që flitet për tërheqje të forcave ushtarake. Parlamenti irakian sapo vendosi t’i kërkojë qeverisë t’i japë fund pranisë së koalicionit ndërkombëtar. E këtu, në Bartella, si qytet i krishterë, kemi vetëm 24 ushtarë të të ashtuquajturave NPU - Uniteti i Mbrojtjes së Rrafshit të Ninives, domethënë forca të mobilizimit popullor të krishterë, e këta 24 ushtarë natyrisht nuk mund të na mbrojnë. E atëhere, si t’ia bëjmë? Ku të mbytemi? Thua duhet të rishpërngulemi në drejtim të veriut? Kërkojmë të merret parasysh edhe situata e ne, të krishterëve, këtu, në Rrafshin e Ninives; nuk kemi as armë, as gjë prej gjëje!”

Çfarë kërkoni si të krishterë, në këtë situatë?

“Që nga fillimi i manifestimeve kundër qeverisë, një revolucion krejtësisht paqësor i të rinjve irakianë në Qendër e në Jug të vendit, ne lutemi çdo ditë, themi Rruzaren, kremtojmë Meshën Shenjte e kërkojmë që të gjithë të merren vesh - politikanë e të tjerë - për t’i zgjidhur problemet  e njerëzve që vuajnë, të popullit tonë irakian, në vend që të ndjekin interesat dhe planet e  tjera të huaja”.

Sigurisht, një luftë e luftuar në Irak nuk ndihmon për t’i dhënë përgjigjen e duhur kërkesave për liri të irakianëve, duke përfshirë edhe bashkësinë e krishterë….

“Vërtetë lutemi që  rrugëzgjidhja ushtarake të mos jetë e vetmja, por të hapet rruga për zgjidhjen diplomatike, për mbrojtjen e gjakut irakian!”.

09 janar 2020, 10:54