Kërko

" E, duke u përkulur, e adhuruan”. Mbretërit dijetarë, nga Artemisia Gentileschi

Një kryevepër, për t’u soditur në kohën e Krishtlindjes. Adhurimi i Mbretërve Dijetarë, vepër e Artemisia Gentileschi-it, pikturuar për katedralen e Pozzuoli-t, ekspozuar në muzeun dioqezan të Milanos deri më 26 janar 2020.

R. SH. - Vatikan

Të merr për dore, për të hyrë në kundrimin shpirtëror të Adhurimit të Mbretërve Dijetarë, Artemisia Gentileschi. Pëlhura, me përmasa të mëdha, 310x206, e ruajur në katedralen  e Pozzuolit,  u zgjodh nga Muzeu Dioqezan i Milanos si protagoniste e nismës “Një kryevepër për Milanon”, që sivjet arriti në edicionin e 12-të. Deri më 26 janar vepra do të vijojë të jetë në Muzeun Carlo Maria Martini.

Sfida e Artemisisë

Kuadri, i realizuar me rastin e qëndrimit të piktores në Napoli, me ftesën e zëvendës-mbretit Enriquez Afán de Ribera, bën pjesë në një cikël, të porositur nga ipeshkvi spanjoll i Pozzuolit, Martin Léon y Cárdenas, për katedralen e tij, menjëherë pas vitit 1631, vit i shpërthimit të vullkanit  Vezuv që, fatmirësisht, nuk e dëmtoi qytetin. Ishin tri, pikturat që iu porositën piktores e që u realizuan ndërmjet viteve 1635 e 1637: njihej kështu, vlera e punëve të artistes, që nuk e pati të lehtë t’i hapte rrugë vetes në një mjeshtri, që asokohe shikohej si punë burrash. Kështu ajo mbeti në histori si e para grua, që u pranua anëtare e Akademisë së Artit të Pikturës.

Lojë shikimesh

Është loja e syve dhe teatraliteti, krijuar nga dritë-hijet, ajo që të prek më shumë, kur ndodhesh para Tre Mbretërve të Puzzuolit. Ndërsa Maria të shikon me një fytyrë krejt origjinale. Fytyrë  tipike mesdhetare, në të cilën Artemisia, me sa duket, deshi të  mishërojë fjalët e Shën Lukës Ungjilltar, kur na kujton se Zoja i meditonte gjithë këto sende dhe e i ruante në zemër të vet. Fytyra e Marisë, ulur mbi shkëmb, që na kujton pejzazhin puzeolian, shpreh dashuri, paqe e profeci, por edhe preludin e vuajtjes së Mundimeve:  e shikojmë duke e ofruar të Birin me një gjest liturgjik, që na kujton flijimin eukaristik mbi altar e, prej këndej, është si të shikosh një Virgjër Mari me vetëdijen  e flijimit të të Birit. Artemisia  kishte humbur disa fëmijë krejt të vegjël e për të ishte si të merrte pjesë në dhimbjen e Nënës së Zotit.

Mahnitje e përkulje

Figurat e Mbretërve janë plot me elegancë mbretërore: i veshur sipas modës spanjolle-napoletane të 600-tës, më i riu përkulet plot hir, ashtu si di të bëjë vetëm një sovran. Në plan të parë, i gjunjëzuar,  është një mbret i shkuar nga mosha, që duket sikur do të bjerë nga çasti në çast. Përkulet me njërën nga dy duart për dhe e tjetrën, në aktin  e dhurimit, drejtuar nga këmbët e Foshnjës. Përballë kësaj figure,  vizitori merr pjesë në mahnitjen, vulosur në fytyrën e Jozefit, pikturuar sipas traditës  ungjillore, vendosur në sfond. Vëmendja e shikuesve ngulet menjëherë tek fytyra e tij, që transmeton mrekullim. E mahnitje shpreh edhe fytyra  e Dijetarëve, ardhur nga larg. Ai, që e kërkonin duke ndjekur pas yllin, nuk është aspak ashtu si e përfytyronin. Eshtë një fëmijë, i përvuajtur, i brishtë, shenjë  e ndërhyrjes së Zotit. Më sipër Artemisia pikturon figurën e Mbretit të tretë: zezakut. Një zjarr i rënë në shekullin e  kaluar ia dëmtoi ngjyrat, e tani duket si i mbështjellë krejtësisht me mister…

Përkulja

Piktorja arrin ta kapë fuqimisht kulmin e shtegtimit: çastin kur Mateu Ungjilltar ia beson versetit: “Panë fëmijën me Marinë, nënën e tij, u përkulën dhe e adhuruan”. Gjesti i përkuljes, sipas traditës pagane, i kushtohej vetëm  zotave e perandorëve. Mbreti, duke hyrë në shtëpi, nuk është më mbret. E ulë kurorën përdhe e kundron mbretin e vërtetë! Bukuria, që shpëton

Kuadri i Artemisisë - shkruan ipeshkvi i Milanos, Mario Delpini -  duke e ëmbëlsuar dramaticitetin me ndikim karavagjesk, na krijon edhe në këtë Krishtlindje mundësinë ta kundrojmë bukurinë që shpëton, sot, më e nevojshme se kurrë. Gjuha e së bukurës - uron nga ana e tij ipeshkvi i Pozzuolos, Gennaro Pascarella - është gjithnjë mundësi  e rëndësishme për ungjillëzimin. Bukuria nuk ka kufi, ka frymëmarrje universale. E me këtë frymëmarrje kthehemi 2000 vjet pas e jetojmë ngjarjen më të madhe, që ndau më dysh kohët. E ndjehemi të pranishëm në Shpellë, bashkë me Tre Mbretërit, përkulur para Shëlbuesit të botës. Kush e kundron këtë pikturë, nuk mund të mos e ndjejë ftesën e misterit të fesë, të shtypur mbi pëlhurë! E të mos e rijetojë vizitën që i bënë Tre Mbretërit, Mbretit të Mbretërve!

03 janar 2020, 16:34