The Epiphany by Carravaggio The Epiphany by Carravaggio 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Epifanisë - Dëftimit të Zotit

Prej shpellës së Betlehemit në botë; prej Izraelit tek të gjithë popujt. Është udha e fesë së krishterë, është rrezatimi i dritës, Jezusi drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri; është misteri i fshehur në shekuj e përfundimisht i dëftuar, çka do të thotë që të gjithë popujt "janë të thirrur në Jezu Krishtin, për të marrë pjesë në të njëjtën trashëgimi" që Biri i Hyjit e ka merituar me gjakun e tij.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë me Fjalën e Zotit, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të festës së Dëftimit të Zotit tonë Jezu Krishti. 

Epifania - Deftimi i Zotit - Liturgjia e Fjalës së Zotit

Deftimi i Zotit - Epifania

Prej shpellës së Betlehemit në botë; prej Izraelit tek të gjithë popujt. Është udha e fesë së krishterë, është rrezatimi i dritës, Jezusi drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri; është misteri i fshehur në shekuj e përfundimisht i dëftuar, çka do të thotë që të gjithë popujt "janë të thirrur në Jezu Krishtin, për të marrë pjesë në të njëjtën trashëgimi" që Biri i Hyjit e ka merituar me gjakun e tij. 
Është mbi këtë besim të përbotshëm (universal) që duhet të ritmohet edhe jeta jonë, nëse duam ta përjetojmë gëzimin që lind nga feja në Jezusin. 
Krishti për ne bëhet Fjalë e Bukë në mënyrë që edhe ne duke u bërë fjalë e bukë për vëllezërit tanë, mund të ja dëftojmë Jezusin të gjithë njerëzve. 
Kisha me këtë festë kremton dëftimin e Zotit që u bë i dukshëm dhe i prekshëm "në plotësimin e kohërave". 
Dëftimi apo shfaqja ndodhi mes dritash e errësirës.

Errësira dhe kohërat. 
Izaia, shtatë shekuj para Krishtit, nguli vështrimin (sytë) prej shqiponje drejt të ardhmes, dhe pa tokën e zhytur në errësirë: "ja, errësira e mbulon tokën, mjegulla e ngulm i pështjellë kombet"(Iz 60,2)… 
Bebëzat e syve të tij fokalizohen mbi vitet e lindjes së Mesisë, që Pali apostull e quan "plotësi" e kohërave: "Vëllezër, kur erdhi plotësimi i kohës, Hyji e dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje…" (Gal 4,4). 
Nga pikëpamja njerëzore, perandoria romane ishte në shkëlqimin më të madhe të saj: kurrë më të ardhmen nuk do të lëshonte (jap) dritë po të gjallë kulturore, pushtet politik e ushtarak, bashkim e marrëveshje mes popujsh. 
Nga pikëpamja fetare, njeriu kishe marrë vendin e Zotit: Virgjili, Oraci, Ovidi e quanin Cezar Augustin Zot. Mirëpo Hyji nuk e shikon pushtetin politik, por mjerimin moral e fetar të njerëzve. Zoti është dritë, e kush rri larg prej drite, pushtohet e zhytet në errësirë. 

Sfida e Zotit 
Derisa njeriu mundohet të bëhet Zot, Zoti bëhet njeri dhe i fton njerëzit ta adhurojnë. Mirëpo pyesim nëse njeriu, që nuk e adhuron Zotin, a mund ta adhurojë një Njeri-Zot? E megjithëkëtë Virgjili, Oraci e Ovidi patën adhuruar vetëm një njeri, Gjeniun e Augustit! Sfida që bëri Zoti qëndron në nxjerrjen në pah të absurditetit të njeriut që e adhuron shumë më lehtë një njeri – edhe nëse është Cezar – në vend të një Njeriu që është Zot i vërtetë. 

Ylli e dielli 
Simbolizmi biblik arrijnë kulmin kur një yll i udhëheq Dijetarët drejt atij që është i quajtur "Diell i lindur prej së larti". 
Ylli simbolizon dritën e zbehët të feve false (rreme), që kanë ruajtur vetëm një rreze të dëftimit primitiv (të kahershëm) të Zotit i cili, në fillim, zbriste për të folur me njerëzit në kopshtin e Edenit. 
Udhëtimi i Dijetarëve drejt Jezusit – do të thotë udhëtim që çdo fe tjetër duhet ta bëj drejt fesë kristiane, e vetmja fe e vërtetë, sepse në të shkëlqen në plotësi dielli i Zotit të dëftuar në Njeriun-Jezus. 

Të "vetët" e të tjerët
Kur Gjoni thotë se Fjala, duke u mishëruar, "erdhi ndër të vetët", i referohet të gjithë njerëzve të krijuar "përmes tij", pasi që, "pa të, asgjë nuk është krijuar prej asaj që është bërë". 

Po ne e dimë se, ndër të gjithë popujt, Hyji pati zgjedhur Izraelin porsi "pronësi" të veten. Kur Fjala u mishërua, "të vetët" ishin Hebrenjtë, të cilët nuk e njohën, nuk e pranuan, derisa nuk e dëbuan përjashta qytetit të shenjtë dhe e gozhduan mbi kryq. 

Megjithëse, Krishti do t'ia kushtojë tërë jetën e vet tokësore kthimit të popullit të zgjedhur – delet e humbura të shtëpisë së Izraelit – i urdhëroi pastaj apostujve të zgjeroheshin e të ungjillëzonin "të tjerët", paganët. Një risi e pamendueshme e gati e papranueshme nga populli që deri asokohe konsiderohej i "parazgjedhur". Pali e quan "mister të fshehur para breznive të mëparshme" faktin që "paganët (gjentilët) janë të thirrur në Jezu Krishtin të marrin pjesë në të njëjtën trashëgimi, se janë të ftuar ta formojnë të njëjtin trup, e të jenë pjesëmarrës premtimeve përmes ungjillit (Ef 3,5s). 
E dimë se sa iu deshtë të quante Pjetrit para e pas i dha pagëzimin familjes së centurionit Kornelit! 

Shën Pali thotë se misteri i tillë – i hapur ndaj paganëve – "është dëftuar në kohën e tashme apostujve të shenjtë e profetëve". 
Mirëpo nuk mund të mendohet se Zoti ka ndryshuar planet e veta. Ardhja e dijetarëve nga linda deri te linde e Foshnjës, dëshmon se kthimi i paganëve në krishterim ishte gjithmonë në planet e Zotit. 

Madje, Leximi I i kësaj feste na paralajmëron se qysh Izaia pati parashikuar popuj e mbretër të ecnin në dritën e Zotit, aradhe kamelesh, deve me gunga nga Madianit, nga Efa e Saba vinin duke "bartur ari e kem", shenja të njohjes së mbretërisë e hyjnisë së Krishtit, "duke i dhënë lavde Zotit". 

Tre simbolet shqetësuese .
Kështu pra, Kisha kremton "dëftimin" e Zotit të gjithë njerëzve vullnet mirë, që ai i do. Jezusi nuk është pronë private e disave të privilegjuarve, por është dhuratë e bërë për të gjithë.  Me qenë se Zoti ka ardhur në mesin e njerëzve, duhet që, sikur Dijetarët, njerëzit të shkojnë tek Ai: "Ejani tek unë, ju të gjithë që jeni të lodhur e të shtypur, e unë do të ripërtërij".  Por qysh në lashtësi mund të konstatohet se si njerëzit janë munduar ta "ndajnë" e "kenë" për vete Krishtin duke bartur secili një pjesë në shtëpi të vet. 

Tri simbolet e arit, kemit e mirrës, të vendosura nga tre Dijetarët tek këmbët e Foshnjës, do të thonë se ajo Foshnje e vetme është së bashku Njeri, Zot, Mbret. Janë simbole të pa ndashme. 

                                                Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Is 60, 1-6)
Jerusalemi është paraqitur si drita që kundërshton errësirën, pikërisht sepse në të shkëlqen drita e Zotit. Drejt Jerusalemit, aty ku banon drita e Zoti, udhëtojnë të gjithë popujt. 
Sot është Kisha që ka këtë detyrë, të jetë e varfër dhe e domosdoshme si foshnja në Betlehem, për të ndezur në qiell një yll dhe për të udhëhequr të gjithë njerëzit drejt kësaj foshnje.

Lexim prej Izaisë profet


Ngrehu, shkëlqe, se po vjen drita jote, mbi ty po lind Lavdia e Zotit! Sepse tokën po e mbulon terri dhe një errësirë e madhe popujt, kurse mbi ty, dritë bën Zoti e Lavdia e tij mbi ty, do të shihet! Në dritën tënde do të ecin popujt edhe mbretërit, në lindjen e shkëlqimit tënd. 
Lartësoji përreth sytë e tu e shiko: të gjithë këta po mblidhen, te ti po vijnë. Bijtë e tu po vijnë prej së largu, bijat e tua para duarsh po i sjellin. Atëherë do të shikosh, fytyra do të të ndriçojë, zemra do të të rrahë e do të të zgjerohet, sepse pasuritë e detit do të zbrazen te ti, të mirat e popujve do të vijnë te ti. Mori gamilesh do të mbulojnë, gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa. Të gjithë do të vijnë nga Saba, ar e kem do të sjellin e do t’i këndojnë lavde Zotit. Fjala e Zotit! 

Psalmi 72 (71)
Ref: Do të lavdërojnë, o Zot, të gjithë popujt e botës

_________________ 

O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd
dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi
e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.
_________________ 

Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia
dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna.
Do të sundojë prej detit në det,
prej lumit e deri në skajin e botës...
_________________ 

Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve 
dhurata do të sjellin,
mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat, 
të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien,
e popujt mbarë do t’i shërbejnë.
_________________

Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan,
të varfërin që nuk ka ndihmëtar.
Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin, 
dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.
_________________ 

Leximi i dytë (Ef 3, 2-3. 5-6)
Mister do të thotë plani i shpëtimit të Hyjit realizuar nga Krishti në historinë tonë. 
Shën Pali përshkruan këtë plan duke thënë që do të marrin shpëtimin e Krishtit jo vetëm hebrenjtë, por edhe të gjithë popujt paganë, që më parë ishin të përjashtuar nga besëlidhja me Hyjin. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, mendoj se patjetër do të keni marrë vesh për hirin që Hyji, për ta çuar në vend synimin e vet, ma ka dhënë për të mirën tuaj, se me zbulesë qesh vënë në njohuri të misterit, për të cilin shkurtimisht posa ju vura në dijeni. 
Misteri i Krishtit nuk u qe zbuluar njerëzve të breznive të shkuara sikurse tani u është zbuluar në Shpirtin Shenjt apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve: se paganët – në Jezu Krishtin – janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup, dhe bashkanëtarë të të njëjtit premtim në saje të Ungjillit. Fjala e Zotit!

ALELUJA, Aleluja.
E pamë yllin e tij duke lindur, 
dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.
Aleluja.

Ungjilli (Mt 2, 1-12) 
Paganët janë të tërhequr drejt dritës së Jezusit Mbret. Nuk takohet më Shpëtimi në Jerusalem, por në Betlehem. 
Dijetarët e lënë veten e tyre të udhëhiqen nga ylli deri në Betlehem. Ndërsa Herodi dhe kryepriftërinjtë hebrenj kërkojnë të zhdukin foshnjën e Betlehemit. Kështu sot ashtu si dje, shpesh janë të tjerët jo të krishterë që rinjohin Jezusin si Mesia. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, kur qe, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve? Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.” 
Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti ku duhet të lindë Mesia. Ata i përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti: 
‘E ti, o Betlehem tokë e Judesë, ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi ndër qytetet princore të Judesë, sepse prej teje do të dalë prijësi, që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin’ ”. 
Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej sish rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që edhe vetë të vij e t’i shpreh nderimet e mia.” 
Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa nuk zuri vend aty ku ishte fëmija. Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, t’ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan ar, kem, e mirrnë. Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rrugë tjetër në vendin e vet. Fjala e Zotit!

05 janar 2020, 17:52