Kërko

Vatican News
Epifania del Signore Epifania del Signore  

Dëftimi i Zotit! Dijetarët: “Erdhëm për ta adhuruar”

Tre mbretërit apo Dijetarët e Lindjes gjatë udhëtimit të tyre në kërkim të Jezusit, qenë detyruar të ndalonin për të pushuar te një shtëpi e varfër, ku jetonte një grua me një djalë, i cili për arsye të të metave fizike, ishte i detyruar të ecte me paterica – me shtaga.

R.SH. - Vatikan

Epifania është zgjatje e kremtimit të Lindjes së Jezu Krishtit Zot. Na nxit të kremtojmë manifestimin e lavdisë së Birit të Hyjit - Njëlindurit të Atit ndaj botës mbarë. Me festën e Dëftimit të Zotit, pra, Kisha nderon Dijetarët, Magjistarët. Prania e tyre ilustron plotësimin e profecisë së Izaisë. Krishti vërtet është drita e botës. Të krishterët e besojnë fuqishëm këtë dhe e dëshmojnë me jetë.

Shkrimtari italian Giancarlo Monetti në melodramën e tij “Amahali dhe tre mbretërit” tregon këtë legjendë.

Tre mbretërit apo Dijetarët e Lindjes gjatë udhëtimit të tyre në kërkim të Jezusit, qenë detyruar të ndalonin për të pushuar te një shtëpi e varfër, ku jetonte një grua me një djalë, i cili për arsye të të metave fizike, ishte i detyruar të ecte me paterica – me shtaga.

Në mesnatë, ndërsa tre Mbretërit flinin gjumë, gruaja e varfër, për të lehtësuar sadopak mjerimin e gjendjes së vet dhe për të siguruar në një farë mënyre të ardhmen, vendosi të vidhte nga thesi i Melkiorit pak ar. Por shpejt hajnia (vjedhja) u zbulua dhe Mbreti zemërgjerë i tha gruas:

“Oj, grua, po të fal për hir të dashurisë së djalit tënd. Mirëpo, ta dish se djali yt Amahali nuk ka nevojë për ar, por për dashuri”.

Atëherë gruaja e skuqur prej turpit, ia ktheu të hollat, ndërsa djaloshi propozoi:

“Të nderuar e të pasur zotërinj, ju po shkoni me dhurata për të takuar Jezusin. Edhe mua do të më kishte pëlqyer t’i dhuroja diçka Jezusit, Shëlbuesit të botës, por mjerisht nuk kam asgjë....Nëse dëshironi, dhurojani këto dy gjëra më të çmueshme që kam: patericat e mia!”

Pasi tha këtë, iu dha patericat tre Mbretërve që t’ia sillnin Mbretit të lindur në Betlehem.

Ndodhi, pikërisht në atë çast, që Amahali arriti të qëndrojë në këmbë pa paterica, madje edhe më tepër, filloi të ecë, të vrapojë, të luajë i lirë. Zemërgjerësia për Jezusin e shëroi krejtësisht Amahalin.

05 janar 2020, 12:41