Kërko

100-vjetori i lindjes së Chiara Lubich 100-vjetori i lindjes së Chiara Lubich 

Kryetarja e Lëvizjes së Fokolarëve: “botës së ndarë me mure, i duhet shembulli i Chiara Lubich”

Këtë vit kremtohet 100-vjetori i lindjes së themelueses së Lëvizjes së Fokolarëve, Chiara Lubich. Me mendimin dhe veprimtarinë e saj në shërbim të vëllazërimit e të paqes, ka dhënë një kontribut, që vijojnë ta mbajnë gjallë sot fokolarinët në gjithë botën. Të shtunën, në Trento, për 100-vjetorin e lindjes së saj, do të jetë i pranishëm edhe presidenti italian.

R.SH. - Vatikan

“Në një botë, në të cilën dalin vazhdimisht në pah rryma partikolarizmash e ndarjesh dhe ngrihen mure e kufij të rinj, mesazhi i bashkimit i Chiara Lubich është me aktualitet të jashtëzakonshëm”. Kështu nënvizon në një videomesazh, kryetarja aktuale e Lëvizjes së Fokolarëve, Maria Voce, duke kujtuar 100-vjetorin e lindjes së themelueses së fokolarinëve, të cilët shërbejnë edhe në Shqipëri, që nga viti 1993.

         Maria Voce e përshkruan Chiara Lubich si “grua, e cila jetoi që të gjithë në botë të zbulojnë se janë vëllezër dhe se mund të krijohet një familje e bijve të Zotit, e bashkuar nga dashuria për njëri-tjetrin. Ajo lidhi marrëdhënie me gjithë njerëzit që takoi, pa u ndalur para ndryshimeve në kulturë, fe, seks, etni, moshë, sepse ishte e bindur se Zoti është Ati i të gjithëve, prandaj, të gjithë burrat e të gjitha gratë janë vëllezër e motra”.

         Kryetarja e Lëvizjes së Fokolarëve - lëvizje kishtare laike me karakter ekumenik, lindur pas Luftës II Botërore - fton “të mos kujtohet Chiara Lubich me nostalgji, por të jetohet karakteristika kryesore e fokolarinëve: njerëz të aftë të krijojnë marrëdhënie, ta pranojnë tjetrin pa paragjykime, pa skema, duke ndërtuar ura me të tjerët”. Në programin për kremtimin e 100-vjetorit të lindjes së Chiara Lubich, rëndësi të veçantë ka vizita e presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, i cili të shtunën do të shkojë në Trento, qyteti ku është lindur themeluesja e Lëvizjes së Fokolarëve.

22 janar 2020, 16:56