Kërko

bible-873315_960_720.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra e dytë e shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Javën e kaluar përfunduam komentin e Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve. Sot, do të fillojmë Letrën e tij të dytë, gjithnjë për grigjën e të krishterëve të Korintit. Ndjekim librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Letrat, që shën Pali shkroi për korintasit, në të vërtetë, janë katër. E para dhe e treta kanë humbur. E ne sot, mund të lexojmë vetëm të dytën dhe të katërtën. Nga ajo, që quajmë Letra e parë e Shën Palit apostull drejtuar Korintasve, mësuam se kjo bashkësi ishte sprovë për veprën misionare të apostullit, por, pasi lexuam 16 kapitujt e saj, me këshillat dhe qortimet e shën Palit, mund të mendojmë se tashmë çdo gjë e kishte gjetur udhën e vet e gjendja ishte përmirësuar.

Por, jo! Mund të duket e pabesueshme, por gjendja u keqësua edhe më! Fatkeqësisht, asnjë lloj “Himni për dashurinë” (himni i mrekullueshëm në kapitullin 16 të Letrës së parë) nuk qe i aftë t’i sistemonte disi konfliktet në bashkësinë e portit grek. Përkundrazi!

Shën Pali fyhet nga bashkësia e Korintit

Pasi u dërgoi Letrën, shën Pali shkoi vetë në Korint e, mund të themi se puna përfundoi keq e më keq. Apostulli u fye publikisht, ndoshta, nga fajtori për incest, për të cilin flet në Letrën e parë e, nga të tjerë, që nuk e mbrojtën, madje e akuzuan për arsye të ndryshme. U detyrua ta lërë bashkësinë.

Po ta mendosh mirë, kjo të ngjeth mishin. Apostulli i Dashurisë e i Korpit mistik të Krishtit, që, i frymëzuar nga Zoti, shkroi tekstet e para të Besëlidhjes së Re, pas Ungjijve, largohet me përbuzje dhe shahet e pështyhet. Nganjëherë, ne mendojmë se kohët e shën Palit kanë qenë të lehta, së paku, më të lehta se tonat, sepse atëherë Shpirti Shenjt bënte mrekulli, jo si tani! Mjafton të lexosh shën Palin për të kuptuar se Shpirti Shenjt bën gjithnjë mrekulli, por kohët nuk janë asnjëherë të lehta.

E vërteta është se Ungjilli përhapet vetëm përmes vuajtjes së dëshmisë dhe me ngushëllimin e Shpirtit të Zotit. Letra e dytë drejtuar Korintasve është monumenti, që shën Pali u ka lënë të gjithë atyre, që duan t’ia kushtojnë jetën Ungjillit deri në frymën e fundit. Është manifesti i atij, që nuk zmbrapset asnjë milimetër, edhe kur duket sikur kumti i tij nuk kuptohet e mesazhi dështon.

Kushedi a i njihte shën Pali fjalët e Krishtit, për të cilat shkruan shën Gjoni në Ungjill: “nuk është shërbëtori më i madh se zotëria i tij. Nëse mua më salvuan

edhe ju do t’ju salvojnë” (Gjn 15,20). Vështirë të dihet kjo, por sigurisht, këtë përvojë ai e ka jetuar personalisht.

Ngjarjet, që i paraprijnë Letrës së dytë

         Pasi iku nga Korinti, shën Pali është tepër i mërzitur e shkruan Letrën e tretë (që ka humbur) me lot në sy! Derdh aty dhimbje, pasion, dashuri e zemërim dhe e dërgon me shpresë se fjalët do t’i dëgjohen. Ka frikë të shkojë sërish në Korint dhe, në vend të tij, dërgon Titin, për të shmangur fyerje të tjera. Me zemër të plasur, pret kthimin e Titit.

         Fatmirësisht, lajmet janë të mira e më në fund, shën Pali mund të marrë frymë lirisht. Me këtë ngushëllim shpirtëror shkruan sërish për të falenderuar, për t’u dhënë zemër të krishterëve… por edhe për të sqaruar disa gjëra, që e bënë të vuajë në gjithë këtë histori. Ja si fillon Letra e tij:

         “Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim. Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim, me të cilin Hyji na ngushëllon ne” (2 Kor 1,3-4).

         Në një panegjirik të gjatë fjalësh, Pali dëshmon se është ngushëlluar nga lajmet e Titit e nga Hiri i Tënzot. Por, e di mirë se armiqtë e tij vazhdojnë të mbjellin keqkuptime, prandaj, i duhet të mbrohet e të sqarojë kush është problemi i vërtetë në Korint:

         “Në të vërtetë, nuk jemi si shumë tjerë, që po bëjnë tregti me fjalën e Hyjit, por flasim me çiltërsi si njerëz të dërguar prej Hyjit, para Hyjit në Krishtin” (2 Kor 2,17).

Shën Pali dhe judeasit e kthyer në krishterim

         Kush janë këta tregtarë? Me kë e ka apostulli? Ndoshta, me miqtë e tij të vjetër farisenj, që janë kthyer në krishterim, ashtu si ai vetë, por nuk janë aspak dakord me të, për shkak të teologjisë së tij, e cila e respekton kaq pak ligjin e Moisiut. Ja si shprehet shën Pali:

         “Ne jemi për Hyjin era e këndshme e Krishtit, për ata që shëlbohen e për ata që dënohen, për njërën palë era e vdekjes që shpie në vdekje e për palën tjetër era e jetës që shpie në jetë” (2 Kor 2,15-16).

         E që këtu, dallimi është i qartë, por Pali vazhdon edhe më ashpër:

         “[Krishti] na bëri të aftë të jemi mbarështues të Besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Shpirtit” (2 Kor 3,6).

         Shën Pali e çon deri në skaj këtë kundërshti, që, për shembull, në Ungjij nuk është kaq lapidare e, këtë e bën sidomos kur gjykon aleancën e Sinait dhe ligjin e Moisiut, që, në këtë mënyrë, ridimensionohet:

         “Bijtë e Izraelit nuk mundën të këqyrin në fytyrën e Moisiut për shkak të shkëlqimit të kalueshëm të fytyrës së tij… në qoftë se ajo që duhej të kalonte ishte e lavdishme, shumë më tepër duhet të jetë e lavdishme kjo që qëndron për amshim. Të fortë, prandaj, prej një shprese të tillë, flasim haptas e jo sikurse Moisiu, i cili vinte vel përmbi fytyrë, në mënyrë që izraelitët të mos e shihnin mbarimin e një shkëlqimi të kalueshëm” (2 Kor 3,7.11-13).

Fraza, që u bënë fortesa të mendimit teologjik të krishterë

         Dënimi pra, nuk pranon apel e, në hovin teologjik e retorik që e dallon, Apostulli i Popujve na lë disa fraza, që më vonë, u bënë fortesa të mendimit teologjik të krishterë:

         “Shkronja vret e Shpirti jep jetën… Zoti është Shpirt e aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria” (2 Kor 3,6.17).

         Kundërshtarët e Palit guxojnë t’i kundërvënë shkëlqimit të Ungjillit të Krishtit, vlerën e kalueshme të besëlidhjes së parë e, shën Pali i gjykon pa mëshirë:

         “Hyji i kësaj bote ua mori mendtë që të mos i ndriçojë drita e Ungjillit të lavdisë së Krishtit” (2 Kor 4,4).

         Në katër kapitujt e parë të Letrës së dytë të Shën Palit drejtuar Korintasve, praktikisht, gjejmë bazat e teologjisë biblike të krishterë, e cila del në pah pikërisht sepse apostulli u tregon vendin atyre, që e kritikonin dhe e fyenin. Por cilat janë karakteristikat e kësaj teologjie? Për këtë, ju ftojmë të ndiqni emisionin e ardhshëm.

09 janar 2020, 12:26