Kërko

Vatican News
Shën Pali apostull Shën Pali apostull 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Himni i shën Palit kushtuar Dashurisë

"Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, dashuria, nuk ka smirë, nuk mbahet në të madh, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka. Dashuria nuk mbaron kurrë…”

R.SH. - Vatikan

Jemi duke komentuar këto javë Letrën e parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve. Vërejtëm edhe javën e kaluar se shën Pali e bazon moralin, mësimin dhe qortimet e tij në besimin e plotë në Hirin e Tënzot, në gjithçka përmbush Hyji në Krishtin e në Shpirtin Shenjt. Sot e përfundojmë shqyrtimin e kësaj Letre të rëndësishme, gjithnjë, duke ndjekur librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia.

Shën Pali është si lojtari i ruletës ruse. Vë bast gjithnjë mbi të njëjtin numër e, sa më keq të shkojnë punët, aq më shumë ai vazhdon të vendosë gjithçka ka mbi atë numër. Të tjerët i thonë të ndryshojë e të shohë veprat e Ligjit, por ai jo, vazhdon deri në qindarkën e fundit. Po kush është shën Pali, në të vërtetë?

Njeriu i mëshiruar prej Zotit

E thotë ai vetë: njeri, që është mëshiruar prej Zotit e shi për këtë meriton besim. A e shihni si shprehet? Mund ta konsiderojmë gati të pacipë, sepse nuk ka turp t’u kërkojë të tjerëve ta imitojnë e nuk tregohet aspak i thjeshtë, kur thotë se ai vetë është njeri shpirtëror, që nuk mund të gjykohet nga askush. Shën Pali nuk e njeh pasigurinë, kur i duhet të flasë për gjithçka bëri Zoti me të. Mund të themi se Pali është fundamentalist e ekstremist i Hirit të Tënzot!

Misionar i palodhur i Ungjillit, pavarësisht nga temperamenti kolerik

E, pikërisht për këtë arsye, e ruan bipolaritetin edhe për sytë e atyre, që e lexojnë sot. Shën Pali shkruan me vrull e furi, qorton me zemërim e komandon me forcë. Mbrohet si bishë e plagosur, prandaj, të fut frikën aq sa miqtë e tij janë të paktë, edhe sot e kësaj dite. Por, shën Pali është edhe njeriu, që shkruan fjalë të jashtëzakonshme për dashurinë dhe bashkimin. Është ai, që flet për lirinë  e drejtësinë, si askush tjetër para tij në Bibël. Është misionari i palodhur i Ungjillit deri në skajet më të largëta të botës.

Për shumë vetë, ai s’është tjetër, veçse një maskilist e obskurantist, prepotent e mendjemadh; për të tjerë, shën Pali është viktimë e temperamentit të vet dhe e kthesës së diskutueshme në udhën e Zotit. Të tjerë, vijojnë ta shohin si lojtar fati, që luan për ta bërë të humbasë pronarin dhe e bën këtë, pasi është i sigurt se ka numrin fitimtar.

Vetëm Krishti! Vetëm feja! Vetëm Ungjilli!

Kur zbulon se Jezusi i kryqëzuar është ngjallur, se Krishti është ligji, se Krishti është hiri, se Krishti është drejtësia, shën Pali e shndërron gjithë mllefin e vet. E bën dashuri gjithë përvujtërinë e vet para atij Krishti, të cilin, më parë, e persekutonte. Hedh poshtë të gjitha siguritë njerëzore, të cilat nuk i lejon më të kthehen e ta ligështojnë kryqin e Krishtit.

Vetëm Krishti! Vetëm feja! Vetëm Ungjilli! Vetëm Hiri! Vetëm dashuria! U shpall luftë judeo-kristianëve dhe veprave të Ligjit; u shpall luftë paganëve, dijes së tyre, gnosticizmit e pasioneve të tyre. Shën Pali sheh në ta veç njeriun prej mishi, njeriun e vjetër, që e mohon dhe e kundërshton krijimin e njeriut të ri: njeriun shpirtëror.

Njeriu shpirtëror

Për ta kuptuar këtë njeri të mistershëm dhe idenë e tij të fesë e të krishterimit, nuk ka përkufizim më të mirë, se ai, që gjejmë në Letrën e tij fantastike:

“Njeriu shpirtëror i shqyrton të gjitha, por ai nuk mund të shqyrtohet prej askujt, sepse… e ka mendimin e Krishtit” (1 Kor 2,15.16).

“E ka”, pra, e zotëron: fjalë e fuqishme kjo! Njeriu me shpatë gjeti Hirin e Tënzot, megjithëse edhe këtë e përdor si shpatë. Ky është mëkati më i madh i shën Palit! Por pa apostullin e pa këtë Letër të tij, nuk do ta kishim marrë vesh kurrë ç’është Hiri i Tënzot e ç’është dashuria.

Himni kushtuar Dashurisë

Prandaj, s’mund të mos e mbyllim komentin e Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve, pa Himnin e famshëm kushtuar Dashurisë, në kapitullin 13, sepse ai na tregon, më shumë se gjithçka tjetër, si u çlirua zemra e atij vetë nga errësira e së kaluarës, nga lodhja e misionit, nga pasionet e njeriut të vjetër e si u shndërrua në pasqyrën e përsosur të njeriut të ri:

“Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por të mos kisha dashurinë, do të isha porsi bronzi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon. Po ta kisha dhuratën e profecisë e t’i dija të gjitha misteret e të gjitha dituritë; po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mund t’u shndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë! Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time dhe po ta jepja trupin tim të digjej, por, po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë! Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, dashuria, nuk ka smirë, nuk mbahet në të madh, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka. Dashuria nuk mbaron kurrë…” (1 Kor 13,1-8)

02 janar 2020, 13:51