Imzot Bruno Forte Imzot Bruno Forte 

Bruno Forte: Varianti i ri i Atynës i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, “hyn në përdorim nga data 29 nëntor”.

Kryeipeshkvi i Chieti-Vastos, teolog i njohur italian, jep njoftimin për datën e daljes të Mesharit të ri, me Atynën e modifikuar dhe shpjegon arsyet që i shtynë ipeshkvijtë italianë për ta ndryshuar shprehjen “non indurci in tentazione” (mos na shtyj në tundim). Zoti na do, nuk na ngre kurthe për të rënë në mëkat- sqaron.

R. SH. - Vatikan

Imzot Bruno Forte, kryeipeshkëv i Chieti-Vasto, kryetar i Konferencës abruceze-molisane e teolog i njohur, e jep i pari  lajmin  se “Meshari me variantin e ri të Atynës, sipas dëshirës së Konferencës Ipeshkvnore Italiane, do të dalë ndonjë ditë pas Pashkëve të ardhshme”. Në lutje, thirrja drejuar Zotit “mos na shtyj në tundim”, zëvendësohet me një përkthim më të përshtatshëm, duke nisur nga Meshët e 29 nëntorit të këtij viti, e para e Diel e Ardhjes.

Imzot Forte, pse ipeshkvijtë italianë vendosën ta modifikojnë një nga lutjet e krishtera më të lashta e më të njohura?

“Për t’i qëndruar besnikë ndjeteve të shprehura nga lutja e Jezusit si dhe origjinalit grek. Në të vërtetë origjinali grek përdor një folje, që ka kuptimin “çona, “prina”, që të mos biem në tundim e që, në latinisht, mund të të kujtonte shprehjen greke. Ndërsa në italisht “indurre” do të thotë “shtyj”, domethënë bëj që kjo të ndodhë. E dukej jo pak e çuditshme t’i drejtoheshe Zoti me fjalët: “Mos na shtyj të biem në tundim”. Thënë shkurt, përkthimi ‘mos na shtyj të biem në tundim’ nuk  ishte besnik”.

E atëhere ipeshkvijtë italianë menduan të bëjnë një përkthim më të përshtatshëm…

“Ishte një pikëpyetje pothuajse për të gjithë ipeshkvijtë e botës. Për shembull në spanjisht, gjuha më e folur nga katolikët e Planetit, thuhet: ‘bëj që të mos biem në tundim”. Në frengjisht, pas shumë diskutimesh, u kalua nga përkthimi “mos na nënshtro tundimit” në formulën e sotme “mos na lërë t’i nënshtrohemi tundimit”.  Pra, ideja për t’u shprehur është kjo: Zoti ynë, që është Zot i mirë e i madh në dashuri, na ndihmon të mos biem në tundim. Propozimi im personal ishte të përkthehej  me shprehjen “ndihmona të mos biem në tundim”, a “mos na lërë të biem në tundim” por, meqë në Biblën e Konferencës Ipeshkvnore Italiane përkthimi i zgjedhur është “mos na brakstis në tundim”, në fund ipeshkvijtë, për të respektuar  përkimin  ndërmjet tekstit biblik zyrtar dhe litugjisë,  zgjodhën variantin e fundit”.

Shumë teologë e pastorë vërejnë se shprehja e moçme “mos na shtyj në tundim”  të kujton provat që Zoti mund të na i çojë në jetën tonë….

“Një gjë është prova, në përgjithësi, e tjetër gjë termi, që  përdoret në lutjen e Atynës, i njëjti që përdoret edhe në Ungjillin e Lukës, kur bëhet fjalë për tundimet e Jezusit, që janë tundime të vërteta. Atëhere këtu nuk bëhet fjalë thjesht për ndonjë provë të jetës, por për tundime të vërteta. Për ndonjë gjë a ndokënd, që na shtyn të bëjmë keq ose që dëshiron të na ndajë nga bashkimi me Zotin. Ja pra pse shprehja ‘tundim’ është e saktë e edhe folja, që  përkon me të, duhet të jetë e tillë, që prej saj të kuptohet se Zoti ynë është Zot që të mbështet, që të ndihmon për të mos rënë - e jo për të rënë - në tundim. Nuk është Zot, që të ngre kurthe. Kjo ëshë ide krejtësisht e papranueshme”.

A mendoni se ky ndryshim mund të shkaktojë ndonjë problem tek besimtarët, të mësuar siç janë,  me variantin e vjetër?

“Në thelb, modifikimi është shumë i kufizuar. Nuk besoj se mund të krijojë probleme të mëdha.  Duhet t’i ndihmojmë njerëzit të kuptojnë se nuk është ndryshim në vetvete, por përpjekje për t’u lutur në një mënyrë gjithnjë më të vetëdijshme e më afër ndjeteve të vetë Jezusit”.

30 janar 2020, 11:31