Me 31 janar kalendari kishtar kujton Shën Gjon Boskun
R.SH. - Vatikan
Me 31 janar kalendari kishtar kujton Shën Gjon Bosko-n, themelues i Salezianëve, atë dhe mësues i të rinjve. Shenjtorët dëshmojnë se bamirësia dhe shërbimi duhet të zënë vendin e parë në jetën e të krishterit. Këtë na kujton edhe shembulli frymëzues i Shёn Gjon Bosko-s, i cili nё epokën moderne, i përflakur nga dashuria e Jezusit, Bariut të Mirë, nis të kujdeset për të rinjtë më të braktisur e bëhet për ta atë e mësues.
Gjon Bosku, pajtor qiellor i studentëve e i botuesve, meshtar torinez, lindi në vitin 1841, vdiq më 31 janar 1888, dhe u kanonizua nga Papa Piu XI në vitin 1934. Shenjti kujtohet si krijues i Oratorëve, vend takimi e dëfrimi për të rinjtë, edukimit të të cilëve Shenjti ia kushtoi gjithë jetën, dhe si themelues i vëllezërve Salezianë dhe i motrave Saleziane. Familja saleziane është një lis madhështor, me rrënjë të ngulura thellë në trojet e të pesë kontinenteve: në metropole, në fshatra, në vijat e kufirit, në vise misionare, në vende të ungjillëzuara e të paungjillëzuara. Megjithatë, këto rrënjë duhen fuqizuar, duhen inkulturuar vazhdimisht, sepse prej tyre buron limfa, që i mban degët gjithnjë të blerta. E kanë tepër nevojë për limfë të re këto degë, në sa bota e ndjen gjithnjë më shumë krizën edukative në radhët e të rinjve.
Apostull i madh i të rinjve, Shёn Gjon Bosko qe për ta atë dhe udhëheqës në rrugën e shëlbimit, duke i edukuar me metoda bindëse, me shpirt të vërtetë feje, me dashurinë që ndihmon për t’i shmangur gabimet e jo për t’i ndëshkuar. Të rinjtë e dom Boskos ishin të rinjtë e Torinos, të industrializmit të parë, që dyndeshin nga fshati në qytet, në kërkim të punës e të bukës, e atje braktiseshin, shfrytëzoheshin nga punëdhënësit, harroheshin nga autoritetet civile. Dom Bosko u bë për ta atë, mësues, mik. E themeloi atë, që njihet me emrin Oratorio, një shtëpi në të cilën të rinjtë mësonin ta donin njëri-tjetrin. Ja pra, me pak fjalë, mësonin të bëheshin shenjtorë në një mënyrë shumë të thjeshtë e të përshtatshme për moshën e tyre. Po kujtojmë vetëm fjalët e Shën Dedës Savio: “Për ne shenjtëri do të thotë të jemi gjithnjë plot gëzim”.
Ndoqi modelin e Françeskut nga Sal, prandaj metoda e tij edukuese dhe apostolike ka frymën e humanizmit të krishterë, plot me dritë ungjillore. Njëri ndër frytet më të shkëlqyeshëm të pedagogjisë së tij, Shën Domenik Savio, pesëmbëdhjetëvjeçari që e kishte kuptuar mësimin e mësuesit: “Në këtu, në Shkollën e dom Boskos, shohim se shenjtëri do të thotë të jemi shumë të hareshëm dhe të përmbushim plotësisht detyrat tona”.
Kujtojmë se familja rregulltare Saleziane është e pranishme ndër shqiptarë. Në Shqipëri që në vitet ’30 dhe pas ndërprerjes gjatë periudhës komuniste, në vitin 1992 rregulltarët salezianë janë kthyer menjëherë, për të ngritur oratorët dhe qendrat e tyre sociale në Tiranë e në Shkodër, në sa prej vitesh vijojnë misionin në Prishtinë e Gjilan të Kosovës, dhe në Podgoricë të Malit të Zi.
Të guximshëm në shpalljen e Ungjillit e të durueshëm me të rinjtë.
Saleziani shqiptar dom Domenik Qerimi flet për karizmën dhe misionit të Salezianëve dhe të motrave Saleziane, posaçërisht për misionin me të rinjtë në Uratorore, ta dëgjojmë..