Kërko

Vatican News
Santa Agnese Santa Agnese  (© Musei Vaticani)

Me 21 janar kalendari kujton Shën Anjëzën, virgjër e martire

Shën Anjezja u martirizua në rrugën romake Nomentana aty nga fillimi i shekullit IV, pa i mbushur ende 12 vjetët, duke dëshmuar Krishtin, ndërsa shumë besimtarë nuk e patën guximin t'i vinin kokat nën tehin e shpatës së armiqve të Qengjit Hyjnor që shlyen mëkatet e botës.

R.SH. - Vatikan

Me 21 janar, kalendari liturgjik romak kujton Shenjtën virgjër e martire romake, Anjëzën, kulti i së cilës është shumë i lashtë, gjë që e vërteton prania e emrit të saj në Kanunin Romak, pranë e pranë me emrat e martirëve më të njohur të Kishës si: Luçia, Çeçila,  Anastasi, Perpetua e Feliçita e të tjerë.

Nuk dimë asgjë për familjen e Shën Anjezes. Vetë emri i saj, që vjen nga greqishtja e do të thotë ‘e pastër’ ose e ‘dlirë’, mund të jetë përdorur simbolikisht për të vënë në dukje cilësitë e vashës. Sipas mendimit të shumë studiuesve, Anjezja mund të ketë derdhur gjakun për  fenë e saj në Krishtin më datën 21 janar të një viti të papërcaktuar, gjatë persekutimit të Valerianit (258-260), por disa të tjerë mendojnë se u martirizua nën Dioklecianin në vitin 304. Historia tregon se kjo kohë pati një numër aq të madh të krishterësh të martirizuar, sa meritoi titullin ‘epoka e martirëve”.

Edhe Anjezja e vogël iu nënshtrua këtij persekutimi. Shumë të dhëna për shenjtoren gjinden në ‘Depositio Martyrum’, të kalendarit më të lashtë të Kishës romake, shkruar në vitin 336; por edhe në Martiriologun kartagjenas të shekullit IV; në “De Virginibus’ të Shën Ambrozit, shkruar në vitin 377 si dhe në oden 14 të ‘Peristefhanon” të poetit spanjoll Prudenci e, së fundi në disa vargje të Papës shenjt Damasit, që ruhen edhe sot në lapidarin e lashtë, murosur në bazilikën romake të Shën Anjezes jashtë mureve.

Nga gjithë këto të dhëna, mund të themi se Anjezes iu pre koka në moshën 13 vjeçare për shkak të besimit të saj të palëkundshëm në Krishtin. Në himnin ambrozian “Agnes beatae virginia” përshkruhet sesi vasha, në çastin e martirizimit, mbulonte me kujdesin më të madh, me palën e petkut, trupin e saj virgjëror, në sa fytyra i humbiste krejtësisht mes flokëve të gjatë e të dendur. Mbetej, kështu, e dlirë, si kishte jetuar; martirizohej për ta ruajtur virgjërinë e saj për Zotin.

Pas vdekjes, trupi i martires u varros në një nga galeritë e njërës nga varrezat e krishtera në rrugën Nomentana, në Romë. Më pas mbi varrin e saj, Kostandina, e bija e Kostandinit të madh, ndërtoi një bazilikë për ta falënderuar shenjtën, që kishte ndërmjetësuar pranë Zotit për shërimin e saj. Me kohë, pranë Bazilikës lindi një nga manastiret më të njohura romake. Kafka e Shën Anjezes ruhet në ‘Sancta Sanctorum’, në kapelën papnore në Bazilikën e Lateranit, ndërsa pjesa tjetër e trupit, në Bazilikën kushtuar Shenjtës.

Nga gjithë këto të dhëna, mund të arrijmë në përfundimin se Anjezja u mbyt në moshën trembëdhjetë vjeçare, për të ruajtur fenë e virgjërinë. Ambrozi e Prudenci mendojnë se iu pre koka, ndërsa shën Damazi, se u dogj e gjallë. Besohet se vajza i pësoi të dy mundimet: u vu mbi turrë të druve, por flakët u larguan prej saj e u turren drejt atyre që i kishin ndezur. Atëherë u mbyt me shpatë. Vjen deri në kohët tona përshkrimi i çastit të fundit, kur Virgjëra e njomë u afrua me çap të shpejtë tek xhelati, u lut, liroi qafën nga kurora e dendur e flokëve të mrekullueshëm dhe zgjati kokën, që u rrokullis sakaq nën tehun e shpatës. Pësoi, kështu, një martirizim të dyfishtë: derdhi gjakun për të mbrojtur fenë e krishterë dhe virgjërinë.

Lutja drejtuar Shën Anjezes:
O e bindshmja Shën Anjeze,
sa ngazëllim të madh provove kur,
në moshë të njomë, trembëdhjetë vjeçare,
e dënuar nga Aspasi për t’u djegur e gjallë,
i pe flakët duke u larguar prej teje
pa të prekur fare e duke iu turrur atyre, që dëshironin vdekjen tënde.
Pash gëzimin shpirtëror, me të cilin more goditjen e fundit,
duke e lutur ti vetë xhelatin të ta ngulte në mes të kraharorit
shpatën, që do kryente flijimin tënd,
na e nxjerr edhe ne hirin t’i durojmë, si ti, të gjitha persekutimet
t’i mbartim të gjitha kryqet, me të cilët vihemi në provë,
e ta duam gjithnjë më shumë Zotin,
për të qenë në gjendje ta vulosim me vdekjen e të drejtëve,
një jetë të kaluar me pendesë e flijim. Amen!

21 janar 2020, 12:22