Kërko

Santi Basilio Magno e Gregorio Nazianzeno Vescovi e dottori della Chiesa Santi Basilio Magno e Gregorio Nazianzeno Vescovi e dottori della Chiesa 

Më 2 janar kalendari kujton shën Bazilin e Madh e shën Gregorin Nazianzenin

Kalendari i 2 janarit përkujton shën Bazilin e Madh dhe Shën Gegën (Gregorin) Nazanzienë, ipeshkëvijë e doktorë të Kishës. Shën Gregori ka rëndësi për historinë e kombit dhe të Kishës shqiptare sepse në veprën e tij “Fjalimi kundër Arianizmit” na informon se rreth vitit 44 pas Krishtit Shën Andreu apostull përhapi ungjillin në Greqi dhe Epir, i cili aso kohe përfshinte Janinën, Delvinën, pjesën jugore të Vlorës dhe pjesën veriore të Trikalisë.

R.SH. - Vatikan

Më 2 janar kalendari kishtar kujton Shenjtorët Bazilin i Madh e Gregorin Nazianzeni, ipeshkvij e doktorë të Kishës.

Shën Bazili i Madh, ipeshkëv e doktor i Kishës, lindi në vitin 330 në Kapadokie të Çezaresë, sot qyteti turk Kaizeri. Ishte bir i një familjeje tepër të përshpirtshme. Përveç prindërve, edhe tre nga nëntë vëllezërit e tij, u shpallën shenjtorë. Para se të ishte ipeshkëv në vendlindje, jetoi në Palestinë e në Egjipt. Vdiq ende i ri, 49 vjeç, por gjatë këtyre viteve zhvilloi një veprimtari aq të dendur, aq të pasur me predikime e vepra, sa të meritonte titullin’ i Madh’. Meshtar u shugurua rreth vitit 364 në duart e Euzebit të Çezaresë, të cilin e zëvendësoi në katedrën ipeshkvnore, në vitin 370. Gjatë shërbimit të tij ipeshkvnor iu kundërvu me të gjitha forcat herezisë ariane. Vdiq më 1 janar të vitit 379 në Çezare, ku edhe u varros.

Papa i nderit Benedikti XVI i ka kushtuar Shën Bazilit dy audienca të përgjithshme: atë të 4 korrikut dhe të 1 gushtit të vitit 2007.

Shën Bazili – na kujton Benedikti XVI - mund të konsiderohet një nga etërit e Doktrinës Shoqërore të Kishës; me jetën e me shkrimet e tij na fton të reflektojmë për misterin e Hyjit, të pranojmë se veprat e dashurisë së krishterë kanë rëndësi të dorës së parë për të shprehur fenë e t’i nxisim, si Ai, të rinjtë, për të kërkuar me ngulm të vërtetën.

Ky Atë i Kishës, që jetoi në shekullin IV, është tepër aktual, pohon Benedikti XVI: “Së pari, pse na nxit për një pjesëmarrje të vëmendshme, kritike e krijuese në kulturën e sotme; pastaj për përgjegjësinë shoqërore, në kohën kur në botën e globalizuar edhe popujt gjeografikisht të largët, janë vërtetë i afërmi ynë; për miqësinë me Krishtin, me Hyjin që ka fytyrë njerëzore e, së fundi për njohjen e Hyjit krijues, Atë i të gjithëve. E vetëm në se ia hapim zemrat këtij Hyji, që është Ati ynë i përbashkët, mund të krijojmë një botë të drejtë, një botë vëllazërore”
Papa Ratzinger kujtoi thirrjet e vazhdueshme që Shën Bazili u drejtonte besimtarëve për t’i shfrytëzuar energjitë që burojnë nga Pagëzimi në drejtim të Eukaristisë, për të mos përbuzur asnjë njeri e për të mos e fyer Krishtin, duke u sjellur në mënyrë çnjerëzorë me të tjerët. Kur ia ngulim sytë Krishtit – na kujton Shenjti, e kuptojmë plotësisht ç’do të thotë dinjiteti i njeriut

Shën Bazilit i kushtoi vëmendje të posaçme studimit të klasikëve të letërsisë greke e latine. Na mëson se:  “Duhet marrë nga tekstet e autorëve klasikë ajo, që është bindëse e që përkon me të vërtetën: e kjo duhet bërë duke i parë me sy kritik, duke dalluar të mirën nga e keqja. Këta libra duhen përdorur duke ndjekur shembullin e bletëve. Ato shkojnë të thithin nektar lule më lule, por nuk thithin gjithçka, marin vetëm atë që u duhet për të bërë mjaltin e të tjerat i lënë. Edhe ne, në se jemi të urtë, marrim nga këto shkrime atë që na duhet, që përkon me të vërtetën e lëmë mënjanë atë që nuk na shërben”.
 
Shën Gregori i Nazianzenit, ipeshkëv e doktor i Kishës, lindi në Nazianzo, Nemisi i sotëm në Turqi, në vitin 330. Formimin kulturor e zellin mistik i mori përkrah Bazilit, me të cilin e lidhi një miqësi e ngushtë. Shkruan Ati i Kishës: “Na printe e njëjta etje për të ditur… gara jonë nuk kishte për qëllim që secili të dilte i pari, por që secili ta mundësonte tjetrin të ishte i pari. Dukej sikur kishim një shpirt të vetëm në dy trupa”.

U zgjodh Patrik i Kostandinopojës në vitin 381. Njeri me temperament teologu e me aftësi të dukshme drejtuesi, në veprat e tij oratorike e poetike përshkruan përvojën e Krishtit të gjallë e veprues në misteret e shenjta.  Mbrojtës i vendosur i fesë trinitare, Gregori luftoi me të gjitha forcat kundër herezisë ariane, e cila në shekullin IV ishte vënë në shërbim të perandorëve. I pëlqente vetmia. Për të gjëja më e madhe ishte t’i bësh ndjenjat tua të heshtin, të dalësh nga korpi e nga bota, të mbyllesh në vetvete, të mos merresh fare me punët e njerëzve, përveç atyre që janë vërtetë të domosdoshme; të flasësh me vete e me Hyjin, të jetosh një jete të padukshme, jashtë sendeve të dukshme; ta kesh shpirtin plot me figura hyjnore gjithnjë më të kulluara, krejt të papërziera me format tokësore e të gabuara .

Një herë pati thënë: “Duke mos folur, mësojmë të heshtim, por duke heshtur, në qetësi të plotë, mësojmë të flasim më mirë”. E kur nuk ishte më në gjendje të ndërmjetësonte, për të pajtuar grupet kundërshtare në gjirin e Kishës, shkroi: “Më lini të pushoj pas lodhjes së vazhdueshme, kini respekt për flokët e mi të bardhë… U lodha duke dëgjuar qortime pas qortimesh kundër dashamirësisë sime, u lodha së luftuari kundër thashemnajës e kundër zilisë, kundër armiqve e kundër tanëve. Njëra palë ma ngul thikën në kraharor e më dëmton më pak, sepse është e lehtë ta përballosh armikun ballpërballë. Ndërsa të tjerët më spiunojnë pas shpine e më shkaktojnë kështu një vuajtje edhe më të madhe, sepse goditja e të mive më hap plagë shumë më të thella. Nuk mund ta përballoj më këtë luftë e nuk e di në se mund t’i pajton njerëz të tillë... për shkak të të cilëve populli është ndarë në dy kampe. E jo vetëm populli, por edhe Lindja e Perëndimi u ndanë në dy kampe kundërshtare!”. (Fjalime 42, 20-21).

Pa Zotin, njeriu e humbet madhështinë e tij, pa Zotin nuk ka humanizëm të vërtetë: këtë mësim na jep Gregori i Nazianzit – sipas Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme të 8 gushit 2007. Atë i Kishës, qe gojëtar i shkëlqyer e mbrojtës i fesë. Në homelitë e tij, vuri gjithnjë në plan të parë Zotin.

Njeri i rafinuar, i ndjeshëm e i kulturuar, ai zgjodhi rrugën e jetës murgare, rrugën e meditimit filozofik e shpirtëror: kështu e përshkroi Papa i nderit Benedikti XVI Gregorin e Nazianzit, autor i ‘Fjalimeve teologjike”, i homelive e i teksteve poetike, që vijojnë t’u flasin edhe njerëzve të kohëve tona: “Është njeri që bën të ndjehet përparësia e Zotit, e prandaj na flet edhe ne, i flet edhe botës sonë. Pa Zotin, njeriu e humbet madhështinë; pa Zotin nuk ka humanizëm të vërtetë. Ta dëgjojmë, prandaj, këtë zë e të përpiqemi ta njohim edhe ne fytyrën e Zotit”.
Gregori i kushtonte vëmendje të dorës së parë teologjisë: “Për të nuk ishte vetëm reflektim njerëzor ose fryt i mendimeve të thella e të ndërlikuara, por rrjedhojë e jetës së kaluar në lutje e shenjtëri, e dialogut të vazhdueshëm me Hyjin. E pikërisht kështu arsyes sonë i shfaqet realiteti i Hyjit, misteri trinitar”.

Joseph Ratzinher përshkruan edhe ngurrimin me të cilin Gregori i Nazianzit e priti shugurimin meshtarak: kishte merak se do t’i rrëmbente kohën e lutjes, të takimit me Hyjin, ndonëse pastaj bëri dëgjesën, duke e pranuar shërbimin baritor e duke shkuar, ashtu si ndodh shpesh herë në jetë, atje ku nuk deshi të shkonte. Ashtu si për shugurimin meshtarak, Gregori ngurroi edhe para se të shugurohej ipeshkëv. Por iu desh ta pranonte edhe këtë shërbim. E si ipeshkëv i Sazimës e pastaj edhe i Kostandinopojës, u detyrua të përballojë shumë vështirësi, kundërshtime e armiqësi – tha Papa Ratzinger dhe në vijim citoi fjalët Gregorit: “E ndamë Krishtin, ne që e donim aq shumë Hyjin e Krishtin! Gënjyem njëri-tjetrin, për shkak të së vërtetës, ushqyem ndjenja urrejtjeje, për shkak të dashurisë, u ndamë nga njëri-tjetri”.

Shën Gregori ka rëndësi për historinë e kombit dhe të Kishës shqiptare sepse në veprën e tij “Fjalimi kundër Arianizmit” na informon se rreth vitit 44 pas Krishtit Shën Andreu apostull përhapi ungjillin në Greqi dhe Epir, i cili aso kohe përfshinte Janinën, Delvinën, pjesën jugore të Vlorës dhe pjesën veriore të Trikalisë.

02 janar 2020, 12:22