Gjona Pagezuesi:  ‘Ja Qengji i Zotit. Ai që shlyen mëkatin e botës' Gjona Pagezuesi: ‘Ja Qengji i Zotit. Ai që shlyen mëkatin e botës' 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të gjatë vitit kishtar 'A'

Jezusi është Ai që ia shlyen mëkatin botës.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së dytë gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Pas festës së Pagëzimit të Jezu Krishtit, që mbylli kohën e Krishtlindjes, kjo e diele, me të cilën hyjmë në Kohën e rregullt gjatë vitit kishtar, përmes fragmentit të Ungjillit, na fton ta përqendrojmë vështrimin tonë mbi Epifaninë – Dëftimin e Zotit, që vazhdon, pra, të përqendrohet mbi dëftimin e misterit të Jezu Krishtit.

Pjesa e Ungjillit, nga Gjoni apostull e ungjilltar (Gjn 1,29-34), na ofron dëshminë e Gjon Pagëzuesit, i cili na fton ta njohim në Jezusin Qengjin e Zotit, që i heq mëkatin njerëzimit sepse e merr mbi vete. Pjesa Ungjillit na sjell, nё mënyrë tё veçantë, tek pohimi i Shën Gjon Pagëzuesit, që e kumtonte Jezusin me fjalët: “Ja Qengji i Hyjit, Ai që shlyen mëkatin e botës!”. Ky ështё njё pohim i rёdesishёm, madje, vendimtar për fenë tonë tё krishterë, e vendimtar është edhe për misionin e çdo tё krishteri e tё Kishës mbarё.

Kisha, në çdo kohë, është e thirrur të bëjë atë, që bëri Gjon Pagëzuesi, duke ua treguar Jezusin njerëzve e duke thënë: ‘Ja Qengji i Zotit. Ai që shlyen mëkatin e botës!’. Ai, Jezu Krishti është i vetmi Shëlbues! Ai është Zoti, i përvuajtur ndërmjet mëkatarëve, por është vërtet Ai! Nuk vjen ndonjë i pushtetshëm tjetër! Jo! Është Ai, Jezusi qё na liron nga mëkati e nga vdekja e përjetshme.

Kёshtu, misterin e fesë sё krishterë, e kemi tё përmbledhur në gjestin kryesor liturgjik: ‘Ja Qengji i Zotit. Ai, Jezu Krishti që shlyen mëkatin e botës!’ Këto janë fjalët, që meshtarët i përsërisin çdo herё dhe çdo ditë gjatë kremtimit tё Eukaristisë, gjatё Meshës, kur ia paraqesin popullit bukën dhe verën të shndërruara në Korpin dhe në Gjakun e Krishtit. Ky gjest liturgjik përfaqëson gjithë misterin e krishterë e gjithё misterin e Kishës, e cila nuk kumton vetveten, po pikërisht Krishtin, Qengjin e Zotit, që shlyen mëkatin e njerëzimit.

Ashtu si kishte parafolur Gjon Pagëzuesi në fillim të misionit publik të Jezusit: “Ja Qengji i Hyjit! Që ia shlyen mëkatin botës”, edhe Kisha pohon se Jezusi – Qengji i Hyjit, dashuria e Atij që është njëherësh Bir e Hyj dhe njeri i vërtetë, njëri nga ne, ky Qengj me flijimin e jetёs sё tij mbi Kryq mund të shpëtojë njerëzimin.

Dashuria e Jezu Krishtit, dashuria me të cilën Ai dhurohet vullnetarisht për ne, është ajo që na shëlbon. Gjesti i përmallshëm, në një farë mënyre i pafryt, që ishte flijimi i qengjit të pafaj e të panjollë, gjeti përgjigje në Atë, Jezu Krishtin që u bë për ne qengj e tempull njëherësh. E domethënia e gjithë misionit të Kishës ёshtё nё kёtё pohim e nё kёtё kumtim: ‘Ja Qengji i Zotit. Ai që shlyen mëkatin e botës. Ai, e vetëm Ai, Jezu Krishtit ёshtё që e shpëton popullin e vet nga mëkati, e çliron dhe i prin në tokën e jetës e të lirisë së vërtetë nё Përjetësi.

                                                                  Liturgjia e Fjalës

Lexim prej Isaisë profet (Is 49,3.5-6)
Hyji më tha: “Shërbëtori im je, o Izrael, në të cilin do ta dëftoj lavdinë time!” E tani thotë Zoti që më trajtoi që nga kraharori shërbëtor për vete, për t’ia kthyer Jakobin Atij, për ta mbledhur rreth tij Izraelin. U bëra i lavdishëm ndër sytë e Zotit, Hyji im u bë fuqia ime. Ai më tha: “Tepër pak është të më jesh shërbëtor për t’i rilindur fiset e Jakobit, për t’i riatdhesuar Tepricat e Izraelit: por të caktoj të jesh drita e popujve që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës!” Fjala e Zotit

Psalmi 40 (39)
Ref: Ja, po vij, o Zot, për ta kryer vullnetin tënd
_______________
Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin
dhe ai u prirë drejt meje,
e vështroi britmën time.
Në gojë më vuri një këngë të re,
himnin e Zotit, Hyjit tonë.
_____________
Fli e dhurata ti nuk do,
vetë ma zbulove vullnetin tënd:
fli shkrumbimi e
pendestare
nuk kërkon,
atëherë thashë: “Ja, po vij unë.
_____________
Në Librin e Ligjit shkruan për mua:
Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj,
Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime”.
_____________
Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut,
shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di.
_____________

Leximi i dytë (1 Kor 1, 1-3)

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Pali, për vullnet të Hyjit, i grishur të jetë apostull i Krishtit
Jezus, edhe vëlla Sosteni, Kishës së Hyjit që është në Korint, të shenjtëruarve në Krishtin Jezus, të grishurve të jenë shenjtër, bashkë me të gjithë ata, që në cilindo vend e thërrasin Emrin e Zotit tonë, Jezu Krishtit, Zotit të tyre dhe tonë. Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht! Fjala e Zotit!

ALELUJA, Aleluja.
E Fjala u bë njeri, e banoi ndër ne.
Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit.
Aleluja.

Ungjilli (Gjn 1, 29-34)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Gjoni e pa Jezusin duke ardhur kah ai e tha: “Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës! Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Pas meje vjen një njeri, i cili është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!’ Nuk e kam njohur as vetë, por arsyeja pse erdha e jam duke pagëzuar me ujë është që ky t’i zbulohet Izraelit.”
Gjoni dëshmoi edhe: “E pashë Shpirtin Shenjt tek zbriti prej qiellit porsi pëllumb dhe zuri vend mbi të. Unë nuk e njihja atë, porse Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, Ai edhe më tha: ‘Në atë që të shohësh se zbret Shpirti Shenjt dhe zë vend në të, ai është që pagëzon me Shpirtin Shenjt.’ Unë e pashë dhe dëshmoj: Ky është Biri i Hyjit.” Fjala e Zotit!

17 janar 2020, 17:47