Kërko

Pope Francis blesses faithful from the balcony of St Peter's basilica during the traditional "Urbi et Orbi" Christmas message to the city and the world, on December 25, 2019 at St Peter's square in Vatican. (Photo by HO / VATICAN MEDIA / AFP) Pope Francis blesses faithful from the balcony of St Peter's basilica during the traditional "Urbi et Orbi" Christmas message to the city and the world, on December 25, 2019 at St Peter's square in Vatican. (Photo by HO / VATICAN MEDIA / AFP)  

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës

Një javë me Papën Françesku e me Kishën Katolike, në takimet e në veprimtaritë më të rëndësishme.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku në “Urbi te Orbi”

“Krishti qoftë dritë për gjithë fëmijët, që vuajnë nga luftrat e konfliktet në Lindjen e Mesme e në shumë vende të botës. Qoftë ngushëllim për popullin e dashur sirian, i cili akoma nuk po ua sheh fundin armiqësive, që e përçanë vendin gjatë këtij dhjetëvjeçari. I shkundtë ndërgjegjet e njerëzve vullnetmirë. I frymëzoftë qeveritarët dhe bashkësinë ndërkombëtare për të gjetur zgjidhje, që garantojnë sigurinë dhe bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve të rajonit e u dhashtë fund vuajtjeve të tyre. Qoftë mbështetje për popullin libanez, që të dalë nga kriza aktuale e të rizbulojë thirrjen e tij për të qenë lajmëtar lirie dhe bashkëjetese të harmonishme për të gjithë”. Këto ishin fjalët e Papës Françesku në mesazhin tradicional “Urbi et Orbi” për Krishtlindjen e sivjetme. Më 25 dhjetor, Ati i Shenjtë e shqiptoi për më se 55 mijë besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, por edhe për ata, që e dëgjonin përmes radios e televizionit, në gjithë botën.

“Zoti ynë Jezu Krisht qoftë dritë për të gjithë. Emmanueli qoftë dritë për mbarë njerëzimin e plagosur. Na e zbutët zemrën, që shpesh bëhet gur dhe egoiste e, na ktheftë në mjete të dashurisë së Tij. Përmes fytyrave tona të mjera, u dhashtë buzëqeshjen e Tij fëmijëve të mbarë botës: të braktisurve e të dhunuarve. Përmes krahëve tanë të ligshtë, i veshtë të varfërit, që nuk kanë me se të mbulohen; u dhashtë bukë të uriturve, u kujdestë për të sëmurët. Përmes afërsisë sonë të brishtë, - përfundoi mesazhin Ati i Shenjtë, para se t’u jepte të gjithëve bekimin ‘Urbi et Orbi’ - qoftë pranë të moshuarve e të vetmuarve, pranë migrantëve e të mënjanuarve. Në këtë ditë feste, u dhashtë të gjithëve dhembshurinë e Tij e i davaritët retë e errta të kësaj bote!”

Papa, në meshën e Natës së Krishtlindjes: “Zoti e do çdo njeri, edhe më të keqin”

“Krishtlindja na kujton se Zoti vazhdon ta dojë çdo njeri, edhe më të keqin”. U shpreh me bindje për këtë Papa, në homelinë e meshës së Natës së Krishtlindjes. Mesazhi, që Hyji i dha njerëzimit me mishërimin e Birit të Tij, sipas Atit të Shenjtë është ky: “Mua, ty, secilit prej nesh, sot, i thotë: ‘Të dua e do të të dua përgjithmonë, je i çmuar në sytë e mi”.

“Zoti – theksoi Papa – nuk të do, sepse ti mendon drejt e sillesh mirë; të do e mjaft. Dashuria e Tij është pa kushte, nuk varet prej teje”. “Mund të kesh ide të gabuara – kujtoi Bergoglio – mund të kesh bërë lloj-lloj të këqiash, por Zoti nuk heq dorë prej teje e të do fort”. “Sa herë mendojmë se Zoti është i mirë vetëm nëse ne jemi të mirë e se na dënon kur jemi të këqinj”, ngriti zërin Papa, Natën e Shenjtë të 24 dhjetorit. “Nuk është kështu – vijoi. – Edhe në mëkate, vazhdon të na dojë. Dashuria e Tij nuk ndryshon, nuk është dashakeqe; është besnike, e durueshme. Kjo është dhurata e Krishtlindjes: zbulojmë me habi se Zoti jep gjithçka falas, me gjithë butësinë e mundshme. Lavdia e Tij nuk na verbon, prania e Tij nuk na frikëson. Lindi krejt i varfër, për të na e fituar zemrën me pasurinë e dashurisë së Tij”.

Mesazhi i Papës dhe i krerëve të tjerë të krishterë për Sudanin e Jugut

 “Dëshirojmë t’ju shprehim juve dhe popullit sudanojugor urimet më të mira për paqe e begati, duke siguruar afërsinë tonë me përpjekjet tuaja për zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes së paqes”. Ky ishte mesazhi i Krishtlindjes për krerët politikë sudanojugorë, nënshkruar nga Papa Françesku, së bashku me kryeipeshkvin e Kanterbërit Justin Welby dhe me ish-moderatorin e Kishës së Skocisë, John Chalmers.

Në të, liderët fetarë luten për “përtëritjen e impenjimit në udhën e pajtimit e të vëllazërimit dhe i kërkojnë Zotit bekime të begata për secilin prej tyre e për krejt kombin”. “Jezu Krishti Zot, Princ i Paqes, - shkruajnë autoritetet më të larta të Kishës Katolike, Anglikane e Presbiteriane – i shndrittë dhe i drejtoftë hapat tuaja, në mirësi e në vërtetësi, që të bëhet e mundur vizita jonë e shumëpritur në këtë vend të dashur”.

Presidenti i Egjiptit i telefonon Papës për urimet e Krishtlindjes

Presidenti i Egjiptit, Abdel-Fattah El-Sisi, e uroi Papën me telefon për Krishtlindjen dhe për Vitin e Ri. Gjatë bisedës, presidenti shprehu vlerësimin e Egjiptit për gjithë udhëheqësit fetarë të botës, veçanërisht për Françeskun dhe për bashkëpunëtorët e tij në Selinë e Shenjtë. Njëkohësisht, El-Sisi vuri në dukje nevojën për të punuar së bashku, gjithnjë, në favor të bashkëjetesës paqësore, lirisë së kultit dhe respektit të ndërsjellë. Nga ana e tij, Papa Françesku theksoi nevojën për bashkëjetesë paqësore, për bashkëpunim konkret dhe për paqe ndërmjet të gjitha feve, siç informoi zëdhënësi i presidencës egjiptiane, Bassam Rady.

Papa Françesku, të rinjve të Taizé-së: “shkoni me fe drejt të tjerëve e drejt sfidave të shoqërisë”

“Zbuloni së bashku sa ju tërheq rrënjosja në fe e sa ju përgatit të shkoni drejt të tjerëve për t’iu përgjigjur sfidave të reja në shoqëri, veçanërisht, rreziqeve që rëndojnë mbi shtëpinë tonë të përbashkët”. Kjo është ftesa e Papës Françesku për të rinjtë e organizuar nga Bashkësia ekumenike e Taizé-së, që sivjet e kalojnë Vitin e Ri në Wroclaw të Polonisë, në Takimin e 42-të të Rinisë Evropiane, i cili nisi më 28 dhjetor dhe përfundon më 1 janar 2020. Në këtë Takim, tashmë prej 25 vitesh, marrin pjesë edhe shqiptarë, ashtu si në javën e lutjes në Taizé, gjatë verës.

Në takimin e sivjetëm, me temë “Gjithmonë për udhë, kurrë të çrrënjosur”, kanë mbërritur nga e gjithë Evropa më se 15 mijë djem dhe vajza. Shumica janë pikërisht polakë e pastaj, vijnë ukrainasit. Të pranishëm në Poloni edhe grupe nga Libani dhe Japonia, që u përkasin Kishave të ndryshme të krishtera.

Në mesazhin papnor, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kujtohet Nxitja Apostolike pas sinodale “Christus vivit”, ku shkruhet: “Rrënjët nuk janë spiranca, që na lidhin me epoka të tjera e na pengojnë të mishërohemi në botën e sotme, për të bërë të lindë diçka e re. Përkundrazi, janë gur themeltar, që na mundëson të rritemi dhe t’u japim përgjigje sfidave të reja”. “Të jeni gjithmonë gati për t’ia filluar nga e para – shkruan Papa Françesku – për ta dëshmuar Ungjillin e për të qenë plotësisht të pranishëm për ata që ju rrethojnë, sidomos për më të varfërit e për më të mënjanuarit. Mos prisni deri nesër për të bashkëpunuar në shndërrimin e botës, me energjinë, guximin dhe krijimtarinë tuaj ... Ju jeni e tashmja e Zotit, që ju do të frytshëm”.

Kardinali Parolin siguron që Papa Françesku i shoqëron me lutje të rinjtë e mbledhur në Wroclaw dhe i inkurajon të reflektojnë mbi temën e Takimit, së bashku me të krishterët e Polonisë. E së fundi, nënvizon: “Polonia është vend, që i ka rrënjët në fe. Pikërisht këto rrënjë u dhanë njerëzve forcën për t’u rezistuar sprovave të mëdha, kur s’kishte më shpresë. Do ta shihni vetë: mund të mësoni shumë nga ata, që i mbetën besnikë Krishtit, kur tundoheshin për t’u dorëzuar që të shpëtonin. Këta të krishterë guxuan të besojnë në një të ardhme ndryshe”.

Një muaj pas tërmetit në Shqipëri. Imzot Frendo: “Të dëmtuarit pa shtëpi, si Krishti”

Një muaj pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, edhe të dëmtuarit festuan Krishtlindjen. Kisha Katolike i ftoi besimtarët të shkojnë për meshë në kishat më të afërta me vendstrehimin. Më 25 dhjetor, një pjesë prej tyre mundën të marrin pjesë në drekën e organizuar nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, në praninë e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ndërsa në hotelet, ku strehohen të dëmtuarit nga tërmeti, organizata të ndryshme jo qeveritare organizuan festën e Krishtlindjes për fëmijët.

“Krishtlindja e këtij viti ka një kuptim krejt të veçantë – deklaron për agjencinë katolike italiane Sir, imzot Frendo. - Kujton, më shumë se herët e tjera, se Jezusi lindi pa shtëpi. E këtë e kuptojnë mirë ata, që humbën gjithçka, duke filluar nga shtëpia”.

Tërmeti i 26 nëntorit, më i forti i 40 viteve të fundit - 6.5 ballë të shkallës Rihter - tronditi vendin, duke shkaktuar dhjetra viktima dhe qindra të plagosur, duke shkatërruar shtëpi dhe ndërtesa të tjera. Kryedioqeza e Tiranë-Durrësit është më e prekura. Imzot Frendo, që është edhe kryeipeshkëv metropolit i saj, shkoi menjëherë pas tërmetit në dy kampet me çadra, ngritur në Durrës dhe Thumanë, për t’u çuar të dëmtuarve afërsinë dhe solidaritetin e Kishës, e cila u vu menjëherë në lëvizje përmes Karitasit dhe organizmave të tjera të saj. Sot, shumica e të dëmtuarve nga tërmeti janë strehuar në hotele, ndër të afërm e miq, ose jashtë vendit, por “ndjenja e pasigurisë është e dukshme dhe i prek të gjithë”. Edhe më parë se të mendojnë për të ardhmen, këta njerëz kanë nevojë për pak normalitet.

29 dhjetor 2019, 09:14