E diela III e Kohës së Ardhjes E diela III e Kohës së Ardhjes 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës III të Kohës së Ardhjes

Kёtё tё diel, Kisha Katolike kremton të dielën III të Kohës së Ardhjes. Ungjilli i ditës, marrë nga kapitulli XI i Shën Mateut, i jep përgjigje pyetjes, që Gjoni i bëri Krishtit, më se 2000 vjet më parë e që ndokush vijon t’ia bëjë edhe sot: “Je Ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?” Por, ja pjesa ungjillore:

R.SH. - Vatikan

2 Tashti, kur Gjoni dëgjoi në burg për veprat e Krishtit, dërgoi nxënësit e vet 3 për ta pyetur: ‘A je ti ‘Ai që do të vijë’, apo duhet të presim një tjetër?’ 4 Jezusi iu përgjigj: ‘Shkoni e tregojini Gjonit çka po dëgjoni e çka po shihni: 5 Të verbërit po shohin, të shqeptit po ecin… të varfërve po u predikohet Ungjilli. 6 I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!’ 7 Kur shkuan ata Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin: ‘Çka dolët të shihni në shkreti? Kallamin që e luhat era? 8 …Njeriun që vishet me petka të bukura?… 9 …një profet? Po, po ju them: edhe më tepër se një profet”.

Të lutemi së bashku:

Pas dy mijë vitesh

pyetja është po ajo,

megjithëse ata, që e bëjnë,

janë burra e gra të çdo race,

të çdo kulture e tradite:

A është Ai, Jezusi, që po presim

apo duhet të presim dikë tjetër?

 

Nuk ka pyetje më të rëndësishme

e më vendimtare për shëlbimin tonë.

E përgjigjja, Ti na e kujton edhe sot,

kalon përmes Fjalës së Tënzot,

por s’mund të kufizohet veç në fjalë.

Duhen fakte,

ngjarje, që ndodhin

para syve të të gjithëve,

shndërrime, që duhen prekur me dorë,

ndryshime, që mund

të provohen drejtpërdrejt:

Shkoni e tregoni…

 

Me këto pak fjalë

Ti na nis për mision.

A do të dimë t’i dëshmojmë gjurmët

e një Ungjilli, që vijon

të mahnisë?

A do t’u tregojmë njerëzve

si e ku ta gjejnë Lajmin e Mirë

i vetmi, që bën të lulëzojë

një botë më të drejtë e më vëllazërore?

A do të jemi ne vetë,

me jetën tonë të thjeshtë,

prova se nuk gabojmë

nëse besojmë në Ty

nëse e dëgjojmë Fjalën tënde,

pa asnjë hezitim?

13 dhjetor 2019, 14:22