E diela I e Kohës së Ardhjes E diela I e Kohës së Ardhjes 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës I të Kohës së Ardhjes 'A'

Këtë të diel Kisha Katolike fillon Kohën e Ardhjes, gjatë së cilës përgatitemi për të pritur si duhet lindjen e Krishtit. Ungjilli i së dielës së parë të kësaj Kohe është marrë nga kapitulli i 24-t i shën Mateut e na fton të vigjëlojmë, për të qenë gati kur Zoti do të na trokasë në portë.

R.SH. - Vatikan

37 Si ishte në ditët e Noehit, ashtu do të jetë edhe Ardhja e Birit të njeriut, 38 dhe, sikurse në ditë para përmbytjes, njerëzit hanin e pinin, merrnin gra e gratë burra… 39 e nuk ua preu mendja se do t’u ndodhte gjë… ashtu do të jetë edhe në Ardhjen e Birit të njeriut. 40 Atëherë, prej dy vetëve, që kanë për t’u gjetur në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet… 42 Prandaj: rrini zgjuar… 43 E mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë të natës i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia. 44 Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni”.

Të lutemi së bashku:

Të mos kuptojmë asgjë:

për ty, o Jezus, kjo është

më e keqja që mund të na ndodhë.

Të bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë,

ta vazhdojmë jetën

pa u kujdesur për të gjetur busullën,

kuptimin, drejtimin, domethënien e saj.

Të mendojmë se kjo botë

është thjesht, pa fund,

një lloj rrethi i përhershëm vicioz

pa krye e pa bisht,

ku gjithçka dhe e kundërta me gjithçka janë e njëjta gjë.

Shi për këtë, o Jezus, dëshiron të na paralajmërosh.

 

Ka rrezik të jetojmë pa e kuptuar fare

sa e rëndësishme është e ardhmja, që po realizohet.

Na zgjo pra, o Zot, mos na ler në këtë mpirje e shushatje,

na i hap sytë e përgjumur,

na i ngroh zemrat e ngrira.

 

Në fillim të Kohës së Ardhjes, të lutemi:

mos na ler të mbytemi në kënetën e konsumizmit,

të na thithë rëra e lëvizshme e përtacisë,

vorbulla e zhgënjimit, balta e egoizmit.

Na i hap veshët:

Fjala jote jehoftë me forcë

e na drejtoftë vendosmërisht

në udhët e pritjes e të shpresës.

30 nëntor 2019, 14:33