Kërko

Vatican News
 Shpella e Betlehemit në Kishën e Shën Anës, në Vatikan Shpella e Betlehemit në Kishën e Shën Anës, në Vatikan 

Shpella e Betlehemit: mahnit të vegjlit, tmerron pushtetarët hipokritë

Shpella e Betlehemit (nga latinishtja praesepe-grazhd), nisi të përhapej, së pari në Itali, rreth shekullit XIII, si shprehje e një ndjenje fetare popullore.

R. SH. - Vatikan

Shpella e Betlehemit (nga latinishtja “praesepe”- grazhd), nisi të përhapej në Itali rreth shekullit XIII, si shprehje e një ndjenje fetare popullore, por rrënjët e saj i gjejmë së pari në Ungjill. Luka na tregon se Maria “e nxori në dritë të Birin… dhe e vuri mbi një grazhd”. E engjëlli, duke u bërë thirrje barinjve të vrapojnë drejt Betelehemit, u thotë pikërisht: “Do të gjeni një Fëmijë të vënë mbi një grazhd”(2,7-16). Mateu, më pas, rrëfen edhe historinë e shtegtimit të Mbretërve Dijetarë, që ndjekin udhën e kometës (2,8-11). Të gjithë rendin drejt Betlehemit. E takohen tek grazhdi!

Françesku i Asizit, gjatë shtegtimit të tij në Tokën Shenjte, shkoi edhe në Betlehem. Mbeti i mahnitur, duke kundruar vendin e Lindjes së Shëlbuesit. E nisi ta donte këtë festë, më shumë se të gjitha të tjerat. Dashuri, që e frymëzoi ta bënte Shpellën e Betlehemit pronë të mbarë njerëzimit, duke e ngritur i pari, ashtu si e përfytyronte, në Greçio të Italisë, prej nga u përhap në mbarë botën. Krijesa e tij ishte “Shpella e parë eukaristike” e Betlehemit. E përvujtëria e Korpit të njomë, shtrirë mbi kashtën e Betlehemit - Betlehem do të thotë “shtëpia e bukës” - na kujton përvujtërinë e altarit, mbi të cilin vetë Biri i Zotit bëhet korp i vërtetë në bukën eukaristike.

Këshu lindi Shpella e parë e  Betlehemit. Me një fat të çuditshëm, por jo të papritur. Shpellë, që ngjall mahnitje e frikë! Mahnitje në shpirtin e fëmijëve, sepse Foshnja hyjnore u flet zemrave të tyre të njoma, të pafaje. Frikë, të rriturve, të cilët e kanë humbur pafajninë e foshnjërisë. Ndaj frikë e tmerr i kall Herodit, Shpella e pastoli. Frikë herodëve, që  nuk ngurrojnë ta ngrenë fronin mbi gjakun e fëmijëve të pafajshëm! E që do t’ia prisnin kokën edhe vetë Zotit, po të mundnin! Frikë e lashtë dhe e re. Sepse frikë kanë edhe sot e kësaj dite ca njerëz nga Shpella, nga një këngë krishtlindjeje, nga një poezi, që i këndon, ashtu si patën kënduar engjëjt, lavdi Zotit në qiell e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë.  Është frikë sa e lashtë, aq e edhe e re! Nis që para Krishtit, për të ardhur deri në ditët tona, e fshehur pas laicizmit të shtetit a pas respektit hipokrit për fetë e tjera. Kanë frikë pushtetarët hipokritë. E deri djalli vetë ka frikë nga Foshnja e Betlehemit… Ndaj mundohet t’i mashtrojë njerëzit me vezullimin e dritave e me vitrinat plot shkëlqim, për t’i bërë ta harrojnë Atë që ka festën, që lind sonte mbi një grazhd me kashtë, i ngrohur nga fryma e një kau e një gomari. E sidomos, të harrojnë se duhet të lindë në çdo shtëpi.

Po ti, a e bëre Shpellën e Betlehemit në shtëpinë tënde? Pranë kujt dëshiron të qëndrosh në këtë mesnatë plot me këngë engjëjsh e njerëzish? E çfarë dhurate dëshiron t’i bësh Foshnjës hyjnore, që lind edhe për ty? Në shtëpinë tënde?

23 dhjetor 2019, 17:03