Shpella e Betlehemit: "Ta lëmë nënën të pushojë" Shpella e Betlehemit: "Ta lëmë nënën të pushojë" 

Shpella e Betlehemit dhe thjeshtësia e Krishtlindjes: meditim i kardinalit Martini

Reflektim i Kardinalit Carlo Maria Martini kushtuar lindjes së Krishtit, shkruar në Jeruzalem e publikuar në revistën “30Giorni”, në dhjetor 2006.

R. SH. - Vatikan

Shpella e Betlehemit është diçka krejt e thjeshtë, që të gjithë fëmijët e kuptojnë menjëherë. Bëhet me shtatore madhësish e masash të ndryshme; por gjëja më kryesore është se të gjithë ia ngulin sytë një pike të vetme: kasolles,  ku Maria e Jozefi, me kaun e gomarin, janë në pritje të lindjes së Jezusit, ose e adhurojnë, në çastet e para pas lindjes. Ashtu si Shpella e Betlehemit, i gjithë misteri i Këshndellave, i lindjes së Jezusit në Betlehem, është thjeshtësi e gjallë, e prandaj edhe varfëri e gëzim i gjallë. Nuk është aspak e lehtë të shpjegosh se si këto tri gjëra mund të rrinë bashkë. Po ne po e provojmë…

Krishtlindja, mister i varfërisë

Misteri i Krishtlindjes është, pa dyshim, mister i varfërisë e i varfërimit: Krishti, nga i pasur që ishte, u bë i varfër për ne, për t’u bërë i ngjashëm me ne, për dashuri tonë, e posaçërisht, për dashuri të më të varfërve. Gjithçka këtu është krejt e varfër, e thjeshtë, e përvuajtur e, prej këndej, nuk është e vështirë për t’u kuptuar nga ai, që ka syrin e fesë: fesë së fëmijës, të cilit i përket mbretëria e Qiellit. Na e thotë vetë Jezusi: “Nëse syri yt është i thjeshtë, edhe korpi yt është i tëri në dritë”. (Mt 6,22). Thjeshtësia e fesë e shndrit gjithë jetën e të bën t’i pranosh me gjithë zemër gjërat e Zotit. Feja lind nga dashuria, është aftësi shikimi,  që vjen  kur e ndjen se Zoti të do.

Gëzim i përkryer

Frytin e gjithë kësaj e gjejmë në fjalën e Gjonit Ungjilltar, në Letrën e tij të parë, ku përshkruan  përvojën e Marisë e të Jozefit në Shpellën e Betlehemit; “Pamë me sytë tanë, kundruam, prekëm me duart tona Fjalën e jetës, sepse jeta u bë e dukshme. Dhe e gjithë kjo ndodhi, që gëzimi ynë të jetë i përkryer. Gjithçka, pra, është për gëzimin tonë, që gëzimi të jetë i plotë (krh 1Gjn1,1-3)”. Nuk është  vetëm gëzim i atyre, që jetuan në kohën e Krishtit, por edhe gëzimi ynë:  edhe sot kjo Fjalë e jetës bëhet e dukshme dhe e prekshme në jetën tonë të përditshme, në të afërmin, që duhet dashur; në udhën e kryqit, që duhet ndjekur; në lutje e në Eukaristi e, në mënyrë të veçantë, në Eukaristinë e Krishtlindjes, që na mbush me një gëzim të papërshkrueshëm.

Thjeshtësi

Varfëri, thjeshtësi, gëzim: janë fjalë krejt të thjeshta, që i di e i kupton gjithkush, por prej të cilave nganjëherë kemi frikë e, gati-gati, edhe turp. Gëzimi i përkryer na duket i tepërt, sepse rreth nesh ka shumë gjëra të gabuara, të padrejta. E si mund ta shijojmë gëzimin e vërtetë përballë gjithë kësaj katrahure? Por edhe thjeshtësia nuk shkon, sepse na rrethojnë shumë gjëra, të cilave nuk mund t’u besohet, gjëra të ndërlikuara, të vështira për t’u kuptuar, enigma jete: e si mundemi, përballë gjithë këtyre sendeve kaq të ngatërruara, ta shijojmë thjeshtësinë? E varfëria, a nuk është  diçka që duhet luftuar e duhet çrrënjosur nga faqja e dheut?

Shpirti i varfërisë

Gëzimi im i thellë nuk do të thotë se s’ duhet ta ndjej po aq thellë dhimbjen për padrejtësinë, për urinë, për një mori vuajtjesh, që pësojnë njerëzit në botë. Do të thotë  vetëm se duhet  t’i besoj Zotit,  ta pranoj se Zoti di gjithçka, se ka kujdes për ne e se do të na i  japë pa kursim dhuratat,  që kërkon historia.  E pikërisht kështu lind shpirti i varfërisë: duke besuar pa kusht në Zotin. Në Të mund të shijojmë gëzimin e plotë, sepse kemi prekur Fjalën e jetës, që shëron çdo sëmudje, çdo varfëri, çdo padrejtësi, çdo mort. Nëse në një farë mënyre gjithçka është kaq e lehtë, duhet të jetë po kaq e lehtë edhe të besojmë!

Për të besuar, mjafton zemra

Dëgjojmë shpesh të thuhet se të besosh është e vështirë, në një botë si kjo jona, ku feja rrezikohet të fundoset në detin e indiferencës e të relativizmit, ose të lihet mënjanë përballë fjalimeve të mëdha shkencore, kushtuar njeriut e universit. Nuk mund të mohohet se sot, në një botë të tillë, mund të jetë më e vështirë ta mbrosh me argumente racionale, mundësinë për të besuar. Por pa e harruar fjalën e Shën Palit: “Për të besuar mjaftojnë zemra e goja. Kur goja, e hapur nga çikja e Shpirtit Shenjt, që na u dha me begati (krh Rom 5,5;Gjn 3,34), beson se Zoti  e ngjalli Jezusin prej të vdekurve e goja e shpall - jemi të shpëtuar” (krh Rom 10,8-12)

Feja do të thotë të lëshohesh në dorë të Zotit

Me të drejtë përpiqemi të thellohemi në misterin e fesë, kërkojmë t’i lexojmë  të gjitha faqet e Shkrimit Shenjt e të hyjmë në udhët e thepisura të tij. Po feja - e përsëris - është e thjeshtë, është lëshim i plotë në dorë të Zotit, është besim i pakushtëzuar. Duhet ta rigjejmë këtë thjeshtësi. Kjo i ndriçon të gjitha gjërat e krijon mundësitë për t’u bërë ballë të gjitha dredhave të jetës, pa shumë vështirësi e pa u trembur prej saj. Nuk duhet shumë, për të besuar! Duhet dhurata e Shpirtit Shenjt, që Ai nuk ua kursen zemrave tona, ndërsa nga ana jonë, duhet vëmendje e pak shenja, por të gjetura mirë.

Shenja të vogla

Të shikojmë çka ndodhi pranë Varrit të zbrazur të Krishtit: Maria Magdalenë thoshte me ngashërim e lot: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë çuar”. Ndërkaq Pjetri hynte në varr, shihte pëlhurat e palosura dhe rizën që pati qenë në kokë të Jezusi mënjanë, e ende nuk kuptonte ç’po ngjiste. Por çka nuk e kuptonte Pjetri, e mori vesh menjëherë dishepulli tjetër. Ai, që Jezusi e donte. Ai pa “e besoi” - na kujton Ungjilli, sepse shenjat e vogla të pranishme në Varr e siguruan se Zoti ishte ngjallur. Nuk pati nevojë për traktate teologjie, nuk shkroi mijëra faqe mbi këtë ngjarje të jashtëzakonshme. Pa shenjat e vogla, të vogla, si ato të Shpellës së Betlehemit, e i mjaftuan, sepse zemra tij ishte tashmë e përgatitur për ta kuptuar misterin e dashurisë së pambarim të Zotit.

Një zemër, gati për të besuar

Shpesh ne kërkojmë gjëra të ndërlikuara. Nuk është e keqe kjo! Po për të besuar duhet pak, shumë pak, nëse zemra është e gatshme e nëse ia vë veshin Shpirtit Shenjt, që i dikon besimin e gëzimin, duke e mbushur plot. Nëse jemi të thjeshtë e të gatshëm, hyjmë në numrin atyre, të cilëve iu dhurua hiri për t’i shpallur këto të vërteta themelore, që na shndrisin jetën e na krijojnë mundësinë ta prekim me dorë misterin e shprehur nga Fjala e mishëruar. E provojmë, atëhere, se mund ta ndjejmë gëzimin e përkryer  edhe në këtë botë, pavarësisht nga vuajtjet e dhimbjet e ditëve tona.

28 dhjetor 2019, 10:43