Kërko

Misionaret e Nënë Terezës në Palestinë Misionaret e Nënë Terezës në Palestinë 

Raporti i Fides: 29 misionarë të vrarë gjatë vitit 2019

Gjatë vitit 2019, janë lagur nga gjaku i misionarëve 10 vende të Afrikës, 8 të Amerikës, 1 në Azi e 1 në Evropë.

R.SH. - Vatikan

Edhe gjatë këtij viti, që po përfundon, të krishterët kanë dhënë gjakun për fenë, ose për t’u shërbyer popujve, pranë të cilëve kryejnë misionin e tyre. Sipas të dhënave të agjencisë katolike të lajmeve Fides, në gjithë botën janë vrarë 29 misionarë, 18 prej të cilëve meshtarë, pastaj, një diakon i përhershëm, 2 rregulltarë, 2 murgesha, 6 laikë.

         Pas 8 vitesh me radhë, gjatë të cilëve numri më i madh i meshtarëve të vrarë regjistrohej në Amerikë, që nga 2018-a është Afrika që ka primatin e trishtueshëm në këtë klasifikim tragjik. Gjatë vitit 2019, në kontinentin e zi janë vrarë 12 meshtarë, 1 rregulltar, 1 murgeshë e 1 laike – gjithsej, 15 vetë. Pas tij, vjen Amerika me 12 të vrarë, pastaj, Azia me 1 dhe Evropa, ku është vrarë një murgeshë.

         Agjencia Fides vëren gjithashtu se, tashmë, kemi një fenomen të ri, të cilin e quan “globalizimi i dhunës”. Ndërsa në të kaluarën misionarët e vrarë ishin kryesisht të një vendi, ose të një zone gjeografike, në vitin 2019, shpërndarja e vrasjeve është më e madhe. Janë lagur me gjak misionarësh 10 vende të Afrikës, 8 të Amerikës, një në Azi e një në Evropë.

         Agjencia Fides shpjegon se e përdor termin “misionar” për gjithë të pagëzuarit, “me vetëdijen se në sajë të pagëzimit, çdo anëtar i Popullit të Zotit është dishepull misionar”. Prej kohësh tashmë, lista vjetore e Fides përfshin jo vetëm misionarët në kuptimin e ngushtë të fjalës, por edhe gjithë të pagëzuarit e angazhuar në jetën e Kishës, që humbin jetën në mënyrë të dhunshme e jo vetëm për shkak të fesë.

         Për këtë arsye, raporti nuk përdor termin “martir”, “përveçse në kuptimin etimologjik të tij si ‘dëshmitar’, për të mos hyrë në gjykimin që Kisha mund të japë më vonë për disa prej viktimave, duke i propozuar, pas një shqyrtimi të kujdesshëm, për lumnim, ose shenjtërim”.

30 dhjetor 2019, 13:58