Kërko

Papa Francesco visita Presepio Piazza San Pietro Papa Francesco visita Presepio Piazza San Pietro 

Për udhë, kah Shpella e Betlehemit

Çdo vit kjo Kohë e Ardhjes, është hir i madh e dritë, është shkundje, që më mahnit: fjalë e thënë, pas heshtjes së gjatë, pas kohës së vrarë në kraharor…

R.SH. - Vatikan

Për udhë, kah Shpella e Betlehemit

Rrjedh jeta ditë për ditë,

si rrjedh lumi përgjumshëm

gjithnjë në shtrat të vet.

 

Ditë e për ditë vërshon zymtia

në skajet e skutat e jetës

e m’i errëson

dhe pikat e ndaljes së dritës.

Ditë e për ditë lodhja e zhgënjimi,

ma brejnë pak e nga pak.

gjithë entuziazmin.

 

E të gjitha dëshirat më të dashura,

shuhen në harresë…

Bankat e kohës, ku shpresat i ruaj,

m’i marrin ditët peng...

                                    

Nuk duhet të jem vetvetja,

duhet të jem si bota!

Prandaj çdo vit kjo Kohë e Ardhjes,

është hir i madh e dritë,

është shkundje, që më mahnit:

fjalë e thënë, pas heshtjes së gjatë,

pas kohës së vrarë në kraharor…

 

Prandaj çdo vit kjo Kohë e Ardhjes,

ilaç është, që vdekjen e tremb;

forcë, që jetën ta kthen

e të vë rishtas për udhë:

jo më me kokë të kapitur,

jo më në kërkim të vetmisë,

jo më me këmbë të mpira,

jo më me sy të verbuar,

jo më me shpatulla të kërrusura…

 

Tash me trup kall të drejtë

vrapoj kah dita e bekuar

kur Ti Jezus

do të kthehesh prapë mes nesh,

në ballin e gjerë të shekullit,

e në zemrat tona, sa Zemra Jote,

që zënë gjithë botën! 

17 dhjetor 2019, 17:18